Lojërat e fatit, një “fat” i keq!

Nga Miron ÇAKO

Lojërat e fatit si emërtim duket argëtues. Të argëtohet dikush është nevojë biologjike dhe shpirtërore e njeriut, ai relaksohet dhe qetësohet mendërisht. Por, lojërat e fatit si lojërat elektronike, kazinotë, llotot, bastet etj., që janë përhapur si kërpudhat mbas shiut dhe gjenden në çdo rrugë, udhëkryq, në realitet më shumë krijojnë një “fat” të keq me shumë dëme. Kjo, sepse në këto lojëra rrallë fiton ndokush, por më shumë dhe shpesh fiton makina elektronike, rulota dhe pronari i saj me një fitim të madh.

Ato janë llogaritur në mënyrë matematikore që lojtari edhe sikur të fitojë njëherë, ai do të humbë herët e tjera. Gjithmonë ndodh fenomeni fiton njëherë, pastaj joshesh për të fituar më shumë dhe kështu humbet edhe ato që fitove deri sa del pa asnjë lek në xhep. Operatorët e lojërave të fatit e kanë pranuar nevojën për t’i bërë njerëzit të ndërgjegjshëm se ata duhet ta konsiderojnë bixhozin si një mënyrë argëtimi dhe jo si një mënyrë për të rrënuar familjen. Është bërë kujdes që reklamat e tyre për fitim të shpejtë me ndriçim pulsant të duken shumë joshëse dhe argëtuese. Zakonisht në këto lojëra lozin edhe rrezikojnë më shumë njerëz që i kanë paratë të fituara në mënyrë të lehtë, abuzive, me vjedhje, drogë, prostitucion, tregti e pandershme, krime, etj. Personat që bien viktima janë të të gjitha shtresave të shoqërisë, duke filluar nga të pasurit, VIP-at, politikanët, shtresa e mesme, të varfrit që shkojnë edhe harxhojnë edhe lekët e bukës. Lojtarët më shumë janë të rinj, sepse vetë mosha i bën të jenë aventurierë, por dëshirojnë edhe të fitojnë para pa punuar, por nuk mungojnë as të rriturit, bura edhe gra, pleq, që duan më shumë para për të përmbushur planet e tyre egoiste, ose e kanë si ves të ngulitur që nga rinia e tyre aventuriere.

Dëmtimet që rezultojnë nga lojërat e fatit, nga humbja e parave që si një spirale të fundos, sjell: vështirësi ekonomike, produktivitetin e ulët të punës, humbjen e punës, falimentim biznesesh etj., prishjen e marrëdhënieve në çift, të familjes. Kumari ndikon në 8% të divorceve në Shqipëri. Lojtari shkon drejt  depersonalitetit, dëshpërimit, depresionit, deri në vetëvrasje.

Lojërat e fatit për lojtarin pa e kuptuar kthehen në një vartësi patologjike dhe makina elektronike bëhet jeta e tyre. Qendra Mjekësore e Universitetit të Maryland-it përcakton lojtarët e fatit si të sëmurë patologjikë dmth., të paaftë t’u rezistojnë impulseve për të rrezikuar në kumar, gjë që mund të çojë në pasoja të rënda personale ose shoqërore. Shenjat e një problemi patologjik të lojërave të fatit përfshijnë se: lojtari përdor rogën, kursimet dhe çdo mundësi financiare në kumar, ndërkohë i errësuar nga pasioni patologjik nuk mundet të paguaje qiranë, kredinë, shkollën e shumë detyrime financiare për veten ose familjen. Ai pushon së qeni social në familje, shoqëri  edhe mendon e preokupohet vetëm për bixhozin. Kjo sjell dhe armiqësi e izolim nga shoqëria, apo edhe nga njerëzit më të afërt, që i shikojnë si rrezik potencial  pranë jetës së tyre. I kapur në vartësinë patologjike lojtari i “fatit” me çdo kusht kërkon të rikuperojë humbjet e njëpasnjëshme, duke besuar fort se këtë herë do të fitojë dhe kjo e zhyt akoma më shumë në humbje, borxhe, por edhe në mashtrime, vjedhje deri në krime. Shumë thonë “sa të fitoj parat që kam humbur, pastaj do ta lë”. Por, kjo nuk ndodhur ose ka ndodhur shumë rrallë. Në përgjithësi hyjnë edhe s’dalin dot për gjithë jetën, tentojnë të shkëputen nga kjo vartësi, por e kanë të pamundur.

Njerëzit e prekur nga çrregullimi i stresit post-traumatik ose PTSD jetojnë me nivele të larta stresi dhe ankthi, 34% e atyre që kërkojnë trajtim për varësinë e kumarit, shfaqin simptoma të PTSD. Statistikat e varësisë nga kumari tregojnë një zhvillim të lartë të llojeve të caktuara të sëmundjeve mendore, disa prej të cilave përfshijnë: çrregullime depresioni, çrregullime ankthi, çrregullime të keqpërdorimit të substancave narkotike, çrregullimi antisocial i personalitetit. Kjo varësi patologjike i ngjan varësisë si nga ajo e abuzimit me substance si droga, alkooli dhe janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kështu bëjnë një rreth vicioz për lojtarët e kumarit. Sipas Universitetit të Nju Jorkut, disa nga tendencat më të përhapura të lojërave të fatit tregojnë se mundësia e zhvillimit të varësisë së kumarit rritet 23 herë më shumë për njerëzit e prekur nga çrregullimet e përdorimit të alkoolit apo drogës. Sipas Universitetit Shtetëror të Gjeorgjisë, mesatarisht rreth 50% e atyre që preken nga problemet e lojërave të fatit kryejnë krime për të mbështetur varësinë e tyre. Trendi i kumarit është në rritje në botë, psh.: Mbi 80 për qind e të rriturve amerikanë rrezikojnë çdo vit. Deri në 750,000 të rinj, moshat 14 deri në 21 vjeç kanë një varësi të lojërave të fatit. Statistikat e varësisë nga bixhozi tregojnë se njerëzit në mes të moshave 20 dhe 30 vjeç kanë normat më të larta të lojërave të fatit. Por të njëjtin trend në rritje kemi edhe në Europë, Ballkan. Fatkeqësisht edhe në Shqipëri, pavarësisht se nuk kemi statistika të sakta, lojërat e fatit po bëhen gjithnjë e më shumë një vartësi patologjike madje edhe më shumë viktima personale, familjare, shoqërore. E gjitha kjo tregon “fatin” e keq të lojërave të fatit që premtojnë para qyl, por në të vërtet nuk janë gjë tjetër, veçse një kurth ku të çon lakmia për para, që Bibla e quan shkakun e gjithë të këqijave. Por, si mund të dalësh nga kjo vartësi patologjike me shumë pasoja individuale dhe sociale?

Që një sëmundje të shërohet, nuk mjafton vetëm diagnostikimi, por duhet edhe profilaksia e duhur. E para është ndërgjegjësimi i riskut dhe rrezikut të lojërave të fatit, bixhozit, bastit etj. Ashtu si njeriu e kupton rrezikun e një sëmundjeje infektive dhe largohet nga vendi dhe personat e infektuar, kështu duhet të bëjë çdokush që të largohet nga vendet ku gjendet virusi “fat” ose më mirë lakmi për para.

E dyta, shoqëria civile  duhet të ndikojë tek shteti, që me ligjet e nevojshme të bëjë sa më të mundur pakësimin e këtyre lojërave të fatit dhe këto të jenë sa më larg qendrave urbane.

E treta, duhet kontrolli familjar, ndihma e shoqërisë, apo edhe biseda me psikologun, konsulta me neurologun për gjendjet e vartësisë dhe stresin e pamenaxhueshëm  me simptomat që përmendëm më sipër.

Pavarësisht të gjithave këto, “profilaksia” nuk mjaftojnë për t’u çliruar nga patologjia e lojërave të fatit, sepse personit me këtë vartësi i duhet një fuqi më madhore për të përforcuar personalitetin e dobësuar dhe për t’u liruar nga vesi. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me dobësi njerëzore, por me forca demoniake të padukshme, por të dukshme nga pasojat, të cilët e shtyn njeriun në lakmi për para të fituara pa mund dhe ky pasion të drejton në mëkat si: hipokrizi, gënjeshtër, vjedhje, krim, deri në vetëvrasje.

Mbreti i urtë Solomoni, (shek.. IX PRK), thotë për pasurinë e humbur në kumar: “Është një lëngatë shumë e keqe që e pash nën diell: pasuria e ruajtur për të keqen e të zotit. Me ndërmarrje të gabuar pasuria e tij mbaron”. (Predikuesi 5: 12).

Paraja mund të kthehet në një “zot” për njeriun, duke kontrolluar gjithë energjitë shpirtërore, fizike dhe kohën, madje të konkurrojë me Zotin e vërtetë. Krishti e quan paranë e fituar padrejtësisht si “mamona” (demon i parasë). Ai thotë: “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t’i qëndrojë besnik njërit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit”. (Mate 6:24)

Apostull Pavli (shek I PSK) thotë: “Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje”. (1Timo 6:10) Pyetjes se “çfarë është lakmia për para?”, një i urtë ju përgjigj: “Lakmia për para është të mos besosh se Perëndia kujdeset për ty, të mos besosh në premtimet e tij dhe të duash kënaqësitë mëkatare”.

Përvoja shekullore e njerëzve që duan të dalin nga kurthi i lakmisë, duke qenë të varur nga lojërat e fatit, kumari, lloto, bastet etj. tregon se rruga më e mirë dhe e sigurt është të besosh te Zoti i Gjithëpushtetshëm, të pendohesh dhe t’i kërkosh ndihmë për t’u çliruar nga kjo vartësi patologjike sepse: “Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë”.( Luka 18:27)

Në fund edhe një këshillë për pronarët e lojërave të fatit që kërkojnë të vënë pasuri me këto lojëra fati për veten e tyre, por që bëhen një “fat” i keq për shumë viktima, si individë, familje dhe shoqërinë: “Mos u mbështetni në pasuri të padrejtë, sepse asgjë s’do të ndihmojë ditën e mjerimit. (gjykimit të Zotit)”. (Siracidi 5:19)

* Përgjegjës i Zyrës Katekizmit KOASH

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *