Nga Fatmira Nikolli*
“Nuk ekziston asgjë më anarkike se pushteti, i cili bën çfarë të dojë, dhe ajo që do pushteti është krejtësisht arbitrare, ose diktohet nga nevojat e tij ekonomike që i shmangen logjikës së zakonshme”. Kjo frazë e Pier Paolo Pasolini-t, mund të ishte përmbledhja më e shkurtër e filmit italian “Il canile”, të Massimiliano D’Agostino-s dhe Gaspare Russo-s. Në fakt, ndikimi pasolinian, është i dukshëm përtej kësaj fraze. Disa prej personazheve të filmit të shkurtër, janë zgjedhur në rrugë, janë njerëz të zakonshëm(jo aktorë), me portrete të fuqishme në funksion të idesë së filmit – të njëjtën gjë bënte edhe Pasolini dikur.
Jemi në periferinë e Romës. Viti 2015. Znj. Guerra, një zyrtare e Ministrisë së Punës, dhe asistenti i saj, vizitojnë “il Canile” – ‘kafazet’. Gioda, rojtari i shoqëron të vizitojnë qelitë ku jetojnë njerëz në vend të kafshëve: fytyra të vrara, të palara, pa dhëmbë, të veshur keq, me rroba të grisura, që jetojnë në kushte të tmerrshme, pa higjienë e pa kujdes. Që në fillim, zyrtarja e ministrisë duket indiferente, derisa aty ndodhin ngjarje të papritura që ndryshojnë tërësisht gjithçka. Para Dr. Guerrës, njerëzit në kafaze sillen mirë, disa tremben, disa fshihen, disa madje këndojnë “Il Pagliacci” në mes të mjerimit. Vetë ajo, me tërë madhështinë dhe arrogancën e pushtetit i sheh nga lart-poshtë. Në realizimin e filmit, kanë interpretuar Giovanni Barone, Matteo Belli, Edmir Binoshaj, Paolo Fabrizio Bracco, ndërsa skenari është i D’Agostino, Gaspare Russo, Ilir Jacellari, fotografia nga Thomas Toti dhe muzika nga Le Terre Lontane. Ndërsa në staf janë edhe dy shqiptarët Ilir Jacellari e Edmir Binoshaj, vetë filmi, u vlerësua me çmimin e medias në TIFF-in e fundit mbajtur në Tiranë. “Çmimi është gjë e bukur dhe të bën të lumtur. I vetmi rrezik i çmimit është se të lidh këmbët. Ndaj kam pak frikë kur tërheq çmimet”, – thotë Gaspare Russo, në përgjigje të pyetjeve tona mbi filmin e çmimin.
– Si erdhi ky film?
Unë kam bashkëpunuar me Massimiliano D’Agostino-n për regjinë dhe skenarin. Filmi ka lindur si një kërkesë që të kuptojmë më shumë përmes metaforës se cili është vendi që kemi ndërtuar. Kemi dashur ta bëjmë këtë zgjedhje për të zgjuar shpirtrat dhe ndërgjegjen e për të kuptuar që një rrezik real në funksion të çnjerëzimit të njerëzve po vjen.
– Ju i fusni njerëzit në kafaze. Pse? Cili është kafazi real, që vjen përmes metaforës së filmit?
Është metaforë e bukur. Qeni ka disa karakteristika që janë si të njerëzve. Është thellësisht besnik, pranon shefin, nuk proteston, ndaj mund të vihet brenda një hapësire dhe të keqtrajtohet me justifikimin: për një jetë më të mirë. Mund të vësh lehtë një qen brenda një kafazi që të presë që dikush të vijë e të bëhet padroni. Si metaforë i qëndronte mirë njeriut.
– Ka edhe shqiptarë në film; pse? Është edhe emigracioni si koncept, ai që i fut njerëzit në kafaze?
Ekzakt! Ka disa linja metafore filmi. I huaji nuk është një i huaj që është patjetër shqiptar, është një i huaj x, në këtë rast është shqiptar sepse aktorët që zgjodhëm ishin shqiptarë. Metafora është që një x popull (dhe ata që janë italianë janë rastësisht të tillë) ka marrëdhënie të caktuara me një popull tjetër. Ka një marrëdhënie mes dy vendeve të ndryshme, ku njëri ndjek lojën e tjetrit në mënyrë të pandërgjegjshme. Mund të jetë një politikan italian që ndjek lojën e një shteti tjetër, mund të jetë edhe një shqiptar që ndjek rregullat që ka vendosur e që i interesojnë, Greqisë apo Italisë zëmë shembull. Për rrjedhojë, favorizohet më shumë vendi i huaj se vendi yt, çka është një çmenduri. Nuk është mesazh diskriminues. Ajo që ne donim të vinim në lojë, është pushteti, i cili ka kafazet e veta.
– Filmi shfaq portrete njerëzish të varfër e të mjerë, në skamjen e përtejme, që u hidhet ushqimi dhe nuk iu jepet. Si i keni gjetur?
Personazhet i kam zgjedhur vetë. I kam gjetur në rrugë. Nuk janë aktorë, janë njerëz normalë. Kishin atë pamje, në një farë mënyre kinematografike, shprehnin dramë, dhe për mua ishte e rëndësishme t’i vija aty. Ishte e rëndësishme që imazhi të ishte i tillë, me ato pamje. Çdo fjalë duhet konceptualizuar dhe koncepti mbetet në kujtesë. Një pamje jo, sepse është komunikim emotiv që mbetet në trup. Ato që dua të jap unë, janë koncepte emocioni dhe e shpreh idenë nga një formë trupore, fizike, që më pas mbetet.
– Në fund të filmit, ju vini një frazë të Pier Paolo Pasolinit ku pak a shumë kuptohet që pushteti i bën të gjitha…
Në dinamikat e pushtetit, interesat janë të disa niveleve. Jo vetëm interesa ekonomike, pasi ai që do të pasurohet, e bën në shpinën e të tjerëve. Dinamikat e pushtetit janë më të artikuluara. Kur ke pushtet, vendos se si ta përdorësh atë: për të pasur kënaqësi, mund të duash të dukesh një shenjtor, një njeri i mirë, i rëndësishëm e që të kujtohesh për gjatë; ose mund ta përdorësh atë fuqi në mënyrë tjetër: për të parë forcën me të cilën kundërshtarët vendosin të të shkatërrojnë. Është një sfidë kundër vetes. Që është në dëm të shumicës. Pra pushteti, veç dinamikës ekonomike ka edhe dinamika psikologjike. Besoj se ka edhe interesa të natyrës tjetër. Pushteti është i lidhur me interesa pothuaj okulte.
– Edhe kinemaja është një formë pushteti?
Po. Është formë pushteti. Çdo lloj forme pushteti është energji, dhe ajo mund të përdoret për mirë apo për keq. Nuk ka koncept absolut, është relativ. Është një kanal, që mund ta kalosh, për një rezultat të caktuar, për të bërë mirë apo keq.
– Pse i jeni kushtuar kinemasë?
Unë e Massimiliano vijmë nga jetë të ndryshme. Ai është marrë gjatë me filmin, unë jo. Veçse unë, nuk kam dëshirë të rri brenda kutish: më pëlqen të eksploroj, jam eksplorator i artit. Nuk përkufizohem në asnjë gjë, veçse një njeri me një pikëvështrim.
– Pse ka kaq shumë ndikim pasolinian filmi juaj?
Ka? Është i pavullnetshëm!
– Por, ju keni zgjedhur edhe aktorët siç e bënte ai?
Sepse ne vijmë nga populli. Njerëzit sot bëjnë shkollë nëse kanë para, hyjnë në kontekste nëse kanë para. Unë nuk kam hyrë në arte që më kanë lejuar favore. Pra, nuk jam futur brenda ‘kafazeve’ të caktuara që më lejojnë disa gjëra. Kam studiuar psikologji.
– Sipas asaj që thoni ju, jeta jonë është kafazi ynë?
Jeta jonë është një kafaz në raport me ndërgjegjen. Sa më të vetëdijshëm të jemi, aq më shumë mundësi do kemi të kuptojmë se cilat janë kangjellat. Edhe vetë çmimi, ose koncepti i organizimit të diçkaje që jep çmime, është një institucion, është një pranim rregullash. Ndërsa pranon çmimin, pranon edhe se po kalon në një rrugë që e kanë kaluar të tjerë dhe që ka ca limite, ka një lloj kafazi.
– Xhirimet, ku janë bërë?
Në një kafaz në Romë, ku qelitë u takojnë vërtet qenve.
– Në fund, njëri prej banorëve të kafazit shtiret si i vdekur dhe e nxjerrin jashtë. A është kjo një ikje nga jeta jote pa ajër?
Mesazhi është i tillë që secili ta shohë si do. Është një opinion, është sensacion; e kemi lënë të hapur, sepse dimë që ka një shpresë jashtë, por nuk e dimë nga vjen. Nuk mund ta themi ne cila është rruga. Mund të sugjerojmë, ka shpresë, pas saj një zgjidhje. Në film, ai duket se vdes. Është metaforë, për të lënë të vdesin, konvencionet, rregullat tona. Për të thyer hekurat dhe për të dalë nga aty, duhet të ndryshojmë shumëçka, mënyrën si shohim botën. Njeri i ri, që prapë ka ekzistuar, vdes dhe rilind. (*Gazeta Shqiptare)