“Dora tjetër”, mbi refugjatët, lirinë dhe luftën

“Tjetri” nuk është thjesht një i njohur apo një fqinj, “tjetri” mund të jetë çdokush, edhe një komb i tërë, në përpjekje për t’u çliruar nga kthetrat e çnjerëzores. Ky është mesazhi që përçon romani “Dora tjetër” e Chris Cleave përkthyer nga Alina Karaulli, e “Koleksionit Mozaik” që botohet falë ndihmës financiare të Komisionit Europian.

“Në një botë plot me turpe dhe padrejtësi, zgjedhjet e guximshme dhe instinktive të personazheve sfidojnë dëshpërimin e pashmangshëm, duke shndërruar një roman politik në një histori triumfuese, prekëse dhe njerëzore”,  – do të shkruante “The New York Times”. “Dora tjetër” është rrëfimi me dy zëra i jetëve të ndërthurura të një refugjateje nigeriane dhe një kryeredaktoreje të një reviste britanike. Bletëza, refugjatja nigeriane, sapo ka dalë nga qendra e paraburgimit për imigrantët e paligjshëm, ku ka jetuar në kushte të vështira për dy vjet. E vetmuar në një vend të huaj, pa miq e pa para, ajo vendos të kërkojë mbështetjen e së vetmes vendëse që njeh. Sara është një nënë e re e moderne, kryeredaktore, një fragment i së kaluarës të së cilës lidhet me Bletëzën. Para disa vitesh ato janë takuar, rastësisht, në një plazh në Nigeri, ku Sara po kalonte pushimet me të shoqin, në një përpjekje për të shpëtuar martesën e tyre. Ajo që ndodhi në atë plazh, jo vetëm i shkatërroi përfundimisht, por shndërrohet në një makth që kthehet në jetën e tyre papritur, në çastin kur Bletëza i merr në telefon. Ky roman paraqet një dramë personale, njerëzore dhe shoqërore, që ka ndodhur e do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë në botë ka varfëri, padrejtësi e luftë. “Dora tjetër” është parë si lloji më i mirë i romaneve politike: je pothuajse tërësisht i pandërgjegjshëm për politikën në të, pasi ky libër nuk ka të bëjë me gjëra abstrakte, por me qenie njerëzore. E megjithatë, ai lexohet edhe si një rrëfim intim i domethënies së migrimit, mallit, frikës dhe etjes për liri. Ndër të tjera, romani ilustron përmasën gjithëpërfshirëse të statusit të refugjatit; sesi ai i rrafshon të gjitha dritëhijet e një jete dhe sesi ky rrafshim e shndërron individin në një dokument, në një fije të bardhë letre me shkrim të zi, e cila vërteton, pa dyshimin më të vogël, nëse ai individ ka të drejtë të ekzistojë apo jo. Në përballje me këtë shpërfytyrim të individit, autori shtron pyetjen: sa nga ne, mendjehapurit e shpirtgjerët, do të shtrinin një dorë? Chris Cleave është shkrimtar dhe opinionist britanik. Romani i tij i dytë, “Dora tjetër”, arriti ndër finalistët e “Costa Book Awards”, rezultoi një nga librat më të shitur të vitit sipas “New York Times”-it dhe do të përshtatet për kinemanë në një film me Nicole Kidman.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *