Na ka mbetur pak kohë, mbase do të jetë hera e fundit…letra e Dritëroit për Sadijen

Ne, dy pleq të ulur në ballkon, do t’i ndjekim me sy këto qenie të bardha duke psherëtirë”.

Dritëro dhe Sadije Agolli i kalonin pushimet çdo verë në Pogradec. Në një prej atyre verave, prej andej, Agolli ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për “GSH” në kohët ku mendimi i tij ndërhynte për të qetësuar tensionet e Tiranës, që përvëlonte nga debatet politike.

Edhe këtë verë, po të qe gjallë, ai sërish do merrte udhën drejt liqenit. Atje i shkonte muajt e nxehtë që prej kohës kur kish qenë në muaj mjalti. I hipte një mall dhe e thërriste ai vend, Tushemishti, Pogradeci e zona përreth. Qe një histori, që pat nisur me fëmijërinë e tij, i pëlqente Lasgushi, i pëlqente shumë Mitrush Kuteli. “Më dha im atë një torbë me fasule dhe e kam blerë librin kështu me fasule. Domethënë ishte si një gjellë. Pra, lidhjet e mia janë të hershme me Pogradecin. Unë atë kohë i mësoja përmendësh vjershat e Lasgushit si fjala vjen ‘Ikja e shtërgu’t”, pat rrëfyer ai.

Në një letër të fundit “dërguar” së shoqes, me një shkrim gjithnjë e më të pjerrët, ai i premton Sadijes Pogradecin e liqenin.

E bija e çiftit ka publikuar imazhet e dy letrave ku Dritëroi shkroi premtimin e pambajtur, pushimet e fundit.

Shkrimi e tradhton, ashtu si dridhja e dorës, shkronjat tkurren e kërcejnë mbi dy fletë të bardha. Sigurisë së kahershme ia zë vendin pesha e stilolapsit, që puthitet fort pas fletës. Një siguri që s’mundi të mbërrinte deri në verë.

“Në verë do të shkojmë në një hotel buzë liqenit. Atje do të ndjekim me sy pulëbardhat që shpërndahen e bashkohen mbi cipën e kaltër, duke formuar një lule të bardhë të madhe, që zhduket e shfaqet, që shpërbëhet dhe bëhet përsëri mes thirrjesh të sinqerta gëzimi”, shkruhet në letrën lënë së shoqes nga Dritëroi, që u nda nga jeta në shkurt të këtij viti në moshën 85-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Agolli luftoi për ditë të tëra në Sanatorium, derisa iu dorëzua përtejtësisë, duke lënë pas disa vepra dhe një mal me letra, si kjo, që shkëpusim më poshtë, ku parasysh kishte imazhin e tij me bashkëshorten duke parë pulëbardhat në bregun e Liqenit të Pogradecit.

“Ne, dy pleq të ulur në ballkon, do t’i ndjekim me sy këto qenie të bardha duke psherëtirë. Pak kohë na ka mbetur, ta soditim këtë mrekulli! Mbase do të jetë hera e fundit… Dritëro”, shënon ai në fund të letrës.

Pogradeci qe qyteti i tij gjatë verës. Atje, vapa nuk ndihej dhe i priste miqtë me një gotë raki rrushi në dorë e një cigare mënjanë. “

Unë e dua shumë Pogradecin! Pogradeci bashkë me liqenin e tij është një nga mrekullitë e vendit tonë, ku njerëzit gjejnë një prehje të plotë jo vetëm inaktive, prehje vetëm për t’u çlodhur, por edhe një prehje tjetër që aktivizon imagjinatën, frymëzimin, aktivizon një dashuri të pakufishme për vendin, për njerëzit, për vetë jetën, madje për të ardhmen. Është një vend me ujë, me lule, me zogj, që siç thosh Lasgush Poradeci, veçanërisht kur vjen mbrëmja…”, thoshte ai.GSH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *