Libri më i ri i publicistit Mustafa Nano u promovua sot në UET. Në libër trajtohet teza e nacionalizmit shqiptar dhe raportet me fqinjët në të gjitha kohërat. Publicisti Mustafa Nano tenton të futet në fushën e historisë dhe albanologjisë me librin e fundit të botuar me UET-Press, ku autori rikthehet pas disa botimeve të mëparshme. Libri me titull provokues dhe me teza po aq provokuese analizon marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët sllavë dhe grekë dhe ngre një dilemë shekspiriane “A është mirë me qenë shqiptar?” duke luajtur me ndjenjën nacionaliste.
Libri volumizon ka shumë citime nga albanologë, udhëtarë e historianë të huaj që kanë shkruar për shqiptarët, por provokimi më i madh vjen me tentativën për rrëzuar mitin e “shqiptarit të mirë” e “fqinjëve të këqinj”.
Parathënia e librit është shkruar nga historiani Pëllumb Xhufi, i cili tha se ky libër është një tentativë për të kuptuar çështjen e ndarjes së shqiptarëve mes veti dhe me fqinjët duke analizuar marrëdhëniet me fqinjët në të gjitha momentet e historisë.
Botuesi Henri Çili vlerësoi se ky libër ka potencialin për të provokuar intelektualisht një mendje kurioze dhe për të hapur debat.
“Mustafa Nano e lëvron publicistëkën prej vitesh, u bënë gjashtë ose shtatë libra tashmë, në kufijtë midis publicistikës, intelektuales dhe letrares. Ky miks që është dhe ky libër, që trajton rrëzime, ose konfirmime, ose të paktën pikëpyetje të miteve tona historike, është për mendimin tim një qëllim i përmbushur. Tani ne jemi në një universitet dhe kemi një kontradiksion sepse do t’i jepnim përparësi shkencëtarëve, ose vetëm shkencëtarëve. Nuk është kështu. Autorë si Mustafa Nano na ndihmojnë në qëllimet tona akademike sepse minimalisht na shërbejnë për një provokim intelektual. Më tej se kaq, studiues, grupe pune, grupe kërkimore, doktoratura, monografi, mund t’i çojnë përpara këto revizonime historike”- theksoi Çili.
Vetë autori duke shpjeguar pse ka zgjedhur këtë titull sqaroi se “unë në këtë libër merrem me një sandwich historik, grekët, shqiptarët, sllavët, dhe fakti që shqiptarët janë në mes të sandwich-it ka krijuar në vijimësi asosacionin e viktimës, e dobësisë, e vuajtjes”.
Por Nano e vë në pikpyetje këtë asosacion të viktimës.
“Ka një opinion mainstream që ne shqiptarët këtu në Ballkan jemi gjëja më e mirë, ne jemi “the good guys” , kurse fqinjët tanë janë të ligjtë, “the bad guys”. Ne themi që jemi të pafat sepse pikërisht fati ka dashur që të kemi për fshqinj, ca fshqinj që janë shumë të këqinj në raport me ne. Kjo është një tezë që ha shumë diskutim”- u shpreh ai gjatë promovimit të librit.
Historiani Pëllumb Xhufi e vlerësoi librin për gjuhën e kuptueshme me të cilën sjell tek lexuesi historinë dhe albanologjinë, dy fusha ku lëvrojnë kryesisht ekspertët.
“Dhe ky libër do thoja është gjithcka, është një hyrje në gjuhësi, në histori, në kulturë, unë do thoja më së shumti në antropologji. Këtu gjen vërtetë tentativa shumë interesante për të shpjeguar shqiptarët nëpërmjet zakoneve të tyre, veshjeve, kulturës në përgjithësi, institucioneve të tyre juridike, tradicionale, moderne etj. Nuk sjell vetëm si të thuash të gjitha ca janë teori, ca janë teza që janë hedhur prej shekujsh për shqiptarët dhe i sjell do thoja, në një mënyrë të kuptueshme, dhe kjo është një meritë e madhe e Mucit sepse si të thuash ato arritjet e shkencës nuk arrijnë të kapin ndonjëherë publikun e gjërë, atë të interesuar sigurisht”.
Duke komentuar tezën kryesore të librit mbi marrëdhënien tonë me fqinjët, Xhufi thekson se “Ideja e Nano që është shumë interesante është që realisht marrëdheniet tona me fqinjët nuk kanë qenë aq skandaloze sa duket ndonjëherë nga këto zhvillimet tona moderne, por kanë qënë disa faktorë, si p.sh mitologjitë që kanë ngritur popujt e ndryshëm. Muci është kritik në rradhë të parë me ne shqiptarët pastaj me serbët dhe me grekët”.