William Shakespeare
Pse ta nderoj pushtetin përunjësisht,
Me sy të përvuajtur adhurimi,
Më mirë të ardhmen ndërtoj përjetsisht,
Që më gjatë s’jeton se shkatërrimi?
Mban mend ca, nga pushteti përfituan
Por nderin humbën dhe paguan shtrenjtë,
Si lapangjozë, të drejtën harruan,
Për t’ardhur keq, si rrogtarë të shkretë!?
Në zemrën tënde të rroj, me përkushtim,
Ta dish, me gjithë shpirt të jam blatuar,
E vogël si dhuratë, por s’ka mashtrim,
Unë të jepem ty dhe ti jepmu mua.
Ti, spiun i ndyrë, hap veshët mirë!
Nuk ke se ç’i bën një shpirti të dlirë.
© shkëputur nga libri im me sonetet e plota të Shekspirit “Sonete, W. Shakespeare”, shtëpia botuese ADA, Tiranë, 2016