Kur edhe Presidenti i tretë në 10 vjet Shtet Demokratik për të disatën herë rresht ia dha titullin e lartë Mjeshtër i Madh një intelektuali i cili vdiq pas pak ditësh sepse gjendej prej kohësh buzë varri, (dy herë, bile, pat ndodhur që i saponderuari me titull të kish vdekur teksa këshilltari presidencial që merrej me ceremonialin [dhe doli, gjë që u etiketua direkt si tersllëk, që kishim të bënim me të njëjtin person, të pahequr nga detyra edhe kur ndërrohej stafi i Presidentit të kaluar me atë të radhës] ishte duke shkuar drejt banesës për të dorëzuar titullin – as që bëhej fjalë që ndonjëri prej fituesve të kish forca ta tërhiqte vetë në Presidencë, me një ceremoni të vogël – ) titulli në fjalë u shpall i mallkuar nga Shoqëria Civile dhe, me një letër të hapur, iu kërkua Presidentit të nxirrte një dekret ku, si të themi, ta ngrinte dhënien e këtij titulli prestigjioz për të paktën 5 vjet, sa të trokisnin në derë kohë më të mira, gjë që Ai nuk e pranoi dhe gjithë opinioni i specializuar s’bënte tjetër po priste kush do të ish viktima e radhës kur, plot 9 muaj pas dhënies së titullit të fundit vdekjeprurës, titulli i lartë Mjeshtër i Madh u rishpall, për një intelektual vërtet të shquar, i cili çudi si s’kish qenë kandidat më parë (siç thoshin gojët e liga, ngaqë Presidenti priste që shëndeti i tij të përkeqësohej rëndshëm) dhe, çka i befasoi të gjithë, ky na gëzokësh një shëndet aq të mirë, sa ish parë mëngjesin e ditës kur u shpall fitues të blente personalisht bukën në tregun poshtë shtëpisë, kështu që të gjithë psherëtinë të lehtësuar se, më në fund, syri i lig i ishte shlyer titullit, teksa këmbëlehtë këshilltari presidencial për ceremonialin u nis, jo më me dekoratë në dorë, por thjesht i dërguar nga Presidenti për përgëzimet e rastit dhe për të fiksuar datën e ceremonisë, kur ndodhi e pabëra: t’i biem shkurt, i saponderuari me titull vdiq në vend si rezultat i një infarkti masiv.
Ne, që e ndoqëm shtypin periodik në javët në vazhdim, nuk na kujtohet që gazetat, qoftë të njërit apo tjetrit kah të spektrit politik, të kenë shkruar për gjë tjetër përpos kësaj bëme, e cilësuar e tillë edhe për faktin se kësaj radhe titulli nuk arriti t’i jepej intelektualit të shquar as në cilësinë e moribondit. Polemika pro apo kundra dhënies së mëtejshme të titullit vazhdoi gjatë gjithë verës, polemikë ku pati edhe ndërmjetësira, si ajo e disa OJQ-ve të përfaqësisë së Shoqërisë Civile, të cilat propozuan, për shembull, për të ulur tonet dhe me shumë zgjuarsi, që këtej e tutje çmimi në fjalë të jepej ekskluzivisht in memoriam, domethënë pas vdekjes, gjë që, drejt ta themi, de facto kishte ndodhur. Stuhia e vërtetë (mund ta përdorim pa droje këtë term) shpërtheu kur Presidenti, me një kokëfortësi të pashfaqur më parë, këmbënguli në mbajtjen e të njëjtit këshilltar presidencial edhe pas bëmës së fundit dhe, më e bukura, gjashtë muaj pas thagmës së sapopërshkruar, shpalli sërish dekretimin e titullit
38
Mjeshtër i Madh kësaj radhe as më shumë e as më pak por për njërin nga paraardhësit e tij si President Republike i cili, ndoshta i frikësuar nga reputacioni i keq i titullit, apo ngaqë dinte shumë më tepër detaje për prapaskenat që e shoqëronin, i mbrojtur edhe nga imuniteti si ish- President e refuzoi atë menjëherë dhe publikisht, duke çuar të tillë re pluhuri aluzionesh e fjalësh ndërdyshazi saqë një fushatë e vërtetë anti-titull u ngrit në tërë vendin, prirë nga një grup intelektualësh të shquar, sipas sondazheve kandidatët më të mundshëm për titullin në fjalë në 20 vjetët e ardhshëm, e cila kulmoi me një grevë urie masive të të gjithë këtyre intelektualëve.
Si pasojë e grevës tre prej tyre vdiqën. Titulli u pezullua.
(Sjellë nga Beti Njuma)