Adonis, një takim i rastësishëm
Nga Luan Rama
Ai ishte rrethuar mes poetësh, Pierre Morris, Serge Pey, Laure Cambau, Luc Vidal, një poet amerikan e plot të tjerë, ashtu me trupin e tij të vogël dhe shallin e kuq që i varej gjer tek gjunjët, me mirësinë e tij proverbiale. Ishte poeti Adonis, në « Marché de la Poésie », në veprimtarinë e madhe poetike ku pikëtakohen poetët dhe botuesit e tyre, ku lexohen poezi në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, ku poezia tingëllon bukur në sheshin Saint-Sulpice, në oborrin e asaj kishe ku fëmija Charles Baudelaire do të pagëzohej në praninë e prindërve të tij. Simbolika është e veçantë për një vend si ky dhe biseda me Adonis, atje ku unë prezantoj librin tim « Territoret e shpirtit » është tejet e këndshme, sikur të njiheshim prej vitesh. Merr librin tim, më përgëzon dhe shpreh gëzimin që poezitë e tij janë përkthyer tashmë dhe në shqip, përkthyer nga Visar Zhiti. Para dy vjetësh kisha përkthyer një cikël të poezive të tij dhe ai habitet që poezia e tij është kaq e pëlqyer në Shqipëri. Ka dëshirë të vijë, dhe padyshim, shpejt do të vijë, edhe pse atë e kërkojnë nëpër veprimtari poetike në të gjithë botën. Pastaj ai më fton në darkë me poetin tjetër Serge Pey, një poet mjaft i njohur francez dhe mik i vjetër i tij, me gruan e tij Chiara, një sardenjase, plasticiene dhe videoaste, me piktorin dhe skulptorin sirian Kazem, i cili do të na dhurojë gjatë asaj darke nga një vizatim të bërë në çast. Mbrëmja është nga më të këndshmet, pasi në të pihet verë e kuqe dhe flitet për poezinë dhe dashurinë, për aventurat e tyre rinore dhe historinë e një gruaje me mustaqe që çuditërisht kishte dalë biseksuale. Serge kujton udhëtimin e tyre në Mont Segur, në malet e vendit të katarëve përtej Carcassone-s dhe atë ditë kur me kostumin e tij blu, Adonis ngjitej drejt malit me borë në kujtim të katarëve të zhdukur nga katolikët francezë. Dhe përshkrimi i tij është një poezi më vete, pasi ai flet për një ëngjëll që ngjitej drejt malit. Dhe vonë, kur rrugët boshatisen ngadalë, ne dalim nga restoranti « L’Acropole » në Rue de l’Ecole de la Médicine për tu takuar sërrish të nesërmen. Kthehesha në shtëpi në krahët e poezisë, duke kujtuar vargjet e Adonis dhe atë ç’kisha shkruar për të…
Adonis, poet i mërgimeve
Nobelisti i ardhshëm!
Shumica e kritikëve dhe letrarëve të botës mendonin para disa kohêsh se Nobeli i rradhës do të ishte poeti siriano-libanez, Adonis. Por nga sa pamë, ai do të jetë me sa duket Nobeli i ardhshëm i letërsisë. Dhe Adonis e meriton një «palmë» të tillë: si poet dhe si një qytetar i botës arabe dhe universale njëkohësisht. Pasi Adonis nuk është vetëm poet i Sirisë, ku u përkund gjer në rininë e hershme të tij, as libanez, ku i bë shtatas i tij dhe përjetoi luftrat civile, të cilat e detyruan të mërgojë sërrish dhe të vendoset në Francë. Adonis është poet i botës, një poet i shtegtimeve dhe i shumë horizonteve, i dramës njerëzore dhe i dashurisë, një poet i brengave të mëdha dhe i mërgimeve të dhimbshme që lënë gjurmë të pashlyeshme, nga ku lindin vaje. Poet që na kujton Nerudën, Lorkën apo Ricosin. Kur lindi në Kasabine, pranë Latakies në agun e parë të janarit të vitit 1930, ai quhej Ali Ahmad Said. Që fëmijë punoi tokën si një bujk i vërtetë dhe në tokën që shkeli këmbëzbathur ai thurri vargjet e para. Kështu ai u lidh pas poezisë dhe deshi të bashkohej me bardët dhe poetët e kombit të vet. Studjoi në një lice francez dhe meqë poezitë e tij nuk i botonin revistat e kohës, ai vendosi ta quajë veten Adonis, duke na kujtuar kështu mitologjinë greke. Rastësisht ai kishte lexuar diku legjendën mitike të Adonisit të dashuruar pas Afërditës, por që më së fundi, derrat e egër e coptuan atë. Mallkimi do ta ndiqte dhe atë, pasi poeti i ri do të burgosej shpejt nga Partia Nacionaliste në fuqi që kërkonte një Siri të madhe. Pas një viti burg, ai mundi të largohej drejt Libanit, duke krijuar atje revistat e para letrare dhe duke iu kushtuar poezisë. Tashmë ai përkthente nga frëngjishtja në arabisht poezitë e Baudelaire, St. J. Perse, Henri Michaux, etj. Nga vëllimet e para poetike Toka tha, Gjethe në erë, ai botoi Këngët e Mihyar dhe Damascene, duke vazhduar me Kujtesa e erës, Kënga e qyteteve apo Pylli i dashurisë brënda nesh, të botuara në shumë gjuhë të botës. Mërgimi ishte përvoja e tij jetësore dhe ai e vazhdoi atë në tokën e fjalëve, duke u bërë përcjellës i kulturave dhe një mesazher i poezisë dhe duke shkruar se «Poezia e bën jetën mbi tokë më të bukur, më pak efemere, më pak e mjerë. Ndërsa lufta e çon njeriun mbrapa, drejt barbarisë dhe fundit të njerëzimit». Dhe këtë luftë ai e pa në Bejrutin e djegur dhe të copëtuar, e pa në Ballkan apo në Lindjen e Mesme, Irak e Afganistan, e shikon sot në vëndin e tij të origjinës, Siri, ku bashkë me lirinë vritet dhe fjala e poezia e lirisë. Dhe poeti nuk nguron të godasë përmes fjalës së tij, përmes poezive të tij. «Njeriu është në qëndër të universit dhe jo Zoti!» – deklaron ai, duke shtuar se «shamia në kokën e gruas nuk mbulon vetëm fytyrën por dhe trurin e saj». Ja pse shpesh poezitë dhe librat e tij janë ndaluar dhe çenzuruar në vëndet arabe, dhe vargjet për dashurinë dhe gruan, janë konsideruar si herezi. Vëllimi poetik Lutja dhe shpata është vizioni i tij për kulturën e lashtë arabe, duke u ngritur kundër vizionit kuranik dhe duke kërkuar riorganizimin e vlerave dhe të «cité»-së muslimane: «Jeta është viktima ime /dhe unë nuk di si të vdes/ koha më është fshehur/ është poshtë syve të mij…/
Por mbi të gjitha, tek ky poet dhe filozof, të cilit aq shumë i pëlqen dhe bota pikturale, në krijimtarinë e tij, mbizotëron një lirizëm i thellë, një humanizëm i skajshëm dhe misteri i kujtesës, pasi siç shkruan ai diku «era ka kujtesë», meqë dhe jeta e tij personale është ngjizur nga malli, nostalgjia dhe mungesa, duke e detyruar të shtegtojë gjithnjë larg dhe ta rrahin erërat e furtunat. Malli është mungesë dhe aty siç duket kujtesa merr të tjera vlera dhe kthehet në buronjë poetike.