Industria Kinematografike, vetëm një tjetër pengesë për Netflix?
Nga Bjorn Runa
Kohët po ndryshojnë dhe në ditët e sotme, ritmi duket tmerrësisht i shpejtë. Aq sa, mund të thuash se një ditë nuk ka më 24 orë, apo një muaj 31 ditë. Por, bashkë me ndryshimet e pandalshme, kemi parë të humbasin shumë gjëra, të cilat ndoshta një dekadë më parë mendoheshin pjesë thelbësore e jetës dhe të pamundura për t’u zhdukur. Megjithatë, ja ku jemi. Shumë profesione janë zhdukur dhe janë zëvendësuar nga të tjera, pamë vdekjen e telefonit si një mjet i thjeshtë komunikimi dhe lindjen e telefonëve të zgjuar, prej të cilëve në fare pak kohë, kemi nisur të ndihemi të shqetësuar. Pamë vdekjen e ngadaltë dhe të dhimbshme të televizionit, ndërsa zëvendësohej nga shërbimet streaming, aq sa ekrani i sheshtë giigand në dhomën e ndenjies i ngjan më tepër një fosili të pluhurosur se sa një prej arritjeve teknologjike më të mëdha të njerëzimit. Një rol të rëndësishëm në këtë lujati sigurisht “Netflix,” shërbimi më popullor dhe më i përhapur i streaming, që tashmë duket se ia ka vënë syrin kinemasë (si industri dhe jo si formë arti), për të qenë viktima e radhës.
Kompania që nisi thjesht si një shërbim i shpërndarjes së DVD-ve nëpërmjet postës dhe brenda pak vitesh u kthye në një gjigand mediatik, që sfidoi dhe mposhti emrat më të mëdhenj të televizionit, që prej kohësh kontrollinin se çfarë i jepej publikut, tanimë jo vetëm prodhon material origjinal televiziv (seriale dhe filma televizive), por është duke sjellë projekte, që po kërcënojnë seriozisht “Hollywood-in” dhe çdo industri kinematografike.
Gjithçka kulmoi në Kanë
Një nga festivalet më prestigjioze të filmit, që mbahet nga data 17-28 Maj, është një dritare mundësie për prodhimet e vogla dhe me më pak buxhet, por mjaft kreative, që të shfaqen përkrah disa prej titujve më të njohur të vitit në Industri.
Por, gjërat dolën disi jashtë parashikimit kur, gjatë njërës prej mbrëmjeve u shfaqën filmat “Okja,” i regjisorit koreano-jugor Bong Joon Ho dhe “The Meyerowitz Stories,” i regjisorit Noah Baumbach, të cilët janë prodhime origjinale të Netflix.
Sapo në ekran u shfaq logoja e “Netflix,” salla u përfshi nga një sërë pasthirrmash, por më pas u mësua se kjo ndodhi edhe për shkak të një gabimi në projektim gjatë shfaqjes së “Okja.”
Megjithatë, kjo nuk e zbeh konfliktin që ekziston mes gjigandit të streaming dhe Netflix. Aq sa, presidenti i jurisë së festivalit, Pedro Almodovar deklaroi se vitin tjetër nuk do të lejohet pjesëmarrja e filmave, të cilët nuk do të transmetohen paraprakisht në kinematë franceze. Një sulm ky, që kërkon të prekë drejtpërdrejtë “Netflix.”
“Kjo nuk do të thotë se unë nuk jam i hapur,” tha Almodovar, “apo se nuk i pranoj mundësitë që teknologjitë e reja na ofrojnë. Por, për sa kohë të jem gjallë, për të vetmen gjë, që gjenerata e re duket se nuk e kupton: kapacitetin hipnotizues, që ekrani i madh ka për shikuesit.”
A është vërtetë Netflix duke e vrarë Kinemanë?
Numri i frekuentuesve të kinemasë në SHBA në vitin 2014 pësoi një rënie të menjëhershme me 5.1%, sipas “New Data” . Por, kjo nuk mund të ketë qenë kurrsesi thjesht pjesë e ritmit të industrisë. Të paktën, jo kur bëhet fjalë për frekuentimin më të ulët, qysh nga viti 1995. Ndërkaq, koha që një i rritur amerikan shpenzon në smartfonin e tij, ka arritur në dy orë (ose më tepër) në ditë. Qartësisht, këto 120, apo 150 minuta janë duke dëmtuar një ose disa opsione të tjera argëtimi. Por, a mund të hidhet faji thjesht tek “Netflix?”
Nga viti 2014 e derimë tani, kur ka qenë hera e fundit që keni dëgjuar për një prodhim origjinal të Hollywood-it, i cili të mos ketë qenë pjesë e një zinxhiri filmash pasardhës, një film me superheronj, apo zombie? Ndoshta, zombie-t mund t’i përjashtojmë, pasi këto dy vitet e fundit duket se nuk janë më një trend. Por, pyetjes sërish nuk mund t’i jepni një përgjigje. Sigurisht, ka patur disa filma origjinalë, por asnjë prej tyre nuk ka qenë një titull i rëndësishëm. Mund të përmendet “La La Land,” por të gjithë e pamë se për çfarë historie bëhej fjalë dhe se si shkuan gjërat.
Ndërkaq, nga ana tjetër “Netflix” nuk ka sjellë thuajse asnjë prodhim origjinal kinematografik, që të jetë pjesë e një zinxhiri filmash pasardhës. Duke vënë përballë sistemin e vjetëruar të Hollywood dhe frikën e tyre për të eksperimentuar me prodhime që dalin jashtë kornizave të tyre dhe guximin e xhepat e thellë të “Netflix,” si edhe numrin e shikuesve që ofron, sigurisht që ai do të jetë padyshim e ardhmja e Kinemasë. Ndoshta, pas pesë vitesh askush nuk do të thotë më “Do të shkoj të shoh një film në kinema.” Ashtu siç sot, thuajse askush nuk thotë se është duke parë TV.
“War Machine” dhe “Irishman”
Dy ditë më parë, Netfilx publikoi prodhimin më të ri, “War Machine,” të regjisorit David Michod dhe me emra të tillë si Brad Pitt dhe Ben Kingsley. Një satirë për luftën në Afganistan, prodhim që ka kushtuar rreth $60 Milionë, filmi është ndoshta përpjekja e parë e madhe e “Netflix” në luftën me industrinë kinematografike dhe ekranin e madh. Ndonëse filmi u shfaq edhe në disa kinema, për të mos humbur mundësinë e garimit për çmime, premierën e pati natyrisht në ekranët e lap-top-ëve dhe smartphone-eve në të gjithë botën.
Megjithatë, të hedhësh Brad Pitt në një produksion, nuk do të thotë aspak sukses i garantuar. Koncepti i filmit është interesant dhe historia është e shkruar mjaft mirë, por mund të thuhet se ka një mungesë vizioni në të. Por, hej, është thjesht hapi i parë. Një hap i vogël për një kompani si “Netflix,” por një hap i madh në betejën midis ekraneve të smartphone-eve me ato të kinemasë.
Nga ana tjetër, “Irishman” premton shumë më tepër. Një regjisor si Martin Scorcese, që bën bashkë sërish Robert Deniro-n, Al Pacino-n dhe Joe Pesci-n në një thriller për krimin dhe mafian, bëri mjaft bujë kur u pranua nga “Netflix,” pak muaj më parë, pasi “Paramount” vendosi të hiqte dorë. Arsyeja? Buxheti prej $100 Milionë dhe dështimi në shitje i “Silence,” projektit passion të regjisorit Scorcese.
Në fund…
Ndonëse është vështirë të thuhet se kush do ta fitojë luftën midis Kinemasë dhe shërbimeve streaming, të personifikuara tashme me “Netflix,” këta të fundit nuk mund të akuzohen si vrasës të kinemasë.
Në fakt, janë vetë studiot ato që prej kohësh tashmë, kanë nisur procesin e gjatë të mbytjes së saj. Çfarë do të ndodhë pas dy apo tri vitesh, kur “Spiderman,” apo “Avengers” të shkojnë drejt mbylljes së historive të tyre? Hollywood nuk duket se ka ndonjë histori tjetër të guximshme për të treguar, apo për të cilën të pranojë të shpenzojë mjaftueshëm para.
Ndërkaq, xhepat e “Netflix” nga ana tjetër duket se janë ende mjaft të thellë dhe guximi i tyre ende i paprekur, pavarësisht dështimeve që nuk kanë munguar as në anën e tyre.