“Ylber hëne”, romani i Emmanuelle Pagano, përkthyer nga Edmond Tupja është një roman jashtëzakonisht prekës dhe emocionues mbi kujtesën, dhimbjen dhe dashurinë.
Emmanuelle Pagano (1969) është shkrimtare franceze. Ajo ka shkruar një sërë librash, midis të cilëve edhe disa romane. Ka fituar çmimin Europian të Letërsisë për romanin e saj “Ylber hëne”, i cili është edhe i pari që botohet në shqip.
ROMANI
Adela është shoferja e autobusit të shkollës; çdo ditë ajo sfidon pllajën e lartë malore duke shoqëruar në shkollë disa fëmijë që jetojnë në shtëpi të izoluara. Shtëpi që ngjajnë me “fermën e fundit”, ku ajo është rritur, e që një liqen artificial e ka fshirë nga faqja e dheut së bashku me fëmijërinë e saj. Atëherë, Adela ishte një djalë i vogël ose më saktë “një vajzë në trupin e një djali”. Kur u kthye në qytezë, pas operacionit të saj, askush nuk e njohu. Njerëzit e mirëpritën dhe i dhanë punë. Ajo tashmë punon si shoferja e autobusit të shkollës, merr e çon rreth dhjetë fëmijë e adoleshentë, disa vëllezër e motra, historitë e të cilëve përzihen me të sajën.
Vajzat e reja që ajo shoqëron me autobus janë një pasqyrë e dhimbshme: njëra ngjason shumë me adoleshenten që Adela do të kishte dashur të ishte, gazmore, sensuale, e dashuruar; një tjetër është një motër e madhe, shumë e kujdesshme ndaj vëllait të vogël. Adela nuk ka qenë kurrë motra e madhe. Akseli, vëllai i vogël, nuk e kupton. U bënë dhjetë vjet që ai nuk pranon ta takojë e as t’i flasë, derisa një aksident në punë e detyron të shtrohet në spital. Bashkë me dorën, edhe diçka tjetër brenda tij është thyer e dialogu mes tyre nis sërish.
Ky roman është analizuar edhe nga akademikë të ndryshëm ndërkombëtarë, që studiojnë përfaqësimet e transgjinorëve në kulturë. Ai është fitues i Çmimit Europian të Letërsisë (2009), i çmimit Télérama/France Culture, i Çmimit Lavinal të Pranverës së Lexuesve, i Çmimit të Librarëve Francezë, i çmimit Marguerite Audoux, i çmimit Rosine Perrier e të tjerë.
Kritika
Me “Ylber hëne”, Emmanuelle Pagano rrëshqet brenda gjarpërimeve të jetës familjare, fshikullimave sentimentale, dhe zbulon duelin e përjetshëm midis dashurisë absolute dhe keqkuptimeve. Télérama
Një trup i vetëm për disa jetë… Pamjaftueshmëria e mbështjellës trupore rrëfehet si një dëshmi përvëluese. Le Temps
Autorja ngre pyetje mbi vëllezërit dhe vëllazërinë, mbi dashurinë dhe gënjeshtrën, mbi jetën që na ikën dhe të rinjtë që janë plot jetë. Rrëfen për trupat që ndryshojnë, stinët që kalojnë dhe kujtesën që nuk shuhet kurrë. Ky roman i ndjeshëm dhe delikat gjen një epilog domethënës në një skenë mallëngjyese… Livre et Lire
Fragment nga libri
Unë e dija çfarë më priste kur vija në shtëpi, por s’prishte punë, isha aq
mirë,thuajse e lumtur. Kurat me hormone, të lodhshme por të dobishme, më kthenin trupin tim përmes një shkrirjeje muskujsh të shkallëshkallshme që e vlerësoja para pasqyrës së madhe të korridorit. Ato ma kthenin atë trup, pikërisht atë trup për të cilin më kishte marrë aq shumë malli, saqë ndieja një dhimbje të gëzueshme midis këmbëve, te shpatullat pa mish (shtrembërohesha për t’i parë se si më në fund u dukeshin kockat), midis gjinjve të mi fillestarë. Im vëlla e shtynte me vrazhdësi atë trup femre….