BASHKËPUNIMI ME PIKTORIN IBRAHIM KODRA
Pjesë nga libri “Kujtime 1939-1944” nga Mustafa Greblleshi.
Në faqen e tretë të gazetës Tomori, redaktor i së cilës ishte shoku im Nexhat Hakiu, kisha botuar një tregim të përkthyer nga italishtja dhe frëngjishtja. Një ditë më thirri në zyrën e tij kryeredaktori i gazetës, kritiku i njohur Vangjo Nirvana1, i cili dy vjet më vonë u mbyt në Adriatik. Duke më dhënë një vëllim të Pirandellos, më tha:
– Dua të krijoj një lëndë rezervë për faqen e tretë të gazetës. Prandaj, përkthe ato tregime që kam shënuar me laps të kuq dhe m’i dorëzo një e nga një. Gjej dhe një pik- tor për ilustrimet. Përkthimi i një tregimi paguhet dhjetë franga, ndërsa skicat shtatë franga.
Kritiku Vangjel Koça nuk e bëri këtë për të krijuar lëndë rezervë, por për të më ndihmuar mua materialisht. Sepse tregimet e Pirandellos që përktheva unë dhe që ilustroi pik- tori Ibrahim Kodra nuk u botuan në gazetë. Është për t’u habitur, se pas njëzet vjetëve, më 1962, tregimet e Pirandellos m’i dha për t’i përkthyer drejtori i Shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, poeti Drago Siliqi, i cili më ka dashur shumë dhe më ka përkrahur sa ka mundur.
Mora vëllimin me tregime dhe nxitova në kino “Nacional”, ku punonte shoku im Ibrahim Kodra, i cili bënte një pllakat për reklamimin e çdo filmi. Këtë pllakat e shëtiste një person i paguar nga Hysen Aga, pronari i kino “Nacionalit”.
Ibrahim Kodra, sot piktor shumë i njohur, i mbetur në mërgim, ishte një djalë shumë i mirë dhe me shumë talent. Temperament i heshtur dhe i mbyllur, por me një botë të pasur shpirtërore. Ai ishte gjithë ndjenja. E donte shumë letërsinë dhe pikërisht dashuria për letërsinë na kishte bërë shokë të mirë. Në atë kohë ishte shumë keq nga gjendja ekonomike. Megjithatë, e donte shumë jetën.
– Jeta nuk është aq e keqe sa mendohet, – më thoshte, – se po të ishte aq e keqe, nuk do të ishin aq të paktë ata që vrasin veten.
Ibrahimin e gjeta duke vizatuar me laps karboni një vajzë “liberale”, nga ato që shoqëroheshin shumë me ita- lianët. Vizatime të tilla i bënte rëndom në atë depo kine- maje, të cilën e quante “studio”. Ibrahimi nuk thoshte dot “jo”. Nuk ia prishte kurrkujt.
– Lëre atë punë, – i thashë, – se kam gjetur një punë më me leverdi dhe më me dinjitet.
Dhe i fola për marrëveshjen që kisha bërë me kryeredaktorin e gazetës. U gëzua shumë. Filluam menjëherë nga puna. Përktheja një tregim në ditë. Ibrahimi bënte skicat. Dorëzuam të parin. Kryeredaktori mbeti i kënaqur edhe nga përkthimi edhe nga skicat. Çdo ditë merrnim unë dhjetë franga dhe Ibrahimi shtatë franga. Dhe çdo mbrëmje shkonim në restorantin e Bim Kuranit “Pëllumbi i bardhë”, ku pinim nga një gotë birrë dhe hanim nga një panine me dy qofte. Ne shkonim te “Pëllumbi i bardhë” se aty mblidheshin të gjithë ata që merreshin me art dhe me gaze- tari. Bim Kurani porsa ishte kthyer nga Spanja, ku kishte luftuar në brigadat revolucionare, dhe ne habiteshim se si mund të tërhiqte zjarri i luftës një njeri si Bimi, që ishte aq i dhënë pas argëtimeve.
Mbas shumë vitesh, Ibrahim Kodra u bë në dhe të huaj piktor i njohur dhe i pasur. Kur hapi një ekspozitë në Paris, Picasso i vlerësoi shumë punimet e tij me këtë shprehje figurative: “Ky nuk është Ibrahim Kodra. Ky është Ibrahim Kobra”. Kur erdhi në Shqipëri si turist, kërkoi të takohej me mua, por për rrethana të ndryshme nuk u takuam dot. Në një bisedë intime me shokë të tij të vjetër piktorë, ai ishte shprehur kështu:
– Më ka rënë rasti të shijoj gjellët e restoranteve më të përmendura të Europës, por shijen e qofteve që kam ngrënë me Mustafa Greblleshin në restorantin “Pëllumbi i bardhë” nuk e kam ndeshur gjëkundi.
Qoftet te “Pëllumbi i bardhë” ishin me të vërtetë shumë të shijshme, sepse kuzhinieri i Bim Kuranit ishte artist në zanatin e tij. Por asokohe unë dhe piktori Ibrahim Kodra ishim gjysmë të uritur.
Nga piktori Ibrahim Kodra më ka mbetur një klishe. Është klisheja e një karikature me të cilën ilustroja artikujt e shkruar në dialekt të Tiranës, të nënshkruar me pseudonimin Liu i Cakut. Ky është i vetmi kujtim që më ka mbetur prej tij.