“Sonatë për gruan e një tjetri”

Romani më i ri në shqip i Henrik S.G. mban titullin “Sonatë për gruan e një tjetri”.

Në vazhdën e librave të tij, ai sjell një tjetër botë, një tjetër jetë, një tjetër histori që thuret tallazesh, dhimbjesh e pamundësish.
Chère madam De Laduset, ma chère Charlotte! Ju lutem, mos më gjykoni tani, jo tani me sedrën tuaj të lënduar! Lëreni kohën të rrjedhë dhe ndoshta, ndonjëherë, me shpirt të lehtësuar do të ndieni pak keqardhje për mua. Në degëzimet e pemës sime gjenealogjike, kam zbuluar se jo një herë burrat paskan qenë marrosur nga dashuria për gruan e një tjetri. Por askush prej tyre nuk qenka vetëvrarë, nuk paska qenë në kulturën e stërgjyshërve të mi Le Suicide! Edhe mund ta kisha ndryshuar rrjedhën e historisë së familjes sime. E pata menduar edhe këtë mundësi, atëherë kur më ra rrufeja në kokë. Por as besimi prej katoliku nuk më vlejti për këtë rast. Nuk mund të prisja një shekull për t’u takuar në botën tjetër me gruan, pa siluetën e së cilës unë nuk jetoja dot as edhe një ditë. Dhe ky është mallkim, apo jo? Ne jemi burra të fuqishëm për të luftuar, për të bërë politikë, për të shtuar pasuritë e të parëve tanë. Por jemi aq të dobët para gruas që na pushton shpirtin… Lamtumirë!
Guyane, 8 janar 1985

Më herët për Henrik S.G. në shqip është shkruar se “ky njeri i cili bashkë me familjen, e kish kaluar jetën internimeve, kampeve famëkeqe e burgjeve, për mendimin tim, kish arritur të krijonte mrekullisht (jo thjesht, për shkak të fatkeqësisë së tij, vetjake), një nga veprat më perfekte, më tronditëse, më sinjifikative, të ushtrimit ekstrem të dhunës dhe poshtërimit human”.

Është nënvizuar se këtë e kish  kryer, me një forcë mahnitëse artistike e psikologjike, jo thjesht duke bërë autopsinë e fatit tragjik të një kombi e as të një epoke të caktuar, por duke hetuar me syrin e një vëzhguesi fantastik, të lindur të tillë, atë çka është për të, më esenciale: pikërisht, ekzistencën, transformimin, përçudnimin, fatin e individit, jo vetëm në hetuesi, burgje e kampe përqendrimi, por në universin totalitar në përgjithësi e, në subkoshiencën dhe sjelljen e tij, në veçanti.

I tillë ishte, romani i dytë i Henrik S.G, me titullin ‘Gjuetia e Pëllumbave’ (Ombra GVG – 2001), i cili përshkruan pikërisht, fatin tragjik të atyre që jetuan në Ferr.

 

Henrik S.G.
Sonatë për gruan e një tjetri
Roman
Nr. faqe: 236
ISBN 978-99943-0-495-0
Çmimi: 800 lekë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *