Të vërtetat universale të Niels Hav në poezinë Dita e Gjykimit

Dita e Gjykimit 

Natën, miu del nga vrima,
ulet në dritare
dhe kundron hënën

Sa për mua, unë jam bërë një gur
i zhveshur në erë

Titulli I fuqishëm “Dita e gjykimit”, afron në vatrën poetike besimtarët e tre religjioneve kryesore që bota njeh. Ajo është dita në të cilën njerëzit do të japin llogari përpara Zotit për çdo gjë që kanë vepruar gjatë jetës së tyre.

E ndërkohë që e lexon poezinë për të parën herë mendon se lidhja e saj me titullin është shumë e largët, madje në mend të sillet edhe mundësia që nuk ka asnjë lidhje. Por le t’i kthehemi poezisë të shikojmë se ç’na ka servirur. Menjëherë na ngacmon imazhi i dy ‘personazheve kryesore’ të poezisë; miu dhe uni i autorit I cili mbetet në diskutim është individual apo universal i shfaqur si ‘uni human’.

Përveç dy personazheve kryesore kemi dhe dy imazhe kryesore që qendërsohen e përplasen në të njejtën botë. Në pjesën e parë të poezisë shfaqet figura e qetë e miut i cili del nga vrima si çdo natë e kundron hënën. Simbolika e miut është e gjerë në kulturën lindore (kryesisht ajo kineze), por mendoj se më e gjerë është kjo simbolikë në vargjet e autorit danez Niels Hav.
Miu simbolizon vitalitetin e gjallërinë pasi është një krijesë me një aftësi të mahnitshme mbijetese dhe riprodhimi (ku një femër mund të lindë rreth 5000 të vegjël në vit) Gjithashtu simbolizon inteligjencën, turpin, vëmendjen, përshtatjen me ambjentin dhe fleksibilitetin (Madje mund të mos dëmtohet fare edhe nëse bie nga ndonjë lartësi.) Ndërsa hëna simbolizon të përshpirtshmen, diturinë, gjendjen e boshllëkut midis vetëdijes dhe pavetëdijes, ritmin, ecjen e kohës (ashtu si plotësimi i ciklit të saj), fillimin (shpresën) e fundin.

Le të shkojmë pak më larg se simbolika, drejt mesazhin universal që merr formë brenda trekëndëshit religjion-titull-imazh. Figura e miut paraqitet me shumë shpresë, vëzhguese e të vërtetës, dritës, hënës, dashurisë, përjetësisë e bukurisë. E ndërsa ai ulet i qetë e shikon kah drita, nuk i bën padrejtësi askujt. Me figurën e tij mund të personifikojmë të gjithë njerëzit e pafajshëm, të sinqertë, të thjeshtë, të dashur e me shpresë.

Këtë peizazh qe të wordpress kënaq syrin mundohet ta sfumojë imazhi vijues. / Sa për mua, unë jam bërë një gur i zhveshur në erë/ Është e njëjta botë me të njëjtën hënë që ndriçon, por personazhi nuk e vë re aspak. Madje atë e mundon diçka tjetër, era e cila arrin ta zhveshë. Këtu poezia arrin në kulmin e kritikës. Ky gur i zhveshur në erë është njeriu që dita ditës po shkatërron veten dhe po rrënon çdo virtyt e dashuri, çdo synim e shpresë.
Ne jemi të bërë gur nga mëkatet në zemrat tona që nuk ndiejnë më. Të bërë gur nga largimi I mëshirës e I buzëqeshjes në fytyrat tona. Të bërë gur nga fashitja e ëndrrës dhe e shpresës në sytë tanë. Të zhveshur në erë. Era simbolizon sprovat dhe sfidat e kësaj bote. Rrobat simbolizojnë moralin, parimet, idealin, qellimin, deshirën e vullnetin për të bërë mirë e ndërsa zhveshja tregon për zhdukjen e virtyteve në të njëzetenjëtin shekull që thekson edhe një here kritikën e fortë të Havit. Njëjtë si një gur i zhveshur në erë. Asgjë për të luftuar më.
E ndërsa miu ulet i qetë e shikon kah shpresës, i veshur, lëviz, jeton, gjallon e nuk bën padrejtësi, ne le të mundohemi të meditojmë sërisht titullin e kësaj poezie i cili na hedh me plot pasiguri drejt ndërgjegjes. Të pranojmë padrejtësinë tonë ndaj vetes në heshtje apo të ulemi diku ku era kthehet në një fllad e të kundrojmë hënën e të mbushemi me dritë?/ Nga Miri Çela

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *