Katër nivelet e leximit në poezinë “Ku po shkon me ato qese plastike” të poetit Niels Hav

NGA Xhesika LIKA

Ku po shkon me ato qese plastike?
1
Ai burrë me dy këmbë të çala
dhe disa copa palltosh të rreckosura
I ulur në një qoshe të stacionit të trenit
i palarë dhe i rrethuar nga neveria
si një duhmë e rëndë që i vjen era
edhe pesë blloqe larg.
Ai është një tundim i tmerrshëm
sa herë që kaloni aty: për t’i dhënë fund
kësaj jete rutinë si një rrumpallë,
për t’i hedhur çelësat dhe ulur pranë tij,
ndoshta kjo mund të festohet
si një kthim në dritën e shenjtë
që shkëlqen në kullotat e ëndrrave
dhe gurëve parahistorikë
të shtrirë thellë në fëmini
kur uleshit dhe vështronit njerëzit
që kalonin rrugës.
2
Kjo nëse kthimet në origjinë do të ekzistonin.
Por Gladstone Gander i ka spërkatur fushat
me helm dhe Donald Duck e nget traktorin e tij
rreth e përqark nën dritën toksike
ndërsa ia merr një kënge nga Gene Autry.
Nuk ka asgjë të shenjtë këtu
përveç parasë kesh, lakuriqësisë dhe kimisë.
Fushat me gurë parahistorikë janë plasur
me dinamit.
Ku po shkon kështu me ato qese plastike?

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)
Kjo poezi në vështrimin e parë nuk po përpiqet të na tregojë një ngjarje nga një jetë e zakonshme, por përpiqet të na flasë për atë çka po i bëjme kësaj bote. Në leximin sipërfaqësor ne kuptojmë një endacak te ulur në qoshe të stacionit të trenit, të rreckosur, të pisët, era e të cilit nuhatet që larg. Më pas ne shikojmë një kalimtar të thjeshtë, i cili është i lodhur nga rutina e jetës së përditshme dhe endacaku i duket si tundimi më i mire për ta harruar këtë botë dhe për t’u kthyer pas në kullotat e ëndrrave dhe në gurët parahistorikë, kur uleshin dhe vështronin njerëz qe kalonin rrugës. Por realiteti është krejt ndryshe nga origjinali. Realiteti është kthyer në një botë kartonash ku Gladstone Gander dhe Donald Duck i kanë spërkatur fushat me helm. Gurët parahistorikë janë shkatërruar me dinamit dhe ai s’po kuptohet çfarë ka më shenjtë kjo botë…Paraja, lakuriqësia, lëndët kimike, këto janë të shenjtat tani? Në fund poeti drejtohet me një pyetje retorike:”Ku po shkon kështu me ato qese plastike?” Është kjo një mënyrë të analizuari dhe të gjykuari të realitetit që të ndalim dhe të reflektojmë për atë që po bëjmë. Kjo poezi duket kaq indiferete ndaj jetës së re fallso, plastike, toksike, sepse po na zhduk nga gurët parahistorikë (tradita) dhe kullotat e ëndrrave të së shkuarës.
Leximi i dytë (leximi i teknikës)
Poezia paraqet dy rrafshe kohore, të tashmen dhe të shkuarën. Ne pjesën e parë shikohet se personazhi ynë është me këmbë në tokë në të tashmen, por mendja e tij është në të shkuarën. Atmosfera në fillim të pjesës së parë është shumë e trishtueshme. Më pas kjo atmosferë vjen e gjallërohet me nostalgjitë për të shkuarën. Në pjesën e dytë personazhi ynë kthehet në të tashmen dhe poezia mbështillet nga një atmosferë e tensionuar. Vargu i fundit i vendos vulën gjithçkaje, ku edhe vetë lexuesi tensionohet dhe bie në mendime, duke monologuar pyetjen retorike: “Ku po shkon kështu me ato qese plastike?”
Leximi i tretë (leximi i mendimit)
Kjo për mua është poezia e qartësisë për të tashmen dhe e evokimit për te shkuarën. Na lajmëron për botën plastike, fallso që po formohet me rutinën e saj të mërzitshme. Bota po shëndrrohet në një qese plastike ose në një botë kartonash. Dhe duhet vetëm një endacak për të na shkëputur nga kjo rutinë dhe për të na kthyer në të shkuarën e shenjtë. Në të shkuarën e gurëve parahistorikë, në kohërat kur ishim më pranë natyrës, më pranë së vërtetës dhe natyrales. Tani fushat e gurëve parahistorikë janë të plasura me dinamit. Njeriu bashkohor është i lodhur nga kjo botë që lufton për para, për lakuriqësine, për lëndët kimike. Është aq i lodhur, sa ndjenja e tij vjen si një shpërthim:”Ku po shkon kështu me ato qese plastike?”
Leximi i katërt (leximi i vetes time)
Burri këmbëçalë dhe i rreckosur qëndron në qoshe të stacionit i rrethuar nga neveria. Të ulem pranë tij më ndihmon të harroj këtë rutinë të mërzitshme dhe të kthehem në të shkuarën e kullotave të ëndrrave dhe të gurëve parahistorikë, ku qëndronim të ulur dhe shikonim njerëzit që kalonin rrugëve.Tani bota është kthyer në një botë kartonash ku njerëzit bëjne çfarë të duan me të. Kullotat e ëndrrave nuk janë më të shenjta.Të shenjtatani janë vetëm paratë kesh. Dinamiti e ka shkatërruar blerimin, ajrin, frymëmarrjen e lirë. Po ti ku po shkon me ato qese plastike? Reflekto! Kjo botë po humb në rrënime të përshkallëzuara. E bukura dhe shpirtërorja po shtegëtojnë drejt askundit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *