Sa prej jetës sonë nuk ka ndodhur fare? Një për qind? Dhjetë? Pesëdhjetë? Askush nuk e di. E vetmja gjë e sigurtë është që, nëse kujtimet do të ishin valutë, atëherë do të kishim gjithfarëlloj parash të rreme në qarkullim.
Gjatë shumë vitesh studiues nga një duzinë universitetesh amerikane kanë ekzaminuar mënyrën se si njerëzit i kanë kujtuar sulmet e 11 shtatorit në Qendrën Botërore të Tregtisë – një ditë që u ngulit në kujtimet e tyre, për shkak të rëndësisë së saj. Këto kujtime shumë emocionale janë karakteristike, për mënyrën se si ato vulosen në mendje si një fotografi.
Por saktësia fotografike e kujtimeve të tilla nuk shtrihej në detajet e ngjarjeve në fjalë: për habinë e ekspertëve, 40% e 2,100 pjesëmarrësve ndryshuan historinë e tyre me kalimin e kohës, kryesisht brenda vitit të parë të ngjarjes. Në vend se të kishin qenë në zyrë, disa thanë se ishin në rrugë dhe i panë sulmet të ndodhnin, me sytë e tyre – të tjerë thanë se e kishin marrë lajmin nga shokët papritmas, dhe jo duke e parë në televizion. Ata po mashtroheshin nga kujtimet e tyre: “Emocioni ju fokuson në disa detaje, por ju bën të injoroni të tjerët”, thotë psikologia e NYU Elizabeth Phelps. “Kjo gjë ju jep më shumë besim në kujtesën tuaj sesa në saktësinë. Zakonisht, kur një kujtim ka detaje mjaft të gjalla dhe ju jeni të sigurt në ato detaje, kjo do të thotë se ka të ngjarë që të keni të drejtë. Besimi shpesh ecën krah për krah me saktësinë. Por kur diçka është shumë emocionale, ata shpesh ndahen”.
Për më tepër, duke hedhur vështrimin pas në jetën tonë para moshës tre vjeçare, praktikisht ka vetëm kujtime të rreme. Pothuajse të gjitha ‘përvojat’ tona nga kjo periudhë janë ndërtuar nga historitë që na kanë thënë prindërit. Shumë njerëz pohojnë me hollësi se si kujtojnë skena të caktuara që nga fëmijëria e tyre e hershme, por në të vërtetë hipokampusi (qendra kryesore e kontrollit të kujtesës) nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të ruajtur kujtimet afatgjata në këtë moshë. Sidoqoftë, sa më shpesh që mami apo babi na tregojnë për rolin tonë në shfaqjen e shkollës, aq më shumë kufiri midis fakteve dhe realitetit të ngulitur bëhet i paqartë. Fantazia kthehet në realitet – të paktën në mënyrën se si e kishin përjetuar prindërit tanë. Por, ndërsa disa shembuj duken të padëmshëm, qoftë edhe një kujtim i rremë mund të rrezikojë me të vërtetë jetën … /bota.al