Pjeshka e karpuz, Edmond Tupja: Pse botova fjalor erotik frutash e lulesh

Fatmira NIKOLLI

Ky udhëtim është fantastik, sepse të rezervon surpriza, të zbavit e të dëbon stresin, një nga armiqtë kryesorë të erosit. Lexueset e lexuesit seriozë, pavarësisht moshës së tyre, duke u nisur nga vështrimi erotik ose, më saktë erotizues, që unë u propozoj t’u hedhin frutave, luleve e perimeve, bëjnë një lloj meditimi, pse jo, edhe një lloj katarsisi që, po e përsëris, i bëjnë më të mirë duke u neutralizuar, pjesërisht ose thuajse tërësisht, stresin e momentit, e vendit e të Kuvendit…” (Edmond Tupja, GSH, prill 2017)

Edmond Tupja boton me “Pegin” librin “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh”- lulet, frutat dhe perimet janë shkasi më i mirë për t’u thelluar në imagjinatën e përbashkët erotike të gjuhës dhe kombit shqiptar.

Profesori ka përfshirë në të lulet, frutat dhe perimet, duke u përpjekur, jo vetëm të vërë në dukje tiparet erotike të këtyre tri kategorive, por edhe të provojë se, nga ana fonetike, shpesh emrat e tyre shpalosin ose krijojnë një atmosferë erotike, për të cilën rrëfen edhe një ngjarje krejt të imagjinuar, por të përshtatshme vetëm për publikun shqiptar dhe për gjuhën shqipe.

“Pegi” shënon se përmes këtyre ngjarjeve, Tupja ka arritur të shpalosë disa shprehi apo gjeste të përhapura të kulturës sonë, i ka vendosur ato në kontekste sa erotike, po aq edhe gazmore apo satirike, duke paraqitur kështu një pjesë të rëndësishme e të lashtë, sa edhe të censuruar, në letrat shqiptare.

Profesor, përkthyes, publicist dhe shkrimtar shqiptar, ai ka botuar disa tituj me temë erotike, si p.sh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Vajzat e ballkonit”, “Fjalori erotik” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autori i veprave autobiografike si “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.

Në një intervistë të shkurtër për “GSH” ai flet për fjalorin e tij të fundit erotik.

 

Sigurisht që më ka ngacmuar zhargoni i të rinjve e i të rejave të sotme, fantazia e tyre, lirshmëria e tyre e të shprehurit pa komplekse; metaforat që ata përdorin për të shfaqur erotizmin e tyre janë jo rrallëherë befasuese. Përtej kësaj, kam dashur t’u them edhe të rriturve mirë, pse jo, edhe të moshuarve, se erosi është kudo e se duhet të mësohemi me praninë e tij jo vetëm në sferën e marrëdhënieve seksuale te njerëzit, kafshët e insektet, por edhe në atë që ka të bëjë me pllenimin e shumimin te pemët frutore, lulet e perimet.

– Gjatë procesit kërkimor për të përpiluar një listë të këtyre frutave e perimeve, çfarë keni zbuluar ju vetë, teksa kërkonit të përmblidhnit sa më shumë syresh?

Zbulova se shumë fruta, lule e perime kanë jo vetëm forma e ngjyra me doza erotizmi, por edhe emra të tillë (pjeshkë, banane, shalqi, karpuz, tulipan, kërpudhë etj., etj.).

– Jeni ndalur te pjeshkat e shalqinjtë, duke eksploruar fjalët, rrënjët e tyre, mandej nënkuptimet. Si është ky udhëtim mes frutash, lulesh e perimesh?

Ky udhëtim është fantastik sepse të rezervon surpriza, të zbavit e të dëbon stresin, një nga armiqtë kryesorë të erosit. Lexueset e lexuesit seriozë, pavarësisht moshës së tyre, duke u nisur nga vështrimi erotik ose, më saktë erotizues, që unë u propozoj t’u hedhin frutave, luleve e perimeve, bëjnë një lloj meditimi, pse jo, edhe një lloj katarsisi që, po e përsëris, i bëjnë më të mirë duke u neutralizuar, pjesërisht ose thuajse tërësisht, stresin e momentit, e vendit e të kuvendit…

– Ky fjalor, vjen pas atij erotik. A është një vijim i tij, a është kërkim i ri, a keni parë ju boshllëk mes të rriturve që pak dinë mbi kuptimin e atyre që thonë?

Sigurisht që ky fjalor vjen natyrshëm në vazhdën e “Fjalorit erotik të gjuhës shqipe” (me dy botime, “ORA”, Tiranë, 2004 dhe “EDFA”, Tiranë, 2010), pra i bën atij jehonë duke formuar me të një diptik të këndshëm. Ndoshta, në një të ardhme jo fort të largët, do të gjej një mënyrë që këtë diptik ta kthej në triptik.

-Kujt i drejtohet ky fjalor, të rinjve apo atyre që kanë njëfarë përvoje erotike?

Nga tërë librat e mi erotikë, ky është ai që u drejtohet të gjitha e të gjithë atyre që, të paktën, janë pjekur seksualisht. Përvoja ka treguar se leximi i tyre, siç më ka thënë një psikologe, i ka ndihmuar disa çifte t’i kapërcejnë problemet që kanë pasur në mirëmbajtjen e marrëdhënieve seksuale me njëri-tjetrin.

– Profesor, kur daton origjina e këtyre shprehive? Me gjithë namuzin e burrave dhe grave shqiptare, disa shprehi janë të hershme, e disa gjeste janë të përhapura në kulturën tonë…

Në fakt, nuk jam marrë me datimin e përdorimit, në këndvështrimin erotik, të fjalëve të këtij fjalori. Gjithsesi, me hamendje, mund të pohoj, për shembull, që kumbimi erotik i fjalëve shalqi, karpuz, trangull, arra, kumbull etj., është i hershëm, kurse ai i fjalëve tulipan, lulëgjake, herdhagjel, hoshaf, kafe etj., është më i vonë.

 

FRAGMENT LIBRI

Ndoshta sepse emri “pjeshkë” fillon me germën “p”, me të cilën fillon edhe emri vulgar që shënjon organin në fjalë? Ndoshta sepse pjeshka e ka lëkurën me push? Ndoshta sepse ajo është e butë përbrenda? Ndoshta sepse pjeshka çahje ndahet më dysh me një futje gishti te vendi i bishtit? Ndoshta sepse, pasi i hiqet po aq lehtësisht bërthama, gropëza që kjo lë është bojë vishnje si thellësitë e dëshirueshme të trupit femëror? Sidoqoftë, pavarësisht se cila mund të jetë përgjigjja më e saktë, kur të rinjtë shohin t’u kalojë pranë ndonjë vajzë e bukur, shtatderdhur dhe sexy, ata i thonë njëri-tjetrit, duke ulur zërin, por, nganjëherë, edhe duke e ngritur enkas, “Shih çfarë pjeshke!” ose “Hajde pjeshkë, hajde!”, dy shprehje këto ku fjala “pjeshkë” mund të interpretohet si një metaforë për personin femëror në tërësi, pra jo vetëm për organin e saj seksual, por, kur veshi të zë, në gojën e njërit prej djemve, shprehjen “Të hëngsha pjeshkën!”, nuk ka më asnjë pikë dyshimi: fjala “pjeshka” ka sërish kuptim metaforik, por, kësaj radhe, ajo shënjon vetëm vendin më intim të femrës që meshkujt e rinj ëndërrojnë të eksplorojnë me gishtin e njëzetenjëtë që natyra u ka falur aq bujarisht.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *