Ftesë

ORIAH MOUNTAIN DREAMER

S’më intereson me se merresh për të jetuar.
Dua të di ç’të angështon e nëse guxon të ëndërrosh,
pas afsheve të zemrës të shkosh.
S’më intereson sa vjeç je.
Dua të di nëse do rrezikoje që të marrë të t’quanin për dashurinë,
për një ëndërr, për aventurën e të qenit gjallë.
S’më intereson ç’planete përputhen me hënën tënde.
Dua të di nëse brengën më të thellë ke ndjerë
nëse tradhtitë e një jete, më të hapur të kanë bërë
apo të kanë rrëgjuar e ndryrë nga frika e një tjetër dhimbjeje.
Dua të di nëse mund të ulesh me vuajtjen,
timen ose tënden,
pa luajtur vendit për ta fshehur,
as për ta fashitur, as për ta përzënë.
Dua të di nëse me harenë mund të bëhesh një,
timen ose tënden,
nëse egërsisht mund të vallëzosh,
duke u lëshuar gjer sa dalldia të rrëmbejë majat e gishtërinjve,
të duarve e këmbëve
pa e vrarë mendjen,
pa u rrekur të jesh i vërtetë,
as për t’i kujtuar vetes kufijtë e qenies njerëzore.
S’më bëhet vonë nëse historia që po m’tregon është e vërtetë.
Dua të di nëse dikë tjetër mund të zhgënjesh
Edhe duke qenë i sinqertë me vetveten.
Nëse mund të durosh akuzën
e një tradhtie pa tradhtuar shpirtin tënd.
Nëse i pabesë mund të jesh andaj i denjë për besimin.
Dua të di nëse arrin ta shohësh çdo ditë
të bukurën edhe kur s’është e tillë çdo ditë,
e nëse nga prania e saj, jeta zë fill.
Dua të di nëse mund të jetosh me dështimin,
timin dhe tëndin, e prapëseprapë buzë liqenit,
hënës së plotë e të argjendtë t’i klithësh “Po!”
Për mua s’ka rëndësi ku jeton e sa para ke.
Dua të di nëse pas një nate dhembjesh e dëshpërimi
mund të çohesh, i lënduar e dërrmuar gjer në palcë,
e të bësh ç’është e mundur që fëmijët të ushqesh.
S’më intereson kë njeh dhe si erdhe gjer këtu.
Dua të di nëse mes flakëve me mua do qëndrosh pa u tërhequr.
S’më intereson ku, çfarë a me kë ke studiuar.
Dua të di ç’të mban në këmbë kur gjithçka tjetër shembet.
Dua të di nëse vetëm me vetveten mund të qëndrosh,
e nëse shoqëria njëmend të pëlqen mbaje përbrenda zbrazëtinë./
Përktheu në shqip: Beti Njuma

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *