…Që në çastin kur i thamë shoqi-shoqit të dua, ti pyet veten se nga vjen stepja ime për të shtuar “përgjithmonë”. Përse? Ja që unë parashoh të ardhmen; para syve më del gjithmonë kundërteza. Kurrë s’kam parë një fëmijë pa menduar se ai do të mplaket, as një djep pa menduar një varr. Soditja e një gruaje lakuriq më bën të ëndërroj skeletin e saj. Kjo bën që shfaqjet e gëzueshme të më trishtojnë ndërsa shfaqjet e trishtuara më prekin disi. Qaj tepër përbrenda që të derdh lotë përjashta; një lexim më prek më shumë se një fatkeqësi e vërtetë.
Kur kisha familje shpesh pata ururar të mos e kisha, për të qenë i lirë, që të jetoja në Kinë ose te njerëzit e egër. Tani që nuk e kam më vjen keq dhe kapem pas mureve, ku hija e saj ende ka mbetur. Të tjerët do të krenoheshin me dashurinë që ti më fal, sedra e tyre do të kënaqej dhe egoizmi i tyre prej mashkulli do të dëfrente deri te skutat më të brendshme; po zemra më këputet pasi kalojnë çastet e vluara; sepse i them vetes: Ajo më dashuron ndërsa unë; që e dashuroj gjithashtu nuk e dua aq; Sikur të mos më kishte njohur, do t’ia kisha kursyer gjithë lotët që ajo derdh! Falmë për këtë, në emër të gjithçkaje që ke bërë që unë të shijoj dehjen.
Por parandiej një fatkeqësi të madhe për ty. Kam frikë se mos zbulojnë letrat e mia, se mos merret vesh gjithçka. Dëshpërohem për ty.
…Këtë muaj do të vij të të takoj, do të rri një ditë të tërë. Pa u mbushur dy javë, madje dymbëdhjetë ditë do të jem i yti. Sapo Fidiasi të më shkruajë, unë do të vrapoj; kështu e kemi lënë. A i shkoi zemërimi, të mirit Fidias? A e mori vesh domethënien e dhuratës? Shpresoj ta kuptojë se ia bëmë për të qeshur dhe ëndërruar, si dhe për t’i kthyer pak kënaqësi nga ajo që ai na ngjalli.
Floberi letër dashurie Loise
E shtunë, 8 Gusht 1846.