Dashuria ime për ty është gjaku im, mishi im, fryma ime…

Duke kërkuar botimet më në fundit në FNAC, përsëri përpara mu shfaq libri i Mitteranit, Letra Anës, të dashurës së hershme të tij. Njeriu politik, drejtuesi i Partisë Socialiste dhe më pas president i Francës i shkruante gjithnjë letra të dashurës së tij klandestine. Rastësisht e hapa sërrish këtë libër, ashtu në këmbë, ballë atyre rafteve plot botime të reja dhe në faqen 558 lexoj sërrish :

François Mitterand të dashurës së tij.

29 maj 1968
Dashuria ime, përse më bën të vuaj ? Mbërrita në Orangerie në orën 10.02. Vallë 17 minuta është gjatë të presësh përkundrejt një gëzimi të pafund ?
Të dua, dhe më duhet të jetoj ndërkohë ngjarje të fuqishme dhe ti e di që unë kam nevojë për ty, si njeriu dhe pjesa më e mirë e më e vërtetë e vetes time. Dhe ja ku 17 minuta janë për ty një kohë tepër e gjatë!
Isha aq i lumtur të të shikoja sërrish në paqe në këto pak orë të pasdites. Tani është ora tre. Po të telefonoj prej gjysmë ore, por më kot. E shoh që koha po ma kafshon lumturinë e sotme.
Jam i trishtë dhe shpresova gjer në orën pesë këtu, pa lëvizur, shpresoja të vije të kalonim sëbashku darkën, ndërsa tani jam tmerrsisht i turbulluar. Ti ndoshta nuk e ke kuptuar deri në ç’shkallë je e nevojshme për mua. Ti më mungon sepse kështu e ke vendosur sot. Por nuk e kuptoj këtë lloj ashpërsie. E megjithatë të dua më shumë se kurrë.
Ana ime e dashur, pavarësisht nga Historia që sot ecën para nesh me shpejtësi, unë jam ai që të do dhe ai që ti e do; ai që i buzëqesh lumturisë së Gordes dhe heshtjes së Torcello-s, ai që vështron nga dritarja lulet e Saint Benoît.
Dashuria ime për ty është gjaku im, mishi dhe fryma ime.
Përse më mundon ?
François
(Lettres à Anne).

Nga Luan Rama


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *