Një takim i lanun në harresë me Norbert Joklin në Vjenë dhe udhëtimi i tij drejt Shqipërisë.

Anza Shkodra

Në fund të shtatorit 1939, me porosi të Atë Gjergj Fishtës, Atë Daniel Gjeçaj e Atë Jak Marlekaj u takuen në Bolonjë të Italisë e, prej aty, u nisën në Vjenë, për të bisedue me Profesor Norbert Joklin. Atë Danieli kishte ardhë prej Shqipnie e nisej për studime në Fuldë të Gjermanisë; Atë Marlekaj sapo i kishte krye studimet e punonte në Universitetin Katolik, në Milano. Shkonte shpesh në Bolonjë për kërkime në bibliotekat e pasuna të qytetit, ku bani në mori zbulimesh e realizoi një serë mikrofilmash, që ruhen në bibliotekën e fretënve, në Shkodër. Kishin të dy dishirë të madhe me e njoftë albanologun e madh. Nuk shqetësoheshin aspak për strehim, mbasi u shkarkuen menjëherë në Franziskanerplatz. Françeskanët kanë shtëpitë e veta në të gjithë rruzullin tokësor. Simbas Rregullës së Shën Françeskut, janë kudo të mirëpritun prej bashkëvëllazënve.

Të dy dukagjinas, njeni prej Thethi e tjetri prej Plani, nuk kishin kurrfarë vështirësie për të komunikue. Shkolla e fretënve i kishte përgatitë aq, sa mujshin me u endë lirisht në tanë botën, ku nuk i kishin çue me lypë bukë, por dije. Nuk ishin, prandej, në Vjenë për me kërkue lëmoshë për malet e veta, gjithmonë ûnshëm. Ishin për me mbrojtë një dijetar të madh. Një gjerman, i cili kishte shkri gjithë jetën për me e ba të njohun në botë pasuninë e atyne maleve, ku nën borat e përjetshme, ruheshin gjurmët e një qytetnimi, që kishte dhanë shpirt kah mot në viset e buta. Kishin adresën e Profesorit të madh, të cilin e gjetën shpejt në apartamentin e tij, në Neustiftgasse, 65. Norbert Jokli lindi me 25 shkurt 1877 në Bzenec, Moravi e Jugut (sot Republika e Çekisë). Ishte biri i vetëm i një tregtari çifut. Kreu me rezultate të shkëlqyeshme shkollën e mesme dhe u nis për në Universitetin e Vjenës, ku u regjistrue në fakultetin e drejtësisë. E kreu më 23 qershor 1901, me summa cum laude. Por shumë shpejt e la drejtësinë e nisi studimet linguistike. Studioi gjuhë indo-evropiane, sllavistikë e romanistikë. Më 1903 deri më 1938 punoi në bibliotekën e Universitetit, në Vjenë.

Në moshën 30 vjeçare nisi të thellohet në studimin e gjuhës shqipe. U lidh shumë me studentët shqiptarë, me të cilët shetiste shpesh nëpër rrugët e në rrethinat e Vjenës. Ndërmjet tyne nuk mungojshin kurrë Lasgushi, Çabej e Pashko Geci. Ishin orët ma të kandshme të mësimit, këto orë gazmore, jashtë auditoreve hijeranda. Në maj 1938 u pushue nga puna. Në mars 1942 u arrestue nga Gestapo. Ish-nxanësi i tij, Georg Solta, profesor i gjuhësisë indo-europiane në Universitetin e Vjenës, ndërhyni për tê tek Ernst Kalternbrunner, SS Gruppenführer i Vjenës, por nuk ia doli mbanesh ta shpëtojë. JOKLI Ngjarjet, që po përmbytshin Austrinë, krijojshin rrezik serioz për jetën e tij e, sidomos, për veprën. E jo ma pak, për bibliotekën e tij madhështore, ku kishte mbledhë me kujdes gati fanatik, libra të trashë glotologjie, radhë të pafundme fjalorësh, koleksione me botime të ndryshme, që i interesojshin për studimet e tij në gjuhët indo-gjermane, premje shtypi… Afër shkritores, në vendin e nderit të odës së tij të punës, ndërmjet dy dritaresh, kishte vendosë librat shqip. Botime të reja e të vjetra. Arbneshësh, toskësh e gegësh. Veç Lahutës e veprave të tjera të Fishtës e të Koliqit, ndërmjet trimijë librave të bibliotekës së tij, kishte edhe dy vëllimet e Lasgushit, me ganz Leder . Në faqen e parë të ‘Yllit të Zemrës’ kishte shkrue: “An Lasgush sieht man, wie harmonisch die albanische Sprache ist” . Dy oda vic më vic me libra e dorëshkrime. Të dy fretënt i hodhën një sy të shpejtë gjithë asaj pasunie, tue e krahasue me bibliotekën e tyne, e cila tashma ishte një prej ma të mirave në Shqipni. Ua kalonte shumë herë dy bibliotekave me nam, asaj të Lef Nosit në Elbasan e të Midhat Frashërit, në Tiranë. Edhe Lef Nosi, mik i përzemërt i fretënve, do të strehohej në kuvend të tyne në ditë të vështira. Për këtë strehim e për fundin e Nosit gjithçka asht shkrue deri më sot, asht mjaft e pasaktë. Dy fretënt shqiptarë, tue soditë me admirim bibliotekën vigane të Joklit, për të cilën Koliqi do të shkruente: “Paska kenë dashtë të shkojshem larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe…’ , menduen menjëherë sesa do të përfitonte biblioteka e tyne në Shkodër, në se do t’i shtohej gjithë kjo pasuni, njëheresh me të zonë. Merreni me mend një kuvend fretënsh, ku punojnë krah për krah një Fishtë e një Jokl, rrethue prej mija librash të stërzgjedhun. Librat ishin luksi ma i madh në atë ambient, tepër modest, për famën e shkencëtarit; tepër të vorfën, për pasuninë e tij kulturore; tepër të pluhnuem, për shkëlqimin e emnit të tij. Jokli ishte i pamartuem. Kur e kur në apartamentin e tij të thjeshtë vinte një grue për me ba pastrimet e nevojshme.

Sa xu vend, në një karrike të thjeshtë, Atë Jakobi, tue harrue gjendjen kritike të të zott të shtëpisë e misionin me të cilin ishte ngarkue, nisi diskutimin e tij gjuhësor. Studionte prej kohe etimologjinë e disa fjalëve shqipe, që i kishte marrë prej Dukagjinit të tij e i mbarte ndër xhepat e gjanë të zhgunit nëpër auditoret e universiteteve të Evropës, ku jepte e merrte dije. Dishronte, tashti, me i kullue gjetjet e veta nëpër filtrat e profesorit të madh. Biseda bahej në shqip. Jokli e fliste shqipen mjaft mirë, sidomos kur kishte para bashkëbisedues, që e kuptojshin. Nisi, prandej, një dialog pa fund për rrajët e fjalëve, që kishte pru me vedi Atë Jakobi, për burimet e lashta të tyne, zgjatimet, shkurtimet, kuptimet e vjetra e të reja. Të dy glotologët kishin hy në aventurat e çuditshme, nëpër të cilat përshkohet fjala, jo më një ditë as më një vjetë, por në shekuj… Pritja ishte tepër e përzemërt, sepse profesori, me krye në cung, po përgatitej me gjetë strehë pikërisht në Kuvendin e Gjuhadolit, ku do të kishte kënaqësinë me ndejë pranë Atë Gjergj Fishtës, pranë Atë Justin Rrotës e fretënve të tjerë të mëdhaj, që ai edhe i kishte njohë. Thue këta dy djelmosha të pashëm, veshë me zhguna, kishin me vedi edhe fjalen e mirë, që e priste shi prej fretënve shqiptarë? Megjithatë, ai nuk e hapi i pari bisedën, të cilën, në këtë çast kritik për jetën e tij, e dishronte ma fort se çdo diskutim gjuhësor, gja e rrallë për pasionin e tij.

Desht me dijtë me hollësi si ishte e çka bante Pater Justini, me të cilin shkëmbente letra prej kohe. Si i dhanë përgjegjet, që dishëronte, dy fretënt e panë të arsyeshme të ndërrojshin bisedë e t’i shpjegojshin se ishin aty me porosi të Pater Gjergjit. Profesorit i shndritën sytë. E ata e siguruen se në Kuvendin e Gjuhadolit pritej me krahë hapët e se Atë Gjergji kishte përgatitë gjithçka i duhej për jetesë e për vijimin e punës së tij. Fishta, tue e dijtë se i duhej urgjent leja për emigrim, i kishte shkrue me dorë të vet një letër Jakomonit e priste me besim se do të merrte përgjegje pozitive. Atë Danieli nxori prej çante letrën, që Pater Gjergji ia kishte dhanë për me ia dorëzue profesorit. Jokli iu afrue njenes prej dritareve të studios, shpaloi letrën dhe nisi me e lexue me za të naltë: “Shkëlqesisë së tij Françesko Jakomoni Luogotenente Shkëlqesi, Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, asht profesor Norbert Jokli, me kombësi çifute që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhësie në të njajtin Universitet.

Tashti, më shkruejnë prej Vjene, se autoritetet lokale i kanë thanë albanologut të shquem të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut. Ai tashma asht i ndrymë, beqar, me nji fat mjaft modest. Atij natyrisht i duhet me u rropatë për të gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë. Shkëlqesi, pa dyshim do të ishte nji fatkeqësi e madhe për gjuhën kombëtare shqipe, në qoftëse ky shkencatar, me famë europjane, që unë e njoh e qi me autoritetin e tij të padiskutueshëm ka mbajtë gjallë interesin e filologëve ma të permendun për gjuhën shqipe, të jetë i shternguem me e braktisë Europen. Kombi shqiptar, i tani, do t’jua dijë shum për nder nëse Shkëlqesia Juej ka me gjetë mundësinë për ta ba me ardhë në Shqipni, tue i caktue këtu nji vend, edhe pse jo aq fitimprues, megjithatë, të përshtatshëm për famën e tij si shkencatar e gjuhëtar i shquem. Jam i sigurtë se do ta keni me dashamirësi në konsideratë këtë propozim, që unë e paraqes në emen të gjith intelektualve shqiptarë. Përfitoj prej raset për me Ju lutë të pranoni ndjenat e respektit ma të madh e të mirënjohjes ma të thellë I Shkëlqesisë Suej i divoçëm e mirënjohës P. Gjergj Fishta OFM Shkodër, 23 shtator 1939 – Këtë ças kuvendi juej asht, pa dyshim, vendi ma i përshtatshëm për mue – pohoi Jokli, si kishte krye leximin, dhe i siguroi fretënt se do të bânte çmos për t’u nisë sa ma parë, me gjithë libra, e sidomos, me gjithë skedarin e tij vigan. E ndërsá bisedojshin, ai nxirrte prej syzave grumbuj të mëdhaj letrash, lidhë me spagë e i hapte mbi shkritore. Në secilin sish ishin shenime të hollësishme për historinë e jetës së çdo fjale shqipe, që trajtohej si të ishte një qenie e gjallë, me lindje, rreth familjar, marrëdhanie…

Jokli – dëshmon Atë Gjeçaj – përdorte një alfabet të tijin, origjinal. E, me që nuk e ka lanë të shkruem çilcin, gjithë vepra e tij monumentale mbetet e padeshifrueshme, si të ishte e ndryme në një vorr faraoni e e shkrueme me hieroglife. Fretënt u larguen mbas disa orësh prej apartamentit të vogël të Neustiftgasse, përcjellë me përzemërsi prej Profesorit të madh, tue i premtue njeni-tjetrit takim të shpejtë në kuvendin e Gjuhadolit. Po ky ishte takimi i parë e i fundit. Mbas Pater Gjergjit, edhe të tjerë do të 6 Letra u botue në Cirka, 1939, fq. 56-57. 239 interesoheshin me e shpëtue Joklin Ndërmjet tyne, Ernest Koliqi, i cili në atë kohë kishte mundësi jo të pakta për të zgjidhë probleme të zorshme. E edhe Lasgushi, i cili më 22 maj 1938 shkroi e dorëzoi për botim një artikull me titull “Përzënia e profesor Jokl-it nga Shqipëria” ….. Shkruente Lasgushi: “… Dhe Profesor Jokl-i nuk vjen kësaj here në Shqipëri ashtu me duar zbrazur. Ay sjell me vete si shenjë nderimi dhe falënderimi, një kanisk të paçmuar: sjell bibliotekën e tij private, prej përmi trimijë volumesh, të gjitha rreth çështjeve dhe problemeve të shkencës së tij, në thelbin e së cilës qëndron shkenca e vështirë mbi gjuhën dhe kombin shqiptar, po së cilës ay mundi t’i japë një interes universal të përtëritur8 . Gjithsesi, Profesor Jokli jo vetëm që nuk mujti me e xjerrë lejen për t’u nisë në Shkodër, por u kap nga nazistët e hupi pa gjurmë, aq sa për datën e vdekjes së tij, shkruhet: “Ka mundësi të ketë vdekë aty kah maji i vjetës 1942”. Përfundoi në kremator, në Minsk, si shumë çifutë? Apo i dha fund jetës me helm, në një vagon treni, që e çonte drejt kampit të përqendrimit, si mendojnë disa të tjerë? Tri janë hamendjet mbi fundin e Joklit. Sipas variantit të parë, më 6 maj 1942 u internue në Malij Trostenets, pranë Minskut , ku edhe vdiq.

Mbrojtësit e variantit të dytë pohojnë se Jokli u torturue për vdekje në Rossauer, pranë Vjenës, ku edhe dha shpirt. Ndërsa, sipas variantit të tretë, vrau vedin në sa po e çonin në një kamp, në Riga. Për fundin e Albanalogut të madh kujtojmë edhe shkrimin e Gordon M. Messing, botue në “Numrin Përkujtimuer” të Shêjzave, kushtue Ernest Koliqit, mbas vdekjes. Titullohet “La tragedia di Norbert Jokl”. Messing ban të njoftun një dëshmi, shkrue nga dora e Nikolaus Rotta (siç dishëronte ta shkruente emnin Kolë Rrota, vëlla i Pater Justinit), dorëzue Bibliotekës së Universitetit të Vjenës, më 12 qershor 1948. Shkresa, me numër Z 441/448, titullohet “Memorandum lidhë me Profesor Doktor Norbert Jokl, bazue mbi deklaratën e Nikolaus Rotta, lektor në Universitet”. Artikulli i Lasgushit, i ruejtun si në arkivin e tij personal, ashtu edhe në Arkivin e Shtetit Shqiptar, në një koleksion dokumentash, me numrin 486, u botue në vitin 1999 në “Lasgush Poradeci, Vepra, 2”, Onufri, fq 25-30.

E botoi edhe Shaban Sinani, në veprën “Hebrenjtë në Shqipëri”, në variantin e ngatërruem të Arkivit të Shtetit. Botimit në libër i parapriu botimi i artikullit të Sinanit, me titull: “Lasgush Poradeci, Kur ngrinte zërin “Shpëtoni Joklin!” në ‘Gazetën shqiptare’, 02. 11. 2009. Me sa duket Sinani nuk e dinte se artikulli ishte i botuem, ashtu si e pat shkrue Lasgushi, përndryshe nuk do të kishte marrë mundimin me sqarue fjalët e palexueshme të tekstit të Arkivit të Shtetit. Çudi?! 8 Art. cit, fq 29-30. 9 Kolë Rrota, në vjetën 1942, në një letër drejtue të vëllaut, Pater Justinit, shkruen: “Sa për zhdukjen e të ndjerit prof. Joklit në vjetin 1942, po të diftoj se unë atëherë u mundova me gjithë shpirt me e pështue prej thojve të nazistave.

Shkurt, ky mbaroi në Minsk, po ashtu si u bânë therorë miliona e miliona njerëzish, tue u helmue me gaz”. 240 Po e radhisim këtu, të përkthyeme në shqip: Vjenë XIX, Zehenthofgasse, 25/11 Në punën teme si ish-Konsull i Shqipnisë në Vjenë e si lektor në Universitet, pata rasen të takohem shpesh me Këshilltarin (Hofrat), profesor doktor Norbert Jokl, si për arsye personale, ashtu edhe për çashtje pune. Më lindi një nderim i thellë për tê, si dijetar e si njeri. Kur më 1938 nazistët nxitën në Austri persekutimin kundër ebrejve, profesor Jokl erdh e më kërkoi, në se do të ishte e mujtun, të transferohej në Shqipni. Askohe ia përcolla kërkesën Qeverisë Shqiptare e, më 16 tetor 1941, mora nga Ministri i Arsimit Shqiptar (asokohe Ernest Koliqi), emnimin e profesor doktor Joklit si administrator i Bibliotekës Shqiptare, me rrogë mujore 600 franga ar. Në fruer të vjetës 1942, kur në Vjenë nisi internimi i ebrejve, ai më kërkoi ta njoftojshe Ministrinë Shqiptare të Arsimit, se kishte ndër mend të merrte me vedi edhe bibliotekën e tij, për të pasë, kështu, mundësinë ta përdorte deri në fund të jetës; mbas deke, tue mos pasë trashigimtarë, do t’ia lente trashigim Ministrisë së Arsimit.

Ia dorëzova me shkrim këtë kërkesë ish-Konsullit të përgjithshëm në Vjenë, Rochira, e ai ia përcolli Ministrisë së Jashtme në Romë. Ndërkaq, falë ndërhymjes së Profesor Karlo Taliavinit në Padovë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë, Konsulli i përgjithshëm i naltpërmendun, ia nisi kërkesën Zyrës së Punëve të Jashtme në Berlin, që të miratonte nisjen e Këshilltarit, Profesor Doktor Jokl, nga Vjena. Ndërkaq në Vjenë ngjarjet morën teposhten: prej Berlinit nuk erdh kurrfarë përgjegje e, më 4 mars 1942, në orën 8 të mbramjes, profesor Jokl u arrestue prej dy oficierave të Gestapos, në banesën e tij, në Neustiftgasse 65, Vjenë VII. Banesa e tij u mbyll e u vulos me dyll të kuq.

Ai u dërgue në një kamp përqendrimi në Castellezgasse 2, Vjenë II, e me 8 marc të të njajtes vjetë, do të internohej në Poloni. Gjithsesi, në çasin e fundit, nuk u dorëzue në grupin, që po nisej, por u transferue në Kazermen Rossauer, ku vdiq për shkak të keqtrajtimeve, të grushtave, të shkelmave etj.etj. Mbas një hetimi nga ana e bashkësisë hebraike të Vjenës, u mbërrijt në përfundim se nuk asht vorrosë në këtë qytet. Në vjetën 1944 mora udhëzimin nga Qeveria Shqiptare të hulumtoj ku ndodhej biblioteka e, mbas hulumtimit, mora vesht se biblioteka gjindet në bodrumet e Bibliotekës Kombëtare Austrijake”10.

Kështu shkruen Kolë Rrota. Edhe dokumenta të tjerë zyrtarë dishmojnë se Biblioteka, me trimijë librat e zgjedhun, të cilën Jokli 10 Shih. Shêjzat, Numër përkujtimuer, fq. 226-227. 241 dishëronte ta merrte me vedi në Shqipni, u konfiskue më 27 prill 1942 dhe u mbart në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Nuk dihet ç’fat pësuen studimet e Albanologut të madh, sidomos skedari. E sidomos, edhe sot e kësaj dite nuk dihet me siguri si mbaroi Profesori Norbert Jokl: një emën ma shumë, në radhën gjenive pa vorr. Dihet vetëm se ai, që në enciklopeditë e mëdha të botës quhet ‘Baba i Albanologjisë’, nuk mujti me u strehue në kuvendin e fretënve të Gjuhadolit, ku gjithsesi biblioteka e tij e famshme e skedari i jashtëzakonshëm, do të kishin pësue, prej komunistave, po atë fat, që pësoi i zoti, prej nazistave. E s’ asht çudi që të kishte ra prej shiut në breshën, tue u burgosë me gjithë fretën në atë kuvend, që e kishte mikpritë. Fat tragjik ai i njeriut, të madh e të vogël, nën diktaturë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *