Mos u dashuro!

Martha Rivera Garrido

Mos u dashuro!
Mos u dashuro pas një gruaje që lexon,
pas një gruaje fort të ndjeshme,
pas një gruaje që shkruan.
Mos u dashuro pas një gruaje të mençur, delirante, të marrë.
Mos u dashuro pas një gruaje që mendon,
e vetëdijshme që e njeh botën,
e zonja për të marrë krahë.
Pas një gruaje me besim në vetvete.
Mos u dashuro pas një gruaje që qesh a qan tek bën dashuri,
që di të shndërrojë shpirtin e saj në mish, e aq më pak,
pas një gruaje që dashuron poezinë (ato janë më të rrezikshmet),
pas një gruaje që rri gjysmë ore para një tabloje
apo që s’jeton dot pa muzikë.
Mos u dashuro pas një gruaje energjike, të hareshme,
të kthjellët, rebele, moskokëçarëse.
Mos të qëlloftë të dashurohesh pas një kësi gruaje!
Sepse kur dashurohesh pas një gruaje të tillë,
qëndroftë apo jo pranë teje,
të dashtë apo jo,
atë grua s’e harron dot.
Kurrë!
Në shqip: Aida Baro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *