Nëna ime më mirë të vdes!


Nga Ilir Hoxholli

Kemi lexuar histori që të bëjnë të tronditesh, por kjo që po lexoni është një histori që e kam përjetuar vetë. Në fakt, ka disa javë që ka ndodhur, por ma rifreskoi sot një histori e ndodhur shekuj më parë.
Vizituam bashkë me një mikun tim, një nënë të vetme, të sëmurë, kutiat me ilaçe i kishin bllokuar raftin e vogël që mezi qëndronte në këmbë. Dhimbja që ndjemë na e copëtoi shpirtin. Dikush çoi ushqime, dikush i pagoi për disa muaj dritat, dikush vazhdon t’i çojë ushqime. Pensioni i shkon i tëri për ilaçet e shumta. Një jetë e vuajtur që nuk guxova kurrë ta pyes mes lotësh se si arrinte të jetonte. Ka shumë nëna që jeta i ka sprovuar të jetojnë të vetme pas vdekjes së burrit, fëmijëve, pamundësisë…
Në një bisedë me një të njohur që ndihmonte të njëjtin rast, mora vesh se, kjo nënë kishte një djalë, të rregulluar në jetën e tij, i stabilizuar me punë të mirë. Kontaktuam për ta pyetur për nënën, përgjigja ishtë tronditëse: “Kam arsyet e mia të mos e ndihmoj dhe as ju nuk duhet ta ndihmoni…”

I kollarisur në elegancën e profesionit si një intelektual u përgjigj si djalë telenovelash. Kishte arsyet e veta që nëna e ka bartur në bark 9 muaj mundim pas mundimesh, e ka pastruar, kur nuk ecte dot, e ka rritur e shkolluar… Arsyeja e tij i ngjante thënieve të sotme “mos përputhje karakteresh”.
M’u kujtua kjo histori, sepse dëgjova një teolog sot për ditë të premte që tregoi historinë e dy të rinjve shekuj më parë. Një burrë i moshuar i shikonte dy të rinjtë, tek mbanin nënën e tyre mbi një tezgë dhe vraponin gjithë zell e gëzim rreth Qabes (rit islam gjatë haxhit në Mekë). I bëri përshtypje dhe i pyeti: Kush është kjo grua? Nëna jonë, e kishte me merak të shikonte Qaben, kemi ardhur nga larg, dëshira e saj që e re ishte të vinte në këtë vend. Çdo vit që shtyhej e brengoste, derisa u plak dhe u sëmur. Burrit i rrëshqitën dy pika lot, mes thirrjeve të njerëzve dy të rinjtë e njohën që ai ishte dijetari i madh Hasan El Basri. Të rinjtë duke përfituar nga rasti nxituan ta pyesnin se cili ishte shpërblimi i tyre për këtë sakrificë? “Heshtni! Heshtni! Asnjë shkelmim që i keni dhënë, kur keni qenë në barkun e saj nuk e keni shlyer”- u përgjigj dhe u largua…

Prandaj, mër djalë m’u kujtove ti, m’u kujtove dhe të them të drejtën më dhembi shpirti. Ty mbase të bezdis fakti që nëna është gjallë, të bezdis se mbase të prish biografinë, të bezdis fakti se ta ndihmojnë të tjerët, por vëre dorën në zemër, se do të vij një ditë që do të plakesh dhe ti, po po, do të kërkosh që dikush të të ngre në këmbë. Nëse nuk e di, nënën tënde po e linin fuqitë, e ngritëm ne që më pas të mbeshtej tek shkopi dhe të ecte. Nuk të përmendi dhe nuk do ta merrnim vesh kurrë që kishte një djalë, të shkolluar, të kollarisur me një profesion të mirë…
Nuk po të përmend me emër jo për ty, se sa për zemrën e nënës tënde që nuk do kurrë ta turpërojë birin e saj… Kthehu djalë tek nëna jote kthehu! Bëje dhe për ne, për të mos na u bërë edhe model për fëmijët tanë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *