Shqiptarët, ndër popujt më të palumtur të botës

Indeksi i lumturisë, një studim i publikuar dje për llogari të Kombeve të Bashkuara, e rendit Shqipërinë në vendin e 109, nga 155 vende, më të palumturën në Europë, në linjë me vendet afrikane dhe në përkeqësim me vitet e kaluar.

Por, si shpjegohet fakti që shqiptarët janë kaq të palumtur?

Indeksi bën analizën e niveleve, ndryshimeve dhepërcaktuesit të lumturisë mes vendeve dhe vazhdon të jetë i bazuar kryesisht në vlerësimin e jetës individuale për rreth 1000 persona për secilin nga më shumë se 150 vende, të matur nga përgjigjet për pyetjen:

“Ju lutemi, imagjinoni një shkallë me hapa të numëruar nga 0 në pjesën e poshtme deri në 10 në krye. Në krye të shkallëve përfaqësohet jeta më e mirë e mundshme për ju dhe në fund të shkallëve përfaqësohet jeta e keqe më e mundshme për ju.

Në cili hap të shkallës personalisht ndjeni se do të qëndroni në këtë kohë? “. Raporti përcakton pikët mesatare të vlerësimit të jetës për secilin vend, ku sa më i lartë pikëzimi, aq më mirë.

Jeta më e keqe e mundshme vlerësohet me 0 pikë dhe ajo më e mirë e mundshme me 10 pikë.

Gjashtë variablat kryesorë mbi të cilin bazohet indeksi përfshijnë të ardhurat për frymë, mbështetjen sociale, pritshmëria për një jetë të shëndetshme e të gjatë, lirinë sociale, bujarinë dhe mungesën e korrupsionit.

Të ardhurat për frymë janë vlerësuar mbi metodën e fuqisë blerëse, pritshmëria për jetëgjatësinë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Mbështetja sociale ka dalë nga pyetja “Nëse do të ishit në telashe do të kishit miq ose të afërm, tek të cilët do të mbështeteshit?”

Liria për të zgjedhur përcaktohet nga pyetja “A jeni të kënaqur, apo të pakënaqur nga liria për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”. Bujaria matet duke ponderuar të ardhurat për frymë me përgjigjen “A keni dhuruar para për bamirësi muajin e fundit?”

Perceptimi i korrupsionit matet nga përgjigje e dy pyetjeve: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur në biznes?”

Për vitin 2016, Shqipëria ka marrë 4.644 pikë në renditjen nga 0 në 10 pikë. Vendi më i lumtur është Norvegjia me 7.537 pikë dhe më i palumtur Republika Qendrore e Afrikës me 2.693 pikë.

Pikët më të larta Shqipëria i merr në të ardhurat për frymë, mbështetjen sociale dhe pritshmërinë për një jetë të shëndetshme.

Një tjetër tregues ky renditemi mirë është dhe ai i dystopia (perceptimi i shqiptarëve është se nuk jemi një shoqëri e karakterizuar nga mjerimi njerëzor, shtypja, sëmundjet, dhe mbipopullimi).

Ndërsa vlerësimi më negativ është për korrupsionin, që është afër zeros, me vetëm 0.04 pikë.

Shqipëria nuk shquhet as për bujarinë, ndërkohë që shqiptarët duken të pakënaqur dhe nga mundësitë që kanë për të zgjedhur atë që duan të bëjnë në jetë. (shiko tabelën me pikët përkatëse në fund).

Monitor shkruan se i matur në vite rezulton se niveli më i ulët i lumturisë arriti në vitin 2013, për t’u përmirësuar më pas në dy vitet në vijim, ndërsa në 2016-n erdhi sërish përkeqësimi, duke zbritur afër niveleve të 2013-s./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *