Arie e një të shastisure

Nga Alisa Velaj
pas dy gotash xhin
(Scottit iu deshën dhjetë vjet që ta kuptonte se Zelda ishte e çmendur.
Marrë nga “Një festë që e ke gjithnjë me vete”, Ernest Heminguej)
Hej Scott,
I treti xhin që po rrëkëllen sonte!
Trinia s’është bekim në përgjumjen e trurit.
Unë dhe ti iu lutëm Jezuit për çdo herë
Dhe ndoqëm udhë të gabuara prej fillimit.
Lëmshi i Ariadnës fati im dhe yti…
Hija e Zeldës sërish të endet bebëzave
Ashtu si pa kokëcarje
Si pa asnjë pendesë…
Pendestarë janë shpirti im dhe yti, Scott,
Për të pamundurën që se kuptuam kurrë
Dhe sytë tanë të verbër për të parë errësirën
Ku ecin majtas djathtas ca qenie të çoroditura
Me sy, rrashtë e ashtë, sikundër krejt njerëzia.
Të betohem, për shpirt të të shtatë kryeëngjëjve, mik,
(Zoti më faltë kur nuk kam kam fuqi
Të nxij a të zbardh asnjë fije floku)
Për shpirtin e tyre të betohem, Scott,
Zelda ishte bijë e motër imja
Po s’e ishte nënë unë nuk e dija, i dashur,
Nuk e dija!
Bijës suaj të parëlindur
Farës tënde të frymëzimit dhe përhumbjes së saj
Qiellin s’ja mësuam dot as si nostalgji…
Mahnitur fushave, ku këngën bilbilave s’ja ndal askush
Vogëlushja e mjerë i trembej dritës
Njëjtë si zogu i lindur në kafaz lirisë.
Këtë doja të të thoja sonte, Scott, këtë doja,
Ndërsa kam mbaruar xhinin tim të dytë
E ti më sheh me sy të ndezur nga kërshëria.
Do doja të bëja një herë dashuri me ty, Scott,
Për hir të pasionit tonë të sëmurë,
Pastaj ne të dy do flaknim njëherë e mirë prej shpirtit
Këngën e Zeldës dhe shijen e asgjëse..


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *