Shqipëri-Serbi marrëveshje për kulturën, ministri serb Vukosavljevic: Moment historik

Konferenca e tretë mes ministrave të kulturës së Evropës Juglindore është përmbyllur me firmosjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Ajo u nënshkrua nga ministria Mirela Kumbaro dhe homologu i saj Vladan Vukosavljevic.

Fokusi i saj ishte vendosja e urave të komunikimit kulturor dhe realizimin e politikave në art – kulturë dhe trashëgimi kulturore.

Vukosavljevic, e quajti marrëveshjen një moment historik duke shprehur vullnetin e tij të plotë për të mbështetur çdo nismë që ka në objektivat e saj forcimin kulturor mes palëve.

Përpos kësaj, ministrja Kumbaro zhvilloi një takim bilateral me homologen greke, Lydia Koniordou me të cilën diskutoi rreth çështjeve të artit dhe trashëgimisë kulturore.

Të dyja palët arritën të bjenë dakord për nevojën e një marrëveshjeje bashkëpunimi, për të konkretizuar projektet mbi të cilat u fol.

Konference e mbajtur për të tretin vit radhazi, pati si qëllim bashkëpunimin rajonal dhe u konsiderua si një shtyllë kryesore për zhvillimin ekonomik.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Shefi i qeverisë u shpreh se Shqipëria ka rritur ndjeshëm buxhetin për kulturën.

“Të rrisësh buxhetin për kulturën nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Kemi sfida të përbashkëta dhe për këtë të thellojmë dialogun dhe bashkëpunimin mes njeri tjetrit këtu në rajon”, nënvizoi Rama.

Konferenca kishte parashikuar edhe një moment diskutimi mes ministrave pjesëmarrës dhe gazetarëve.

E pyetur nga Gazeta “TemA” lidhur me fenomenin e zhdukjes së objekteve të trashëgimisë kulturore në kisha të vjetra apo muzetë e Shqipërisë, Kumbaro u shpreh se trafikimi i këtyre objekteve është një problem i njohur që nga luftërat në mesjetë edhe deri më sot.

Ministria e Kulturës vendosi theksin tek kujdesi i veçantë që po tregohet në pikat doganore të Shqipërisë me fqinjët për të shmangur këtë problem dhe siguroi se po bëhet një punë e vëmendshme në këtë drejtim.

Së fundmi, Kumbaro njoftoi se presidenca e radhës e Këshillit të Ministrave të Kulturës nga vendet e Evropës Juglindore do t’i kalojë Bosnjë dhe Hercegovinës.

Sipas saj sekretariati i këtij këshilli do të drejtohet nga Shqipëria deri në mbledhjen që do të mbahet në Sarajevë./ A.D/ Tema

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *