Kala Roman
Frika është në ajër këto kohë. Nëse, ashtu si dhe unë, shihni lajmet apo kontrolloni papushim Facebookun, me siguri që shihni dhe ndjeni shumë frikë. Dhe ka shumë gjëra, me sa duket, për të patur frikë. Bota është një vend i cmendur, apo jo?
Por, duhet të dini këtë gjë për frikën: Ajo aktivizon amigdalën e trurit, që është një sensor në trurin tonë, i cili ndihmon për të na mbajtur të sigurtë. Kur aktivizohet, na jep tre zgjedhje për të reaguar: lufto, mbathja, ose ngri në vend.
Për t’u siguruar që ne kemi të gjithë fuqinë e mendjes që na nevojitet për këtë reagim instiktiv, amigdala kufizon aktivitetin e korteksit prefrontal – i cili është vendi ku prodhohen mendimi logjik, vendimet e qartë dhe zgjedhjet racionale.
Pra, kur jemi në gjendje frike, ne thjeshtë nuk mundemi të mendojmë mirë dhe të zgjidhim probleme.
Frika ndez gjithashtu sistemin nervor që lëshon hormone, për të na përgatitur për betejë, si adrenalina, noradrenalina dhe kortizoli. Kjo gjë përshpejton ritmin tonë të zemrës, rrit tensionin e gjakut, ngadalëson tretjen, tkurr enët e gjakut, zgjeron bebet e syrit dhe shkakton dridhje, si dhe një numër simptomash fizike.
Trupat tanë janë mekanizma të pabesueshëm, që kanë sisteme për të na mbajtur të sigurtë, gjë që është e mrekullueshme kur jemi në rrezik. Dhe shumë prej nesh ndihemi si në rrezik tani.
Por trupat tanë janë programuar për të përballuar vetëm shpërthime të shkurtër rreziku, dhe më pas kemi nevojë seriozisht për pushim dhe rimëkëmbje.
Aktivizimi i zgjatur i amigdalës dhe sistemit nervor simpatik na bën dëm. Nuk mund të përballojmë gjatë nivele të lartë të frikës, për shkak se gjëndrat e adrenalinës shterojnë, qelizat përkeqësohen prej teprisë së kortizolit, dhe ne rraskapitemi e sëmuremi.
Frika zakonisht na motivon për të vepruar. Por nuk duhet të jetë një gjendje e përhershme. Dhe në kohë si këto, nuk duhet t’i kemi të bllokuar kortekset prefrontalë. Na duhen për të menduar dhe zgjidhur probleme. Kemi nevojë pra, për rezervat e energjisë.
Atëherë, si t’i largohemi mbërthimit të frikës? Ja disa veprime të thjeshtë:
1. Merrni frymë thellë. Oksigjeni sinjalizon amigdalën se është e sigurtë dhe duhet të mos i bjerë më alarmit. Edhe frymëmarrje të ngadalta e të thella njëminutëshe mund ta qetësojnë amigdalën dhe të clirojnë korteksin. Mund ta bëni kudo, kurdo, gjithë ditën.
2. Zemërohuni. Mund të tingëllojë si këshillë e cuditshme, por zemërimi është më proaktiv se frika. Ashtu si frika, zemërimi nuk është një gjendje ideale për të vazhduar papushim, por të paktën zemërimi ka motivim, ndërkohë që frika shpesh herë ndihet si paralizuese. Zemërimi mund të jetë një pedanë për t’iu larguar një situate të pashpresë.
3. Veproni. Shndërrojeni frikën në veprim. Mund të ndihmoni të tjerët, të dhuroni para, të bëni telefonata për të shprehur mendimin tuaj, apo edhe thjeshtë të dilni një shëtitje për t’u qetësuar. Bëni më të mirën për të gjetur zgjidhje në vend se të amplifikoni problemet.
4. Zgjeroni fokusin. Frika mund të na pushtojë vërtetë kur bëhemi kaq shumë të fokusuar në atë që kemi mu përpara, saqë harrojmë panoramën e gjerë në të cilën jemi pjesë. Mos harroni që qeniet njerëzore nuk kanë qenë dhe aq gjatë në këtë planet, në skemën e madhe të gjërave, dhe ende kemi shumë për të mësuar. Vështirësitë kanë sjellë gjithmonë rritjen tonë, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë.
5. Zgjidhni optimizmin. Optimizmi ul hormonin e stresit kortizolin, dhe qetëson amigdalën. Studimet tregojnë se optimistët janë më të shpejtë në zgjidhjen e poblemeve, si dhe më krijues me zgjidhjet e tyre. Fatmirësisht, optimizmi është një zakon që mund të mësohet. Fillon duke larguar veten nga mendimet negative dhe duke zgjedhur një reagim përmes mendimit pozitiv.
6. Kultivoni mirënjohjen. Edhe në mesin e frikës, mirënjohja është përherë një opsion. Dhe truri nuk mund të jetë në një gjendje frike dhe mirënjohjeje në të njëjtën kohë. Për cfarë jeni mirënjohës sot? Bëni një listë. Mirënjohja është një antidot i fuqishëm ndaj frikës.
7. Gjeni gëzimin. Në kohë si kjo, gëzimi është një akt rezistence. gëzimi juaj u hedh dritë të tjerëve, që t’ju ndjekin kur kanë humbur rrugën. Gëzimi nuk është e njëjta gjë si lumturia. Ju nuk keni përse të jeni të lumtur me gjithcka që ndodh përreth jush. Gëzimi është i pavarur nga rrethanat e jashtme.
Ka patur gjithmonë gjëra që i kanë frikësuar njerëzit. Bota, qeveritë, komunitetet kanë patur probleme që në fillimet e qytetërimit, por mediat sociale dhe qasja e menjëhershme tek lajmet sot i zmadhojnë. Dhe truri ynë ka një prirje që na bën të mbajmë mend informacionet negative më shumë se ato pozitive. Kjo gjë krijon stuhinë e përsosur për frikën dhe mungesën e shpresës. Eshtë e kollajtë pra të rrëshkasësh në një gjendje ku e sheh botën si një vend të errët e të frikshëm. Por s’kemi pse e shohim botën ashtu si është, ne duhet ta shohim ashtu si jemi. Një ndryshim i perspektivës ndonjëherë ndryshon gjithcka. “Po sikur errësira, të mos jetë errësira e varrit, por errësira e barkut të nënës”? / HuffPost – www.bota.al