Nga Sazan Goliku
Karvani kishte qëndruar në Manastirin e Kodrës përballë Dragotit, aty ku nis Gryka e Mesmalasit. Ky manastir ishte ngritur e mbahej nga paria e këtij fshati, nga i cili s’dihet pse dhe qysh, pak vjet më vonë, më tepër se gjysma u kthyen në myslimanë.
Sa herë që dilte nga Tepelena, Ali Pashën seç e shtynte një dëshirë e turbullt të pushonte në këtë vend të mbuluar nga pemët e drurët e dendur e të lartë. Ndoshta bukuria e harlisur mes shpateve të dy maleve, pyllit e lumit të Vjosës dhe fshatit të bardhë. Ndoshta kthimi në vitet e fëminisë kur, ashtu zbathur, kapërcente Vjosën e vinte këtu as gjysmë orë larg nga fshati i tij, për të vjedhur arrën me kokrrat më të mëdha e që thyheshin lehtë me gishta. Ndoshta nga ndonjë brengë e hershme që i kishte mbetur si rrënjë e patretur në nënvetëdije për vajzën e mbyllur brenda të Kolgjinajve të Dragotit. Ishte ende trembëdhjetë vjeç djalë, kur qëndronte mbi murin rrethues të manastirit me xhepat mbushur me arrë e bajame e këmishën fryrë me mollë e dardhë dimërake ose me shegë e lerrushkë. Përtypej me nge ose vërshëllente labçe e tundte këmbët e zbathura, po sytë e kaltër, që kur vrenjtej i ktheheshin në grinë e ujërave të Vjosës, s’i hiqte nga shtëpia matanë lumit ku merrte frymë Nora e Kolgjinajve.
Ali Pasha heshtte te qoshku atje pranë dritares. Sytë i kishin mbetur mbi ullirin rrëzë një are të porsapunuar. Pasi kishte mbyllur si me dry planet dhe problemet prej pushtetari njëdorësh, po përsiaste: “Kur unë pastaj do të kem mbyllur një herë e mirë sytë, ky ulli do të jetë po këtu dhe të tjerë sy do ta shohin, po ata s’do të jenë sytë e mi. E ç’më duhet që jam pasha, qofsha dhe mbret, që i kam ç’më do zemra?! Dhe unë, tërë jetën kam bërë ç’më ka dashur e bardha zemër. Po, a ka zemër të bardhë? Imja kurrsesi jo. Ndoshta ka në atë botën tjetër që … unë po s’e pashë në tepsi përpara syve e ta prek me këto duar, jo mor tungjatjeta, nuk e besoj çfarëdo të përrallisin hoxhallarët e priftërinjtë … Ullirin do ta hanë djemtë e mi po qenë të zotët … Por ata nuk janë si unë“.
Vasil murgu kujtoi se Pashai po dremiste, prandaj u mat të largohej nga prapadera, ku po rrinte në gatishmëri sy e veshë, kur “Vasil!” i erdhi përmes të çarave të derës zëri i tij i tingullt. Murgu priste që pashai t’i thoshte: “Lajmëro njerëzit për t’u nisur për Janinë“, po ai si nëpër gjumë hungëroi: – Një shegë.
“Një shegë! – U habit murgu dhe shfryu me vete: “Ç’dreq ia shtiu në tru të kërkojë shegë këtë fund marsi!”. Po kokulur i tha:
– Edhe po s’pati, për ty do të gjendet, Pashai im.
Shkoi në bodrumin ku mbanin zahiretë e dimrit pa e ditur nëse kishte mbetur ndonjë kokërr shegë. “Dihet, kur do të bësh një punë me ngut, vonohesh më shumë”, – po thoshte me vete Vasili. S’po gjente dot hapësat që papa Ndreu i fshihte sa herë largohej për në shtëpi. Së fundi u kujtua se prapa ikonës së Shën Ndreut e varte prifti tufën e hapësave. S’la baule e dollap pa kërkuar. Në djersët e cergat e merimangave të bodrumit iu mbyt shpresa se mund të gjente gjë.
– O Shën Ndre! – nisi të lutet murgu. – Ti që më gjete hapësat, më gjej edhe një kokërr shegë. Nuk po të kërkoj nga dardhat e tua të dimrit se e di që i ka ngrënë papa Ndreu, po…o! – Atë çast përplasi kokën në diçka të fortë. Ngriti sytë. Një kokërr shegë e madhe e varur me gjalmë po tundej nga sipër…
Atje te qoshku Ali Pasha llafosej me veten: “Si? Si më tha ai francezi qose që i ngjante më tepër një çunaku haremi se një oficeri? “Pasha i ndritur (nga mesi e poshtë desha t’i thosha), për mendimin tonë vetëm mbretërisë së drejtësisë duhet t’i shërbejmë me pçrulje deri në vdekje!” – Drejtësinë e vendos vetëm zoti Perëndi – ia ktheva unë për ta kundërshtuar se e ndjeja falsitetin e tij. Prita sa përkthyesi ia tha fjalët e mia dhe vazhdova me theks mësuesi. – Ne na duhet rregulli, disiplina, qetësia. Vetëm kur vendos këto të uruara, zoti Perëndi është me njeriun, siç është me mua dhe me Perandorin tënd.. Po atij golëmasit nuk ia harroj fjalët që m’i tha si me të kënduar labçe: ”Lum ai që di ta hedhë – mjerë ai që s’di ta dredhë – vaj–vaj ai që mbeti”. Pse, pyes herë-herë veten. Unë Veziri i Madh u kërkoj të tjerëve atë që unë s’pranoj të ma kërkojë Sulltani? Sepse unë jam në një mendje me ato që më tha njëherë armiku im më i rrezikshëm, sulioti i mençur Marko Boçari: ”Vetëm ai që guxon mund të jetë i lirë”. Por unë iu përgjigja: ”Po vetëm nën qeverisjen time mund të jesh me të vërtetë i lirë”. He, he edhe unë isha i lirë nën hyqmin e Sulltani, he, he… Po ku vajti ky derri i derrit. Më doli nga mendja që i kërkova një shegë … një shegë … po ç’djall më duhet ajo shegë?! As vetë s’e di…
Askush nuk e kishte nuhatur, madje as e shoqja, Vasiliqia që ia njihte çdo ndjesi e dhembje, as Vaja që dinte t’ia lexonte edhe mendimet nga sytë – askush pra, nuk e dinte që Pashai herëdokur mbyllte sytë e binte në kllapi haluçinative. Ata që kishte pranë, kujtonin se ishte duke dremitur apo duke fjetur dhe kuptohet që nuk guxonte ta trazonte kush.
Ndërsa murgu Vasil po rrekej në bodrum të gjente shegën, Pashai po shihte veten të shtrirë mbi një tryezë të gjatë. Një arap i zi pa kokë i kishte shkelur krahët me këmbë dhe me një shpatë të madhe, nga e djathta në të majtë, “frap!”, i priste kokën, po në vend të saj mbinte një kokë tjetër dhe xhelati i jepte shpatës nga e majta në të djathtë dhe kështu sa herë priste kokën, një tjetër kokë, po me atë shprehje ironike e qesëndisëse njëkohësisht, mbinte pa pra …
– Ta solla imzot!
Me një gaz gati fëminor, Vasili hyri në odë ashtu i shkalafitur nga kërkimi nëpër bodrum. Mbante shegën me të dyja duart e shtrira përpara sikur të ishte margaritar. Sytë e Pashait nisën të hapen ngadalë si porta kështjelle. S’dukej as i zëmëruar, as i kënaqur që murgu e përmendi nga ajo kllapi. Ato pamje të shpifura as e frikësonin, as e trembnin; i shihte po me atë mospërfillje siç ndiqte ekzekutimet e torturat e armiqve të tij. E mori me të dy duart dhe po e kundronte sikur s’kishte parë kurrë shegë me sy. Vasili tha e vete: ”Për atë zot, ky paska rrjedhur!” Dhe se si iu kujtua se vetëm prej një fjale, të dalë nga ajo gojë pashai e mbuluar nga qimet e gjata, kishin fluturuar aq koka.
Befas Pashai përplasi shegën mbi qilimin e shtruar enkas për të. Nga tmerri që e kishte trullosur duke imagjinuar kokat e prera, Vasili kaloi në llahtarisje nga shpërthimi i papritur i pashait. Kokrrat e kuqe u shpërndanë si breshër mbi qilimin bardhë e zi.
– Mblidhi! – i tha murgut që qëndronte i mekur e i shastisur para tij. Me siguri kujtoi se Pashai do ta vriste. Në sytë e Vasilit ai pa tmerr, po edhe një shkëndijim të rrezikshëm.
“Duhet të jetë e vërtetë ajo që kam dëgjuar për atë sheikun e Katarit” – tha me vete Aliu. Kur sheiku pat urdhëruar rojat të shembnin në dru një nga shërbëtorët e vet, s’u shtri për tokë t’i kërkonte mëshirë, duke i puthur këmbët, po iu vërtit si tigër. Shpata e sheikut e kishte çarë tejpërtej, po edhe gurmazi i sheikut nuk mori më frymë.
– Mblidhi! – i tha Pashai përsëri murgut. Ky uli sytë, ra më gjunjë si prerë sa u tund dyshemeja. Me duart e trasha prej bujku nisi të kapë rubinët e shegës me dorën e djathtë dhe i vinte në dorën e majtë të mbledhur kupë. “Kështu, – mendoi Pashai, – dua ta mbledh miletin e pashallëkut tim, në një grusht.”
Vasili ngriti kokën dhe pa se Pashai po e ndiqte me sy.
– Imzot mezi shqiptoi – nuk mundem. Sa i kap kokrrat, më pëlcasin midis gishtërinjve…
Aliu u ngërdhesh së brendshmi. Në fytyrë nuk i luajti asnjë fije muskuli. Vasili u gëlltit e tha: – Po shkoj të thërras Norën e Kolgjinajve … Grave u jepet për këto punë … saora u zhduk prapa derës.
Aliu kishte mbyllur sytë dhe, ndërsa po kridhej në një kllapi haluçinante, si nga thellësia e një pusi të pafund dëgjoi në zë femre:
– Urdhëro Pasha i Madh! Urdhëro Pasha i Madh!
Ashtu më gjunjë një grua e moshuar, e veshur me të zeza, i kishte zgjatur tasin me kokrrat e shegës. Aliu përpëliti qerpikët dhe së fundi pa gruan në të zeza.
– Kush je ti?
– Nora e Kolgjinajve, e shoqja e të ndjerit Dhimitër Kondukës nga Lekli.
– Aliu picërroi sytë, po këto emra s’ia ngacmuan kujtesën.
– Imzot, – tha gruaja, – kam që në mëngjes që po pres rastin t’ju kërkoj një nder. Jam nënë dhe s’kam turp. Llazon, tim bir, të vetmin, babanë e pesë fëmijëve, e kanë marrë të tutë se nuk pranoi të jepte pagëtyrat që i kërkonin. Pa gjyq, pa gjë po dergjet në burgjet e Janinës! Fale imzot! Edhe sikur vërtet të ketë bërë faj, për hir të fëmijëve që po ia ushqej unë me lakra…
Ndërsa gruaja në të zeza po fliste, – ndoshta ishte ligjërata më e gjatë në jetën e saj – Aliut i shkrepi në kujtesë emri “Nora e Kolgjinajve”. “Qenka ajo” – tha me vete, po asgjë nuk i lëvizi në thellësi të qenies. Ktheu kryet nga dritarja. Sytë i ranë matanë Vjosës mbi shtëpinë e vjetër të Kolgjinajve. “Sikur të kisha mbetur një djalë fshati, me siguri do ta kisha rrëmbyer për grua atë vajzë dhe ai djali i saj, për të cilin po krenohet, do të ishte edhe im bir”. Por Norës i tha pa kthyer kokën:
– Yt bir është kryengritës. Kur kryengritësit nuk i fal as Zoti, si mund t’i fal unë që jam vetë i tillë? Ata ose dënohen ose bëhen vetë zotër. Dhe tët bir nuk do ta fal! Do t’i jap shansin të bëhet zot. Pastë fatin e tij!
Gruaja në të zeza u përkul dhe puthi mantelin e mëndafshtë ngjyrë purpuri të Ali Pashës.
– Vezir i madh! – foli. – Qoftë e bërë! Ti je Vjosa dhe unë e di, Vjosa s’kthehet mbrapsht. – Dhe u largua si hije.
Ali Pasha mori nga tasi një kokërrz shegë dhe e futi në gojë. Shija e saj i dha ndjesinë e shijes së gjakut të freskët.