Artistët shqiptarë elektrizojnë publikun në “Festivalin Ndërkombëtar Multi-Art”, në Kuvajt

Me emrat më të rëndësishëm të artit tonë, solistët e Teatrit Kombëtar të  Operas dhe Baletit kanë korrur një tjetër sukses  në Edicionin e 23-të të “Festivalit Ndërkombëtar Multi-Art”, në Kuvajt.

Himnet kombëtare të dy vendeve, Shqipëri dhe Kuvajt kanë hapur perfomancën e trupës tonë atje.

Programi i koncertit përfshiu kompozitorët më të njohur shqiptar si Çesk Zadeja, Thoma Gaqi, dhe kompozitorët me famë botërore si Lehar, Strauss, Verdi, Rossini, etj..

Në edicionin e 23-të të eventit më të rëndësishëm ndërkombëtar, performuan trupat artistike të vendeve si Meksika, Belgjika, Greqia, Spanja, ndërsa mbyllet me shfaqjen e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me 28 janar.

Një mbrëmje e rrallë në Teatrin internacional multi-art të Kuvajtit. Koncerti Gala i artistëve tanë elektrizoi publikun, i cili shoqëroi me duartrokitje të zgjatura çdo pjesë të repertorit. “Nuk e dinim që Shqipëria kishte një nivel të lartë në fushën e intepretimit operistik dhe muzikës klasike”, – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Nacional për Kulturën, Artet dhe Letrat në Kuvajt, Z.Ali Al Youha .Në mbyllje të koncertit ai tregoi entuziazëm për bashkëpunime të tjera. Vlerësime të tilla ishin të shumta nga personalitete dhe përfaqësues të bizneseve, të cilët shfaqen shumë interes për bashkëpunime me vendin tonë.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve, mori pjesë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar me ftesë të Teatrit të Operas të Kuvajtit, mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Shqiptare në Kuvajt, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të shtetit të Kuvajtit, Sheikh Jaber Al-Mubarak dhe Këshillit Ndërkombëtar të Kulturës, Artit dhe Letrave.

Ky është një event tradicional, ka për synim bashkimin e kulturave të vendeve të ndryshme. Kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe bashkëprodhimit të Teatrit të Operas dhe Baletit tonë me Teatrin e Operas së Kuvajtit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *