Nga Ballsor Hoxha
Është një roman, shumë i rrallë i lexuar nga femrat e shoqërisë sonë, dhe po ashtu i rrallë në “tragjedinë” e përmbysjes dhe nënshtrimit të mashkullit. Personazhi i romanit Zonja Bovari, arrin t’i ikë çfarëdo sistemi dhe shtrese të pushtetit mashkullor, për t’u nënshtruar nga një sistem më i lartë i rendit mashkullor.
Për një sy më profesional, kulturor dhe teorik, për një sy më të informuar, si femëror si mashkullor, zhvillimet kulturore në shoqërinë tonë ngjajnë shumë më shumë eksperimente me dozë të madhe të depersonalizimit, ankthi dhe histerisë femërore. Videot dhe këngët muzikore të femrave të popullarizuara në shoqërinë tonë, për të mundur të arrijnë suksesin e tyre, apo për të arritur efektin e tyre, duhet medoemos të kombinojnë ndjenjën me zhveshje, apo tërheqje seksuale. Është gati se e pamundur të shikosh apo dëgjosh një këngë pa u ndjerë i dhunuar apo i turpëruar, seksi është mjeti dhe metafora e vetme për të shprehur ndonjë ndjenjë në këtë botë. Një prej problemeve më të mëdha shoqërore në rajonin tonë (Ballkanin) është “liria” bashkëkohore e femrës. Është liri e depersonalizuar, apo liri që arrihet vetëm përmes depersonalizimit. Dhe po ashtu një prej arsyeve më esenciale të këtij depersonalizimi është se pikërisht pjesa mashkullore e shoqërisë tonë është e papërgatitur për një liri kaq të thellë dhe gjithëpërfshirëse të gruas. E shumta e përpjekjeve femërore në rrjedhat më të popullarizuara të kulturës sonë krijohen dhe shprehen përmes kopjimit të modeleve të tjera, ose janë përpjekje histerike dhe anksioze të tyre që kalojnë në njëlloj sado-mazohizmi – unë kundër të gjithëve -. Një prej ritualeve më të çuditshme në martesa (ende në përdorim në shoqërinë tonë) është momenti kur dhëndri detyrohet të shkelë dhe ecë me këpucë mbi tepihun e shtëpisë së familjes së nuses. Këto rituale, të mbetura nga kohë jo edhe shumë të moçme, kanë një shpjegim krejtësisht të kapshëm: duke qenë se shkelja mbi tepihun/qilimin e shtëpisë është e ndaluar për të gjithë përpos dhëndrit, qilimi duke qenë i konsideruar nga të gjithë si njëlloj “lëkure” e materializuar në krenarinë e familjes, kjo është një përulje e familjes së nuses para dhëndrit. Pak më tutje kjo do të simbolizonte lejen për mbizotërimin e gruas/vajzës së familjes së nuses. Shikuar në aspektin sociologjik, gruaja/femra në familjen e pjesës dërmuese të shoqërisë tonë është gjymtyrë e familjes e cila shprehet, jetohet dhe jeton përmes meshkujve të shtëpisë deri në martesë e pastaj përmes burrit dhe fëmijëve. Ajo as nuk ka fuqi të pavarur veprimi dhe as nuk ka mundësi zgjedhjeje, në të vërtetë ajo jeton duke u komunikuar përmes mashkullit të shtëpisë. Megjithatë, një prej luftërave ndërnjerëzore më të tmerrshme dhe më të dhembshme në gjithë historinë e njerëzimit është dhunimi i femrave (dhe meshkujve më rrallë) seksualisht, të njërit ndaj tjetrit, të palëve të armiqësuara. Nuk mjaftojnë bombat, vrasjet, masakrat, deportimet dhe dyndjet e pjesëve të tëra të popujve dhe të popujve të tërë, gjatë luftërave, ajo që është më e thella dhe më e tmerrshmja është dhunimi seksual, i nënave, grave, motrave dhe vajzave të armikut. Me fjalë të tjera dhunimi seksual i femrave është një prej plagëve më të rënda të palëve në luftë.
Në kulturën tonë shqiptare, (sigurisht edhe në atë të rajonit) nuk ka një vepër kulturore e cila e shprehë në tërësi femrën: nuk mund të injorohen përpjekje serioze dhe as mangësia e leximeve dhe njohjes së veprave kulturore shqiptare në tërësi nga ana e autorit të këtij shkrimi, mirëpo, ende nuk ka një model në të cilin dhe me të cilin ndërkëmbehen femrat shqiptare, apo nëpërmjet të cilit ato do të ndërtonin një karakter të tyre personal dhe individual. Në të vërtetë individualiteti i femrës është tejet i vobektë dhe gati se mosekzistues në shoqërinë tonë.
“Cest moi” kishte thënë shkrimtari dhe autori Gustav Flober kur e kishin pyetur se “kush apo në bazë të cilës femër e kishte projektuar Zonjën Bovari të famshme”, “jam unë” kishte thënë ai, Gustav Flober-i. Zonja Bovari e romanit me po të njëjtin titull, martohet me një burrë të cilin e nënshtron në jetën e tyre martesore dhe pikërisht për shkak të këtij nënshtrimi ajo ndërton një jetë krejtësisht jashtë normave dhe moralit të një gruaje, qoftë të martuar apo të pamartuar të asaj kohe. Në të vërtetë pikërisht për shkak të nënështrimit të burrit të saj, ajo vazhdon një jetë krejtësisht jashtë normave të shoqërisë së saj. Mirëpo edhe në tërë lirinë e saj, të famshme dhe historike, ajo bjen pre e mashkullit dhe përpjekjes për të përkitur në këtë botë “mashkullore”. Dhe si dënim i duhet të kthehet përsëri e poshtëruar tek burri i saj i martesës. Megjithëse e lirë, e pavarur moralisht, Zonja e Bovari e romanit me po të njëjtin titull, kurrë nuk kishte arritur të shprehte veten; të shprehte dëshirën dhe ankthin e saj femëror dhe njeërzor; krejt çka ajo arrinë në këtë roman është se kalon prej një varësie ndaj mashkullit në tjetrin. Një prej gjërave më interesante të thëna në teorinë mdoerne është ajo e psikanalistit francez Jeacque Lacan, dhe sipas tij femra në tërë njerëzimin kurrë nuk e ka pasur rastin që të shprehet sipas psikës së saj, dhe kjo për shkak se ky psikanalist e konsideron gjuhën si sistem mashkullor, sistem të krijuar, ndërtuar dhe të funksionalizuar nga mashkulli. Ai, derisa flet për këtë problem e merr shembull një nga statujatromake për të cilën thotë se “është krejtësisht e qartë se ajo është duke përjetuar orgazëm, mirëpo (gjithnjë sipas tij), askush nuk mund ta dijë se çka është duke përjetuar semantikisht, çka është duke menduar, apo çka është duke u sjellë në mendjen e saj…”, duek aluduar se kjo është jashtë mundësive të gjuhës apo sistemit gjuhësor të “ndërtuar” nga mashkulli. Shembulli i shënuar më lartë, për njeriun e painformuar psikologjikisht zakonisht ndjellë kujtimin – religjioz – të Sodomoës dhe Gomorës, kujtimin dhe shembujt e përdaljes, përçartjes dhe çorodisë seksuale. Apo thënë më saktësisht çorodia seksuale merret si një nga argumentet për shkak të cilit është dashur të “ndërtohej” bota e re, post Noah-së. Megjithatë sipas çfarëdo teorie, fëmija dhe të gjithë ne sa jemi, kemi një udhë të zhvillimit si trupor dhe shumë më shumë atij psiqik. Dhe e arrijmë këtë kryesisht duke ndërtuar një inxhinieri seksuale, një udhë të ndërtimit të mekanizmit seksual në trupat dhe psikën tonë. Dhe të gjithë këta mekanizma tanë janë të ndërtuar përmes prindërve tanë, nënës apo babait, – kompleksit të Edipit, mekanizmit anal, dhe mekanizmit të ashtuquajtur: mekanizmi i fallaqios: kur fëmija e zhvillon mekanizmin e kënaqësisë përmes gojës.
Pra e tërë udha seksuale, epshi dhe dëshira seksuale, sipas psikologjisë, është e ndërtuar në ndërlidhje me anëtarët e familjes, më për së afërmi më prindërit apo zvendësuesit prindëror. Për të qenë më i saktë tërë mekanizmi i dëshirës seksuale fillon dhe ndërtohet me dëshirën seksuale të fëmijës me, varësisht prej gjinisë apo mekanizmit seksual, me babain apo me nënën e tij. Prapë, kur njeriu i painformuar në teoritë psikologjike dhe psiqike, dëgjon për këtë, kjo është gjëja më e çoroditur e mundshme. Pra është një konflikt ndërmjet shoqërive të vonuara dhe dijeve moderne, megjithëse sipas shkencave shoqërore kjo është tërë historia e zhvillimit të njeriut. Është pikërisht në këtë moment të zhvillimit psikik të njeriut ku ndodh aksidenti ndërmjet kulturës dhe natyrës (biologjisë) njerëzore. Është pikërisht këtu ku ndodh i tërë njerëzimi me: dëshirën seksuale për prindin (apo anëtarin e familjes) dhe ndalesën e pakusht për këtë dëshirë seksuale.
Sipas po të njëjtave teori shoqërore, dhe duke iu kthyer shembullit të Zonjës Bovari, ajo shkallëzon në një përdalje të tmerrshme të jetës martesore pikërisht për shkak të një raporti të mungesës së dashurisë nga babai i saj, nga “dhunimi” i dashurisë naive fëmijërore të Bovarit nga ana a babait të saj. Pikërisht mungesa e një modeli të dashurisë me babain e saj, ajo nuk arrin t’i përshtatet modelit të dashurisë martesore dhe bindjes institucionale të martesës.
Shikuar pak më thellë përmes teorive shoqërore, shpërthimi i saj, përmbysja e autoritetit të burrit të saj, është vullneti i saj njerëzor dhe femëror për të jetuar dhe shprehur veten e saj, femrën në atë. Dhe pikërisht kjo nevojë e saj, e për-skllavëron në një shtresë më të lartë të shoqërisë mashkullore. Pikërisht këtu mund t’i kthehemi ritualit të “nënshtrimit” në raport me dhëndrin i cili detyrohet të shkelë qilimin. Ngjanë një ritual krejtësisht absurd por edhe i rëndë (në kuptimin e tij) mirëpo, pikërisht absurditeti i tij shpreh ankthin dhe rregullin e detyrueshëm institucional të martesës dhe atë domsdoshmërisht ndaj femrës. Pikërisht në këtë ritual – zaptohet – gruaja. Pikërisht në këtë ritual mundet gruaja, dhe pikërisht në këtë ritual determinohet roli i dy të martuarve dhe parandalohet, apo prehet, mundësia për një Zonja Bovari shqiptare.
Depersonalizimi, anksioziteti dhe histeria e femrës bashkëkohore nuk është vetëm nga autoriteti i mashkullit apo ndonjë “plani” për nënshtrimin dhe izolimin e femrës. Është pikërisht pamundësia, dobësia dhe ankthi i vetë mashkullit. Me fjalë të tjera është territor i paprekur ndonjëherë, territor i populluar nga Zonja Bovari shqiptare, por pa më të vlefshmen; dashurinë e ndërsjellë, dashurinë si vlerë për tejkalimin e komplekseve. Pra ka një luftë ndërmjet nevojës dhe mundësisë. Ndërmjet kulturës dhe natyrës sonë njerëzore, dhe janë pjesë e psikikës sonë, andaj edhe përpjekja për më shumë dashuri duhet marrë me kujdes.