Fenomeni ”Jackie”, mbërrin edhe në Shqipëri

Drama psikologjike ”Jackie”është duke u shfaqur në kinematë botërore, por dhe në Kinema Millennium. Në filmin e tij psikologjik “Jackie”, regjisori kilian Pablo Larrain pikturon një portret impresionist të zonjës së parë Jackie Kennedy në ditët e para pas vrasjes së bashkëshortit të saj, John Kennedy më 22 nëntor. Filmi bazohet në gojëdhëna, në ngjarje të raportuara në gazetat e kohës, por edhe materiale arkivore. Ai përbën më shumë një përpjekje të kinematografisë për të nxjerrë në pah kompleksitetin e personalitetit të zonjës së parë, sesa të dokumentojë vrasjen e presidentit John F. Kennedy.

Regjisori Pablo Larrain, përdor tragjedinë për të nxjerrë në pah kompleksitetin e figurës së Jackiet. Ai ndërton fytyrat e ndryshme të saj, atë të ikonës së modës, bashkëshortes, nënës, gruas me shijen e veçantë në dekorimin e Shtëpisë së Bardhë dhe vejushës të fshehur pas trashëgimisë së bashkëshortit të saj. “Ka shumë gjëra që ne dimë prej burimesh të ndryshme dhe i sollëm në film. Ka shumë të tjera që nuk i dimë dhe i krijuam, ndaj ky është një film dhe jo dokumentar”, thotë regjisori Pablo Larrain gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Skenaristi Noah Oppenheim thotë se ai i portretizoi personalitetet e ndryshme të Jacqueline Kennedy-t bazuar në materiale arkivore, por edhe në atë që ai vetë mban mend. “Kam qenë i mahnitur pas Jackie Kennedy-t gjatë gjithë jetës sime. Nëna ime ishte një admiruese e madhe e saj. Ajo ruante çdo gazetë dhe revistë. I shfletoja kur isha fëmijë dhe si student i politikës dhe historisë amerikane e kam admiruar atë gjithnjë”, thotë Oppenheim.

Fituesja e Oscarit, Natalie Portman, ofron me mjeshtëri një interpretim të zonjës së parë enigmatike, shpesh të ndrojtur, e në raste të tjera, dinake, ambicioze dhe të inatosur. “Kur luan rolin e një figure shumë të njohur, kjo përfshin një nivel të lartë aftësie. Qartësisht duhet të arrish të ecësh, lëvizësh, të dukesh sikurse ata, për të tërhequr shikuesit. Dhe kuptohet emocionalisht është një eksperiencë e fortë ajo nëpër të cilën Jackie ka kaluar, pothuaj e pamundur të rrëfehet, për shkak të brengës në jetën e saj, tragjedisë. Kjo është gati në shkallë epike, që ndoshta e bën personin e vetëm në histori që ka përjetuar një eksperiencë të tillë dhe që përpjekja për t’u futur në botën e saj ishte shumë e vështirë”. Pablo Lorrain ndërthur momentet pikëlluese të Jackie-t me ngjarje të lumtura të së shkuarës së saj gjatë dy viteve të presidencës së bashkëshortit. “Filmi rrëfen pjesëza të kujtimeve.

Filmi “Jackie” ngjan më shumë me një dramë psikologjike sesa një biografi. Kujtimet e saj mbi “Camelotin”, variantin e idealizuar të administratës së Presidentit John F. Kennedy, risjellin momente të lumtura, por dhe një anë të errët të çiftit ku tradhtia bashkëshortore dhe presioni politik lustroheshin prej stilit, pasurisë dhe ambicies.Kjo dramë mbi ish-zonjën e parë Jackie Kennedy është duke u shfaqur në Kinema Millennium që prej datës 19 Janar e po vazhdon të shfaqet .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *