Autoriteti dhe pyetësori i parë
Nga Kastriot Dervishi
Autoriteti i dosjeve të Sigurimit të Sigurimit të Shtetit, i ngritur (për pjesën e arkivit të institucionit) në shkelje të neneve 1, 2, 5, 9, 20, 21 të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, u ka dërguar para pak ditësh arkivave të vendit nga një shkresë në të cilën u kërkon dhënien e disa përgjigjeve nëpërmjet disa pyetjeve sa naive aq edhe fëminore. Nga ky pyetësor është e lehtë të kuptohet se ligji i Autoritetit u votua me vrap në vitin 2015 pa pasur informacion nga arkivat mbi fushën e veprimit të tij. D.m.th. ishte më e lehtë të votohej një ligj pa ditur gjë dhe më pas pyetet se a mund të zbatohet ky sesa të bëhej ndonjë veprim i urtë e i mençur. Në teknikën legjislative, që në Shqipëri njihet nga viti 1920 përpara se të hartohet një ligj, bëhet një relacion justifikues, i cili ndërtohet mbi dy shtylla të forta: bazën ligjore ku mbështetet (kushtetuta si dhe mosshkelja e ligjeve të tjera) dhe njohja e fushës përkatëse bashkë me efektet pozitive dhe negative që sjell. Relacioni që u hartua për këtë projektligj, nuk kishte asgjë konkrete, disa fjalë të shpëlara kot më kot, madje as lidhej me thelbin e ligjit. Projektligji u përpilua nga një ministri që nuk ka objekt të punës së saj dokumentet, nuk u bazua në ligjin e arkivave si dhe nuk grumbulloi asnjë informacion nga arkivat. Kësisoj Autoriteti i dha vetes të drejta që ligje të tjera nuk ia japin. Çdo arkiv në Republikën e Shqipërisë nuk mund të krijohet dhe funksionojë pa qenë fondkrijues dhe duke anashkaluar ligjin 9154/2003, apo më keq akoma duke e shkelur atë nëpërmjet prishjes së fondeve arkivore.
Një nga qëllimet për të cilat janë mbajtur “seanca dëgjimore” me “grupet e interesit” dhe që përbën thelbin e ligjit, është se personave që dikur kanë qenë ndjekur nga Sigurimi i Shtetit do t’u bëhet e njohur e ashtuquajtura “dosja e tyre”. Meqë populli është ushqyer për vite me radhë se “Sigurimi i dinte të gjitha” apo se “çdo shqiptar kishte një dosje”, tanimë me miratimin e këtij ligji presim një vërshim të madh për të parë secili hisen e vet të imagjinuar.
Që të mos lodhen shumë u them dy gjëra që nuk do ta marrin në asnjë institucion arkivor: dokumentet trashëguara janë të vendosura në njësi ruajtje dhe në kuti (jo nëpër thasë siç kam dëgjuar sepse edhe më parë dosjet mbaheshin gjithnjë në arka), si dhe 99.99% e personave të jetojnë të ndjekur dikur nga Sigurimi nuk kanë dosje.
Fondi operativ nuk është i ndarë me periudha, është emëror dhe me numra progresive. Ai përbëhet nga dosje të Sigurimit dhe Policisë të hyra në arkiv në rrugë normale nga degët ose Dega e 4-t, pasi ishin gjykuar nga kartotekat vendore dhe ajo qendrore me rëndësi historike. P.sh. dosja nr.1 i takon ish deputetit Irfan Majuni, i pushkatuar me grupin e deputetëve në vitin 1947. Dosja e tij formulare nuk ka asgjë më shumë sesa ajo hetimore-gjyqësore dhe nuk përmban asnjë element informacioni të klasifikuar. Të 277 faqet e saj nuk kanë asgjë të veçantë, etj.
Me këtë rast, u bëj një thirrje miqësore emetuesve të deklarimeve publike në mënyrë që të mos konsumojnë gjëra të paqena. Në dosjet e trashëguara nuk ka informacione për persona të zhdukur apo skema varrimi.
Në këtë pyetësor me kutia si skedinë lotarie spikat pyetja “a janë asgjësuar dokumente të ish Sigurimit në institucionin tuaj?”. Me sa duket ende nuk e dinë skedëhartuesit e pyetësorit se në arkiva hyjnë dokumente të përhershme dhe nuk kryhet proces asgjësimi. Këtë e kanë bërë institucionet që kanë krijuar dokumentet, kryesisht degët e punëve të brendshme. Dosjet e Sigurimit, administrative apo ato të kartotekës janë asgjësuar me procese normale nga viti 1945 e deri në vitin 1991. Në atë kohë shumica e tyre konsiderohej e përkohshme dhe vetëm një pakicë hynin në arkiv. Ndërsa posaçërisht në vitin 1991 ndodhi asgjësimi masiv mbi urdhrat e dhënë nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Për këtë arsye ligji i Autoritetit ishte i panevojshëm për Shqipërinë. Nëse do ishte ndaluar katastrofa e vitit 1991, ndoshta mund të kishte nevojë sot për ndonjë komision qeveritar.
Asnjëherë nuk ka pasur “Arkiv Sigurimi”, sepse ka qenë vetëm Arkivi i MPB-së, unik për të gjitha drejtoritë, degët dhe repartet e kësaj ministrie. Ky arkiv, i keqtrajtuar në mënyrën më barbare nga shteti, me mungesë investimi, shkurtime të kuadrit, etj, u cenua në vitin 1993 kur në kundërshtim me ligjin e atëhershëm të arkivave, SHIK i kohës tërhoqi fondin operativ dhe mesa duket tani do kemi shkatërrimin përfundimtar duke gjymtuar fondet arkivore.
Është krejt ndryshe Stazi në ish Gjermaninë lindore sepse atje Sigurimi ishte në rang ministrie dhe grupi i dokumenteve ka qenë unik dhe tërësisht në një institucion. Duke kopjuar një ligj pa lidhje me Shqipërinë, ideatorët e ligjit kanë arritur në një pikë që rrezikojnë seriozisht disa arkiva të rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet procesit të ndarjes e copëzimit të fondeve arkivore. Çdo ndarje e fondeve arkivore, zhvendosje e tyre, qarkullim, rindërtim, etj, është me pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për rrjetin arkivor të Republikës së Shqipërisë.u