135 vjet nga lindja e Imzot Nolit, intelektuali e diplomati i shquar i shekullit të kaluar!

Muzeu Historik Kombëtar përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka kujtuar lindjen e poetit Fan Stilian Nolit, më 6 janar të 1882.

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog, Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë, i cili vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme.

Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938, mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.

Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.

2 comments

  • Do te ishte fitore ,ndoshta, per Shqiperine ,sikur ky erodit I gjithe anshem ne culture dhe aktivitetet ,qe kreu per Shqiperine dhe shqiptaret, te ishte edhe nje politikan democrat !!!

    Reply
  • DOte ishte fitore,ndoshta , per Shqiperine, sikur ky erodit I gjitheanshem ne culture dhe aktivitetet, qe kreu per Shqiperine dhe shqiptaret, te ishte po edhe aq nje politikan democrat !!!

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *