-Prisni të rritem! – dikur u kam thënë,
Barit në oborr dhe maces së larme,
Maces së larme dhe pjergullës së madhe,
Pjergullës së madhe dhe vajzës së rritur,
Vajzës së rritur dhe foshnjës së mitur,
Foshnjës së mitur dhe shiut të dendur,
Shiut të dendur dhe pleqve një shekull,
Pleqve një shekull dhe portës së hekurt,
-Prisni të rritem! – dikur u kam thënë.
Me kohë shkrova vjersha dhe historira,
Për pleqtë e përjetshëm dhe vajzat e mira,
Shkova t’i gjeja dhe u trondita.
Të rritesha unë ata s’paskan pritur!
Bari është tharë dhe macja ka ngordhur,
Macja ka ngordhur dhe pjergulla është lodhur,
Pjergulla është lodhur dhe vajzat janë thinjur,
Vajzat janë thinjur dhe foshnjat janë rritur,
Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur,
Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur,
Pleqtë kanë vdekur dhe porta është ndryshkur,
Shumë qenkam rritur dhe dot s’më kanë pritur!
Ngadalë paskan shkuar dhe befas jam zgjuar
Duke lënë ca shenja dëshire dhe punë,
Me të cilat do të flasin fëmijtë dhe miqtë
Kur të mos jem unë.
Nga libri: “Mos më pyet ku kam qenë”, Botimet “Naim Frashëri” – 1988; Toena – 2016