Situatë alarmante nga epidemia e gripit: Në gjithë vendin mbi 18 mijë të prekur

Vendi ynë është përfshirë nga epidemia e gripit tanimë, pasi në një javë rezultojnë mbi 18 mijë të prekur në mbarë vendin. Të paktën kjo është shifra e pacientëve të regjistruar, por numri mund të jetë edhe më i madh, pasi shumë qytetarë nuk paraqiten për të kërkuar ndihmën e mjekut.

Shefi i Epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Shkodër, Artan Mesi, thotë se situata gripale është në rritje, edhe për shkak të përhapjes së virusit, por edhe nga temperaturat e ulëta.

“Situata gripale është në rritje. Kurba e të prekurve nga virozat gripale është shumë e lartë. Në Shkodër regjistrohen 700 raste në javë. Vetëm sot është raportuar për 100 raste në një qendër shëndetësore. Në Shqipëri mbi 18 000 raste. Ka ardhur vaksina, dhe tashmë po shpërndahen”, tha Artan Mesi, shefi i Epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Shkodër.

Virusi AH3N2 nuk është më agresiv nga virusi AH1N1 që qarkulloi në vendin tonë. Virusi ka prekur çdo moshë, por format më të rënda i kalojnë fëmijët e vegjël, të cilët kanë tejmbushur shërbimin e urgjencës në pediatri. Por, specialistët i kërkojnë të bëjnë kujdes të moshuarve dhe atyre që kanë sëmundje.

Vaksina mund të bëhet në çdo kohë dhe mbron popullatën nga format e rënda të gripit, pasi edhe pse ende nuk ka asnjë rast humbje jete të konfirmuar në rrugë laboratorike deri më tani, gripi mund të shkaktojë edhe vdekje. Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje për të shmangur ambientet e mbyllura dhe kujdes të veçantë ndaj higjienës, si mos hedhja e facoletave vend e pavend apo larja e herëpashershme e duarve.

Sakaq, në masat e mara nga Ministria e Shëndetësisë parashikohet që çerdhet, kopshtet e shkollat të qendrojnë mbyllur deri më 9 janar. Edhe Kryeministria njoftoi se deri të hënën do të ishin pushim edhe punonjësit e administratës që kanë fëmijë të vegjël./ Balkanweb

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *