Nga Arjan Kallço
Origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe ka të bëjë me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore të këtij qyteti dhe në jetën e saj 150–vjeçare numëron shtatë breza serenatistësh. Do të zhduket vallë kjo traditë? Brezi do të krijojë këngët e veta, apo do të ndërthurë traditën me risinë?
Një dhuratë e disa të rinjve të një zyre krijuese të qytetit, një broshurë dhe CD, do të mjaftonte që të shkoja larg në kohë, në vitin 1986, kur ishim studentë dhe një nga proceset e mësimit atëherë na çonte në qytete të tjera afër kryeqytetit për t’i kryer ditët e përgatitjes, që ndryshe quhej stërvitje ushtarake.
Në pauzat, në kohën e lirë, një kitarë bashkë me mikun tim Leka Topalli, një korçar dhe një pogradecar dhe i gjithë grupi, na mblidhte bashkë që t’i këndonim këngët e shumta respektive të traditave tona shqiptare. Natyrisht mes tyre kishte këngë të ndryshme, por vëmendja ndalej tek ato këngë të mësuara gjatë viteve dhe që ne i quanim këngët me “dhemkë”, ose serenatat. Por vazhduam t’i këndonim edhe më tej gjatë katër viteve të shkollës, kudo që kishte një festë, apo ndonjë rast që t’i këndonim.
Që kur njeriu lindi në tokë e deri më sot, kënga ka qenë bashkudhëtarja e tij, edhe atëherë kur nuk kishte instrumente muzikore, ishin shenjat, figurat, gjestet që, ndonëse nuk ishin shoqëruar me melodi, ishin vetë melodia, sepse i dedikohej vajzës së ëndrrës, reale, apo për atë që e zhyste në mendime. Kënga duhet parë dhe konceptuar, sipas shkallës së zhvillimit të vetë shoqërisë që, krahas nevojave për ushqim, mendoi dhe për ushqimin shpirtëror, të pandashëm dhe të domosdoshëm. Por serenata në kuptimin e saj të vërtetë lindi me Rilindjen e madhe europiane, kur njeriu u çlirua nga shumë zgjedha dhe ai zuri vendin kryesor në mendjen dhe filozofinë e kohës.
E kjo serenatë këndohej njëlloj, me të njëjtin dedikim si në Itali, Napoli, në Spanjë, Sevillje, ashtu dhe te ne, në Korçë e në shumë qytete të tjera. Muzika është shpirti i një populli që i këndon jetës në kompleksitetin e saj dhe nuk mund të lihet pas dore, apo më keq të harrohet. Ndaj të hulumtosh nëpër historinë e traditave të një populli, apo të një qyteti, do të thotë të përpiqesh të gjesh dhe t’i sjellësh mundësisht në versionin origjinal ato tradita dhe elemente të saj që memoria të jetë gjithmonë e gjallë. Këtë synim kishte dhe një projekt i qendrës krijuese të Bashkisë Korçë, me seli tek ish-biblioteka e qytetit (shpresojmë që një ditë të mund të ketë projekte dhe për ringjalljen e vetë bibliotekës), kur i dhanë jetë idesë që këngët e serenatës, natyrisht jo të gjitha, t’i mblidhnin dhe t’i sillnin në një CD, të shoqëruar me një broshurë me tekstet e këngëve të kënduara në vite.
Njësia krijuese është munduar që në një periudhë gati njëvjeçare të jetës së saj të sjellë krijime, ide, projekte të ndryshme që lidhen ekskluzivisht me traditat e qytetit – shprehen të rinjtë e saj. Serenata është një traditë që i përket qytetit dhe këto janë wordpress vlera që duhen nxjerrë në pah, prandaj ky projekt synon që traditën e bukur të këngës t’ia servirin brezit të ri dhe atyre që do vijnë – vazhdojnë ata – pasi vihet re një lloj largimi dhe ftohje ndaj traditës, ose më keq largim të plotë nga traditat.
Sigurisht kohët moderne e kanë ndryshuar pak skenën e serenatës, ku djali shkon poshtë dritares dhe i këndon vajzës së dashur, por ka plot mundësi që këto këngë edhe sot të këndohen në festa të ndryshme gjatë gjithë vitit, qoftë familjare apo shoqërore. Te hyrja e broshurës theksohet se origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe ka të bëjë me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore të këtij qyteti dhe në jetën e saj 150–vjeçare numëron shtatë breza serenatistësh. Do të zhduket vallë kjo traditë? Brezi do të krijojë këngët e veta, apo do të ndërthurë traditën me risinë?
Koha është vërtetësia më e paanshme dhe e pashmangshme. Ndër titujt e këngëve që gjenden në këtë broshurë mund të përmendim “Bjere pra kitarën”, “Desha të rroja në vetmi”, “Jorgjica”, “Parodi korçare”, “Lulja në saksi”, “O Korça ime sa je zbukuruar”, “Se vitet ikin tutje”, “Kitara ime vajton” etj.
Ky projekt synonte që të gjendeshin këngët bashkë me tekstet dhe muzikën origjinale të kënduara në vitet e krijimit të tyre, pse jo dhe të këngëtarëve që i kënduan ato plot pasion dhe dëshirë – thonë ata. Një sipërmarrje e tillë nuk mund të realizohej vetë, pa ndihmën dhe bashkëpunimin me disa faktorë kryesorë të traditës dhe të ruajtjes së saj, që nga shkrimi i projektit e deri te publikimi i broshurës dhe dalja e CD, ku mund të përmendim financimin e Bashkisë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Krahinës autonome të Korçës, nën siglën 100 vjet muzikë.
Kontribut të çmuar në këtë projekt dha Pallati i Kulturës, Radio Tv Korça, këngëtarë dhe kompozitorë të njohur të qytetit dhe të serenatës, si dhe disa këngëtarë që sot e mbajnë lart traditën, në koncertet e shumta brenda dhe jashtë vendit. Por projekti nuk përfundon këtu, pasi në optikën e Njësisë janë dhe disa volume të tjerë me këtë lloj muzike. Repertori i gjerë i serenatës ka plot këngë që janë të dëgjuara dhe të kënduara në gëzime e festa, por që tekstet e tyre nuk njihen plotësisht. Një ide tjetër e të rinjve të qendrës është që të mblidhen edhe këngët e grupeve amatore të periudhës deri në vitin 1990 dhe të publikohen në një vëllim më vete.