Pier Paolo Pasolini
Pyes veten ç’nëna vallë keni patur.
Nëse do t’ju shihnin tani të shtruar
në një katandi që shohin tuhatur,
zvarrë në një qerthull të pamatur
sprovash që ato s’patën ndër duar,
ç’vështrim në sy do t’u gëlojë?
Po sikur të ishin atje, ndërsa bëmat
përpiloni, të përunjur dhe allasoj,
apo ja hidhni ndokujt t’i korrigjojë
i kërrusur pazareve, do t’ju njihnin nënat?
Nëna burracake, fytyra me ligështinë
e stërlashtë, atë që si një flamë
ngërdhesh trajta plot zbardhëllimë
q’i turbullon, harrojnë butësinë,
i struk në doke mospajtuese pa grahmë.
Nëna burracake, në merak të shkretat
që bijtë burracakërinë të mëtojnë
për të kapur një rrogë, të hedhin grepat,
kurrë mos kundërshtojnë shefat
kështu gjindjet s’do t’i mëshirojnë.
Nëna të rëndomta, mësuan kaherë
me përunjësi çupëlinash, prej nesh,
të vetmen krejt lakuriqe vlerë,
me xhinde të kësaj dynjaje të nderë
që as lumturi e as dhimbje s’të mvesh.
Nëna të rëndomta, për ju asndonjë
fjalë dashurie kurrë s’e patën,
përveç dashurisë së qorruar pa zë
të bishës, e ju bënë burra me të,
të pamundur zemrës t’ja ndjeni uratën.
Nëna sahanlëpirëse, zakon me mot
kanë që të ulin kokën pa çiltërsi,
e të dendin barkun e tyre përplotë
me të fshehtën e moçme e të ndotë:
të ngopeni me thërrime në ndonjë gosti.
Nëna sahanlëpirëse, ju kanë mësuar
sesi kopili mund të jetë i begatë
duke urryer shokun, njësoj të robëruar,
të jetë sot tradhëtor e nesër i shenjtëruar,
i paprekur, ndaj besës i pangratë.
Nëna harbute, me kthetra, si kulaku,
mbrojnë çka në torbë kanë shtënë,
rrogën dhe ç’u kërkon meraku,
si me mllefin e kujt thërret haku
a cytet prej ndo’ ngujimi të paqenë.
Nëna harbute, ato juve u thanë:
Ruani de kokën! Vetveten së pari!
Nderim e mëshirë shtyjini mënjanë,
në kraharor mbajeni si kamë
integritetin tuaj prej grabitqari.
Burracake, të rëndomta, sahanlëpirëse,
Harbute të shkretat tuajat nëna.
Nuk u nxihet faqja teksa ju dinë se
– në inatin tuaj – jeni bishtpërpjetë, nëse
kjo s’është një luginë plot me gjëma.
Kështu e juaja do të jetë kjo botë:
mes dy gjakrash që s’mpleksen kurrë,
a dy vatanesh në pritë, krejt e kotë
të hiqesh ndryshe: që t’i gjegjesh sot
dhimbjes së egër të të qenit burrë.
Shqipërimi nga origjinali,– Edon Qesari
Foto: Pier Paolo Pasolini dhe aktorja e mirënjohur romane Anna Magnani përgjatë xhirimeve të filmit “Mamma Roma” (1962).