Nga Enkel Demi
Kemi dalë nga Konvikti i Zdrales nja një orë para mesnate dhe u lëshuam në rrugët e qytetit të pllakosur nga terri. Ishim katër-pesë çuna të veshur si mos më keq. Një fill ere na priste si tel. Me duart rrasur ndër xhepa po shkonim në Varrezat e Rrmajit. Atje do të thuhej mesha e Kshnellave. Festë në mes të varreve për ne që vinim nga gjithë anët e Shqipërisë, ca gegë e ca toskë, ishte çudi e madhe. Kjo qe arsyeja përse i jepnim këmbëve për të shkuar drejt një feste që askush prej nesh nuk e kuptonte. Kaq të dhënë ishim pas kërshërisë sa nuk e kishim pyetur njëri-tjetrin: “Po ne kujt i përkasim?”.
Rrugëve njerëzit mbanin nga një qiri në dorë për të bërë dritë. Dukeshin si xixëllonja me ato pikëza të kuqe. Ishte një qetësi e plotë. Dëgjoheshin urime, por dhe ato të thëna me zë të ulët. Nuk ishte ajo tollovia e Vitit të Ri. Bënim çudi si ka mundësi që kjo festë për ta ishte më e rëndësishme se këmbimi i viteve, ku ne do hanim gjel deti, përshesh dhe do ndiqnim programin e Televizionit Shtetëror, një skeç, një këngë dhe sërish një skeç.
Për herë të parë dhe të vetme kam hyrë në një varrezë natën. Për herë të parë pamë që varret në Shkodër ishin krejt ndryshe nga ato, ku kisha përcjellë babën një vit më parë në Tiranë. M’u duk vetja si në një muze të hapur, në të cilën banesa e fundit ishte monument. Me gjasë Këta njerëz e kishin shtëpinë më të mirë në ditën e mbrame se gjatë gjithë jetës së tyre në ato kuti shkrepsesh, ku na kishte ndryrë mendja e sëmurë e arkitektit të izolimit. Ne, të gjithë çunat e Zdrales vinim dorën në zjarr që merhumi qe djalli vetë.
Më vonë, shumë më vonë mësova që në Varrezat e Rrmajës kanë gjetur paqë Koli Idromeno, Marubët, Hilë Mosi, Filip Shiroka, Loro Boriçi apo fotografët e famshëm Shan Pici, Pjetër Rraboshta. Atje ishin varret e familjeve në zë si Muzhanët, Serreqët, Çurçiat, Topallët, Sumajt, Lukajt, Gurashët, Saraçët, Markagjonët. Por, kjo nuk ishte gjë që mësohej atë natë, sepse nuk kishim shkuar për të vdekurit, por për të gjallët.
Meshën e udhëhoqi një prift i shkurtër, i vogël fare që qëndronte në mes të kapelës. Ishim larg, pothuaj në fund të gjindjes dhe bënim mund për të dëgjuar e kuptuar. Të vetmen lutje që arritëm të rrokim disi ishte “Ati ynë…”.
– “Qenka si te Migjeni”, thotë dikush nga ne.
– “Jo, o burrë është ndryshe, por ai e ka shtrembëruar pak.”
Studionim letërsinë në Institut, gjuhën shqipe, por një libër të shenjtë pak më vonë e kemi shfletuar. Unë kisha në shtëpi veprën e plotë të Migjenit dhe një libër me poezi të Fishtës, me kapak lëkure, të cilin nuk e di pse baba e kishte vënë në krye të bibliotekës para se të nisej për atë botë. “I dbuemi” qenë do vargje, thua se i kishte shkruar për gjyshërit e mi.
Brenda asaj kapele mes varreve, ai prift që udhëhoqi meshën ngjante sikur qe në grykën e një shpelle. Njerëzit i dhanë sho-shoqit shenjën e paqes dhe ne u përqafuam pa na thënë kush.
Filluan të gjithë të shpërndaheshin me pikat e qirinjve në dorë si xixëllonja. Ikëm dhe ne tash pas mesnate drejt dhomave tona të ndyta për të bërë një sy gjumë.
– “Po, ne kujt i përkasim?” mbeti edhe atë natë pa përgjigje. U desh udhë e gjatë, kohëra të mira dhe të këqija, lexime, bindje, dyshime, debate, katekizëm për ta mësuar se kujt: “Ne jemi populli i Zotit”./ 27.al