Bisedë me një murg budist mbi meditimin, karmën, ekzistencën e njeriun: Pse jeta jonë shkon keq kur bëjmë mirë dhe si mund ta ndryshojmë të ardhmen!

Meditimi e joga tashmë po përdoren gjithnjë e më tepër në të gjithë botën nga një numër i madh njerëzish për arritjen e mirëqënies mendore.

Ka qindra njerëz që flasin për të mirat që sjell meditimi i përditshëm, eksperienca të cilat shpesh na duken edhe të dyshimta për një zgjim të ndërgjegjes, të mendimeve, të vetes sonë të fshehur, të vetëshërimit…

Gjithkush mund të lexojë në internet apo në libra, teori dhe pikëpamje të ndryshme mbi këtë filozofi të vjetër të budistëve, e cila sot, jo pak herë konsiderohet edhe si luks.

Një “luks” të tillë për mendjen patën shansin ta provonin edhe shumë njerëz në Tiranë gjatë South East Europe (SEE) Peace Summit, ku prezent ishin dy murgj budistë. Prej disa vitesh kam lexuar për filozofinë budiste, për meditimin, rimishërimin, fuqinë që fsheh mendja deri tek librat e autorit amerikan, psikoanalistit Brian Weiss. Kur ai flet për jetët e shkuara dhe ndikimin që ato kanë në jetën tonë aktuale apo raportet që kemi me njerëzit që na rrethojmë e duam në këtë botë, duke sjellë eksperiencën e tij personale si mjek me pacienten Katerina, është e pamundur të mos futesh brenda një topthi magjik.  Arrin të perceptosh e ndjesh se përtej gjithçkaje që të është mësuar, ekziston një vend ku mundesh të zbulosh më thellë atë çka je; por jo atë prej vendit ku ke lindur, ku je rritur, ku jeton, prej punës që bën apo partnerit që ke.

Është një vend ku nuk mund të shkosh aq kollaj, por nuk është as e pamundur. Gjithçka varet nga ty. Kjo është filozofia që budistët praktikojnë; të futesh në ato thellësi të mendjes, të fshehura prej asaj çfarë na mësohet përditë, të cilat kur pastrohen si uji pas një turbullire na shfaqin qartësisht gjithçka jemi dhe pse.

Meditimi bëhet pikërisht për të gjetur balancën e humbur brenda dhe jashtë mendjes, shpirtit dhe fizikes; për të pastruar mendimet e dëmshme, të panevojshme me të vetmin qëllimin për të parë qartë brenda vetes dhe përtej.

Kisha folur me Fleura Shkëmbin për të bërë një intervistë me murgun që vinte nga Tajlanda dhe e gjeta veten në sallën e caktuar për seancën e  meditimit. Intervista pas meditimit do ishte më mirë edhe pse duhet të them se në fund të seancës murgu iu përgjigj të gjitha pyetjeve të njerëzve ( aq sa mu duk se intervista ime u konsumua)  që përjetuan atë eksperiencë, pyetje të cilat nuk kishin fund. Të gjithë duan të jenë të lumtur!

Kur e pyeta John Paramai Dhanissaro, murgun nga Tajlanda rreth dyshimit që shumë njerëz mund të kenë për efektin real të meditimit tek njeriu mu përgjigj se “Nëse unë tani të përshkruaj Tajlandën, malet, natyrën, njerëzit dhe të them ka kaq shumë bukuri, çfarë do  të mendosh ti rreth saj është një gjë komplet tjetër nëse ti shkon vet atje dhe e përjeton si udhëtim. Kështu është edhe meditimi. Ti duhet të shkosh vet. Nuk është një rrugë që mund ta njohësh me të dëgjuar apo me të treguar”.

Si është jeta e një murgu?

Jeta e një murgu budist është së pari praktikimi i një displine, pasi jeta sot ka kaq shumë shpërqëndrime, për shkak të teknologjisë, apo sepse njerëzit duhet të punojnë shumë. Që të jesh i ndriçuar mendërisht nuk mundesh ta arrish nëse jeton si të gjithë njerëzit e tjerë, prandaj ne jetojmë të veçuar, zakonisht në një tempull. Nëse nuk ke kohë për të medituar, sepse gjithçka bëhet për të pastruar mendjen dhe mënyra më e mirë është përmes meditimit.

Qëllimi i të qenit murg është veç për të mirat personale apo edhe për të ndihmuar të tjerët?

Ti nuk mund të ndihmosh një njeri që është duke u mbytur, nëse nuk di not vet. Kështu që për të qenë murg duhet fillimisht të mësosh të notosh dhe pastaj nëse je një notar i mirë, mund të shkosh dhe të ndihmosh të tjerët, ata që janë duke u mbytur. Duke e nisur nga vetja nuk është shenjë egoizimi, por ne duam së pari të ndihmojmë veten, pastaj të jemi në atë pozitë apo gjendje ku të mundemi të ndihmojmë të tjerët.

Si mund ta gjejnë njerëzit normalë sot atë balancë mes shpirtërores dhe materiales?

Nëse dikush më pyet si murg, do thoja se njerëzit sot e kërkojnë lumturinë nga gjëra jashtë vetes së tyre. Ndërsa ne si murgj e kemi për detyrë, që ta gjejmë këtë lumturi brenda nesh.  Pra nëse ti praktikon këtë princip në jetën tënde, atëherë ajo do të jetë më e mirë. Dhe ti duhet të kuptosh për çfarë ke nevojë dhe çfarë dëshiron nga ana tjetër.  Ti nuk mund të kesh nevojë për gjithçka për të qenë i lumtur, sepse shpesh thuhet “kam nevojë për atë gjë, për atë punë, për atë person për të qenë i lumtur. Kështu ti e var gjithë ekzistencën e lumturisë tënde tek të tjerët dhe kjo pastaj çon në palumturi.

Po për njerëzit që besojnë se ka një Zot që ka rezervuar një rrugë për secilin prej nesh?

Në filozofinë tonë çdo gjë përcaktohet nga veprimet tona,  ajo që ne e quajmë karma.  Pra nëse ti bën diçka në jetën tënde, ajo gjë  do të përkthehet në disa pasoja konkrete, disa prej të cilave mund të jenë të mira e disa të tjera të këqija. Por kjo varet e gjitha nga veprimet tona.

Në këtë jetë… por si lidhet kjo me veprimet në një jetë të shkuar?

Karma në njëfarë mënyre dikton atë çfarë ne jemi sot. Ti je prej veprimeve  të tua  në të shkuarën apo jo? Nëse  ti punon shumë,  nëse ke një punë të mirë, nëse nuk shqetësohesh shumë në punë, kjo ndodh për shkak të karmës në të shkuarën. Gjithashtu ne kemi karmën e mirë dhe karmën e keqe. Thënë ndryshe nëse mbjell mollë, do të hash mollë.  Nuk mund të mbjellësh mollë dhe të presësh të hash banane  Si përfundim edhe pse nuk mund të ndryshojmë karmën tonë dhe atë që kemi bërë në të shkuarën, ne mundemi ta bëjmë atë më të mirë për të ardhmen. Disa njerëz thonë shpesh: ‘hej nuk është e drejtë. Në jetën time, qëkur kam lindur  deri tani s’i kam bërë asgjë të keqe askujt, por përse atëherë gjëra të tmerrshme dhe të këqija vijojnë të më ndodhin në jetë. Kjo logjikë nuk funksionon”. Kjo ndodh për shkak të “kurthit të kohës”, të gjërave të bëra përtej kohës në të cilën jetojmë. Në filozofinë  budiste karma ekziston dhe të shoqëron përgjatë gjithë jetës. Dhe karma nuk funksionon veç brenda një jete. Nëse mbjell një pemë tani, frutat e saj  i merr më vonë, në varësi të asaj çfarë mbjell. Ndaj dhe karma do njëfarë kohe që të funksionojë.

Po nëse një fëmijë i sapolindur vdes, nga lufta apo diçka tjetër si funksionon karma?

Besoj se nuk e ke kuptuar mirë parimin e karmës. Karma e një fëmije, qoftë dhe kjo që thua ti është krijuar nga ky fëmijë në një jetë të mëparshme.

Po thua që çdo gjë  që ndodh në këtë botë…

…është e vendosur  nga veprimet tona të së shkuarës.  Ne thjesht nuk e kujtojmë atë, por mundemi përmes procesit të meditimit.

Ju nuk besoni në një Zot si të krishterët apo myslimanët, ju besoni se të gjithë jemi pjesë e një energjie më të madhe, universit…

Ne besojmë në Dharma. Ne besojmë se është një fuqi e madhe e quajtur Dharma, e cila është  një fuqi supreme dhe ekziston kudo. Kjo fuqi është gjithashtu brenda teje ndaj duhet ta kërkosh dhe kur bëhesh njësh me atë fuqi,  ti mund të lidhesh me gjithë universin, bëhesh i “ndriçuar” dhe kupton gjithçka.

Gjërat jashtë nesh, ne besojmë se nuk janë të përhershme. Natyra e botës sonë është se gjërat janë të pakontrollueshme, nuk mund të kontrollosh gjithçka në këtë botë, sepse kur përpiqesh ta bësh dhe nuk ia del bëhesh i palumtur. Ne duhet të kuptojmë se mund të bëhemi të lumtur thjesht duke kuptuar natyrën e botës sonë.

Beson se kur njerëzit luten,  ajo energji supreme i dëgjon ato?

Unë besoj se ne duhet të punojmë më shumë për të ardhmen tonë. Duhet të fillojmë  të vendosim për të ardhmen duke bërë diçka pozitive dhe duke e nisur që tani. Ndonjëherë mendimet  janë thjesht një pjesë e së ardhmes sonë, por nëse ato do të bëhen realitet kjo varet nga veprimet tona. Nëse bën një lutje, ose nëse përpiqesh të  bësh gjithçka pozitive duke u lutur, mund të jetë një ëndërr e bukur,  por nëse nuk i përkthen ato në veprime konkrete atëherë nuk  do të arrish të kesh të ardhmen që dëshiron.  Por megjithatë besoj se lutjet dhe shprehja e dëshirave i bëjnë ëndërrat tona të duken më qartë.

Një nga  pyetjet më të mëdha të njerëzit sot është; çfarë jemi dhe nga kemi ardhur në Tokë. Si i përgjigjet kësaj pyetje një murg budist?

Këto janë pyetje shumë të vështira për t’iu përgjigjur, sepse ndoshta më duhet të thellohem më tepër. Por unë besoj se ne jemi krijuar nga energjia supreme për të pëmbushur një qëllim dhe ai qëllim është gjetja e lumturisë brenda vetes dhe largimi i gjithë asaj energjie negative së pari nga vetja e pastaj nga bota./ Bisedoi:Jonida Hitoveizi/ Falenderime Fleura Shkëmbit për mundësinë e krijuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *