Nga Vincenzo Cardarelli
Po, të vdesësh,
vdekja mos të të turret.
Të vdesësh i bindur
se një udhëtim i tillë, më i miri është.
Dhe n’atë hop të mbramë të jesh gazmendshëm
siç kur minutat numëron
në sahatin e stacionit
e çdonjëri prej tyre një shekull vlen.
Meqenëse vdekja është nusja besnike
që dashnoren tradhtare këmben
s’duam ta pranojmë si të paftuar,
as t’ia mbathim me të.
Shumë herë u nisëm
pa lamtumirë!
Në çastin që kohën
do kaptojmë në një grimë,
kur edhe kujtesa
për ne do venitet,
lërna, o Vdekje, botës t’i japim lamtumirën,
jepna kohë.
Hapi i përbindshëm
të mos jetë i rrëmbyer.
Kur mendoj për vdekjen e beftë
më ngrin gjaku.
Vdekje, mos më rrëmbe
por së largu trokit
dhe si mike më merr
si vesi im i fundmë.
Përktheu: Beti Njuma