Një shqiptar buzë Senës

Nga Luan Rama

Ai së pari është një shqiptar, pastaj një piktor, një piktor në Paris dhe për më tepër buzë Senës që rrjedh përmes këtij qyteti gjithë hire të kënduar nga poetët më të mëdhej të Francës, nga François Villon tek Prevert, Aragon, Eluard e deri tek Bonnefoy i ditëve tona. Buzë Senës që rrjedh shtruar si në një këngë të vjetër, që përshkon mespërmes qyteti dhe ikën tutje drejt veriut për tu derdhur në La Manche.

Niko Dhales ka 15 vjet që jeton e pikturon në Paris. Piktura e tij është e lidhur me peizazhin, akuarelin, vizatimin, asnjëherë një pikturë kavaleti apo në vaj. Dhe në to është gjithnjë Parisi, Sena, magjitë e krijuara nga dora njerëzore në pothuaj njëmijë vjet, që kur u ngrit katedralja e «Notre Dame», për të krijuar Parisin dhe për ta zhvendosur kryeqytetin disa kilometra më në jug nga Saint Denis, nga varret e mbretërve të parë të saj. Në pikturat e tij, veç Senës, gjen më shpesh Notre-Dame, Eiffel, Musée du Louvre apo Musée d’Orsay, etj. Ne lemë për një çast Senën dhe ngjitemi drejt kafenesë në Saint-Germain që quhet «Les Deux Magots», ku nën vëzhgimin e një Hemingway, të një Sartre e Simone Beauvoir, apo të Picasso-s me të dashurën Dora Mar ulur shkallëve në fotografinë që kam në krah të supit, ne bisedojmë për akuarelet e tij dhe frymëzimet parisiane. Madje është një nga kafenetë më me emër të Parisit që ai e ka pikturuar ashtu si dhe shumë të tjera.

Dhe rrugës kujtojmë udhëtimin e Sadik Kacelit kur në fund të viteve ’30 studionte pak hapa më tutje në Akademinë e Arteve në Rue des Beaux Arts dhe këto rrugë më vonë i kujtonte me një nostalgji të jashtëzakonshme. Një herë, në një takim me të, shumë e shumë vite më parë në Tiranë, duke kujtuar Parisin, ai më tregonte dimrin parisian kur ishte i detyruar të dilte buzë Senës dhe të pikturonte një peizazh dhe ku duart mezi i lëvizte nga të ftohit e madh. Por tani, kushtet janë të tjera dhe siç më thotë miku im «ne sot kemi komoditete të mëdha dhe nuk përballemi me vështirësitë e dikurshme të artistëve». Ai e ka njohur nga afër Sadikun dhe unë e pyes se cilët peizazhistë shqiptarë preferon veç tij.

– Sigurisht, duke filluar nga Mio e duke vazhduar me Zajmin, Sali Shijakun e të tjerë apo me piktorët më të vonshëm si Mustafa Arapi, Adrian Devolli, etj.

Dhe kështu, duke pirë një çaj, ai kujton vitet e hershme të tij kur filloi pikturën në Liceun Artistik të Tiranës e më pas ngulmi i tij për të vazhduar akademinë, por që s’mundi në atë kohë. Kujton me mall profesorët e tij, në veçanti Kleanthi Naste dhe Skënder Lako, të cilët që të dy nuk jetojnë më.

– Shpesh shumë miq që kanë ardhur rrallë në Paris ata më thonë se Parisi është gri dhe unë mundohem tu them se nuk është vetëm gri, pasi ndërtimi i këtij qyteti në dy anët e një lumi të madh, krijon mundësi që koha të ndryshojë vazhdimisht e po kështu dhe drita e tij, fytyra e vetë qytetit. Parisi parë nga Sena është një qytet i hapur, gjë që nuk e gjen në Romë apo në qytetet e tjera të mëdha të Europës.

–  Drita e Parisit është veçanërisht interesante, pavarësisht se shpesh ai është dhe gri. Por në Paris, mbi Senë, retë nuk qëndrojnë në vend. Flladi dhe era i lëvizin dhe drita rrishfaqet sërish me retë në një qiell blu.

– Po, ka një dinamikë të çuditshme dhe padyshim duhet ta kapësh se kur është drita më e mirë në një objekt, ndertesë, peizazh, etj. Madje nganjëherë drita e bardhë bie vetëm një një vend të veçantë dhe atëherë kjo e bën peizazhin disi enigmatik, disi misterioz. Ja pse dhe unë i kam gjithnjë retë në akuarelet e mia. Kjo gjendje më bën të mendoj për impresionistët që aq shumë i dua.

– Dhe unë gjithashtu. Shpesh shkoj në Giverny të Normandisë së poshtme për të parë vendet ku jetoi e krijoi Claude Monet, prekursori i impresionizmit, edhe pse tablotë janë më shumë në Muséee d’Orsay.

– Oh, Monet, piktori im më i preferuar. Por pëlqej shumë gjithashtu Renoir, Degas, Van Gogh. Ishte padyshim një epokë që nuk vjen më!

– Sidoqoftë, për një piktor është fat të jetojë me rrugët e Parisit, objektet, vendet historike, pasi ato janë gjithnjë sugjestionuese për vetë historinë që mbartin.

– Nga Parisi më shumë më pëlqejnë vendet buzë Senës duke filluar me “Lagjen e Latinëve” (Quartier Latin) e duke vazhduar me Quai Voltaire, Quai de Saint-Augustin, buzë Louvre-it ku punoj shpesh, përgjatë Musée d’Orsay, etj.

– Megjithatë që ta zbulosh Parisin duhet të udhëtosh mbi të, mbi rrugët, gjymtyrët e tij, pasi vetëm kështu mund ta bësh atë tënden, ta prekësh, të gjesh atë që është e veçantë jo vetëm si histori, por së pari në imazhin artistik.

– Padyshim Parisi duhet jetuar dhe kjo është një nga kënaqësitë e mëdha, për më tepër si piktor, si artist. Kjo dhe për poetin, romancierin, etj. Sa herë që udhëton gjen diçka të re që nuk e ke pikasur më parë, edhe pse ke kaluar andej. Eshtë e pamundur të mos befasohesh nga ky qytet. Në akuarelet e mia krahas La Tour d’Argent, ndërtesës “Shakespeare&Company” është gjithashtu dhe ajo shtëpizë e vogël, më e vogla që gjendet në Paris, me Nr.13 dhe që është në zemër të qytetit, në Quai Voltaire, dy hapa nga shtëpia ku vdiq Voltaire-i i madh. Një shtëpi enigmatike, ndërtuar midis dy ndërtesave hijerënda «hausmaniane», që si duket është ndërtuar që ato mos të shihen të shkëputura, por si një vazhdimësi…

– Piktorët e rinj që vijnë në Paris shpesh pikturojnë katedralen e Notre-Dame, që aq shumë i këndoi Victor Hugo.

– Kështu ka ndodhur dhe me mua. Eshtë një nga krijimet më të bukura nga ana arkitektonike dhe padyshim me shumë histori. Por unë kam preferuar ta shoh atë nga pas, në imazhin e një anije të madhe. Asnjëherë nuk e kam pikturuar nga afër, ndonjë fragment të saj, vetëm portalin, etj. Gjithnjë nga larg, pasi Notre-Dame është shumë i njohur si imazh, i pikturuar nga gjithë piktorët e botës…

– Sigurisht, por për të njëjtin imazh, peneli i piktorëve gjithnjë është i ndryshëm siç dallohet ku për të njejtin object, portret, imazh peizazhi peneli i Van Gogh ndryshon nga Millet, ai i El Greco-s nga Becon, apo ai i Cezanne nga Picasso. Imazhet që na ka lënë Monet në ciklin e tij për këtë katedrale janë të jashtëzakonshme dhe kanë hyrë në historinë e artit. Në akuarelet e vizatimet e tua kam pikasur se në to mungon figura e njeriut, pra në peizazh mungon figura që shpesh artistët i pikturojnë për të dhënë një ngjizje natyrale, për t’i dhënë ndoshta më shumë shpirt vetë peizazhit.

– Kjo është e vërtetë dhe kuptohet se është njeriu ai që e bën të magjishëm një qytet, por sidoqoftë nuk di pse kam vështruar gjithnjë vetëm peizazhin. Në fakt, kur u largova nga Shqipëria në vitin 1990, unë shkova në Rimini dhe ndoshta isha nga të parët emigrantë shqiptarë që u vendosën atje. Atëherë vizatoja veçse portrete, figurën njerëzore, të rinj, pleq, gra, fëmijë. Por kur erdha në Paris, ishte peizazhi që më tërhoqi, dhe kështu vazhdova në një tjetër rrugë…

– Më kujtohet që kur erdha në Paris në fillimet e viteve ’90, doja të shikoja sa më parë urën Mirabeau, dhe kjo nga poezia e poetit të madh Guillaume Apollinaire me të njëjtin titull, mikut të Faik Konicës, dy europianë të mëdhenj të Francës së asaj kohe. Kuptohet që në imagjinatën time ishte krijuar një lloj miti, pasi në Paris kishte shumë bukuri të tjera të jashtëzakonshme.

– Urat e Parisit janë vërtet frymëzuese, si imazhe dhe histori. Unë kam pikturuar shumë prej tyre si Pont Neuf, ura më e vjetër e Parisit, Petit Pont (pas katedrales së Notre-Dame), Pont des Arts, etj, por dy janë urat më të tërheqëse mendoj: Pont de Carroussel dhe Pont Alexandre III, kjo e fundit më e bukura. Pont de Carrousel është bërë për mua një lloj simboli i Parisit dhe e kam vizatuar e pikturuar me dhjetra e dhjetra herë, në gjendje të ndryshme…

Bisedojmë për urat e Parisit dhe menjëherë mu kujtua një detaj interesant, pasi aty poshtë buzë Senës, mu në cepin e Pont du Louvre, Niko kishte një objekt referencë: thjesht një stol, ku shpesh kisha parë të dashuruar. Kur Sena vërshoi këtë vit dhe arriti lartësinë më të madhe të shekullit, uji zuri ta mbulonte stolin ngadalë gjersa ai u zhduk në thellësinë e ujit. Dhe kur miqtë e tij e takonin, ai u fliste për stolin ku shpesh ulej dhe vizatonte. Por shpejt stoli do të shfaqej sërrish, gjersa më së fundi ai do të shkonte të pikturonte fasadat tutje të Quai Voltaire. Pastaj flasim rreth traditës dhe modernitetit dhe Niko më përgjigjet: Modernen mund ta imitosh, por është tepër e vështirë ta krijosh atë! Kur ikën nga Shqipëria, së pari mendon se çfarë do të bësh në metrpolin e artit. T’i përkushtohesh vetëm artit të mirëfilltë është e pamundur. Ne vijmë nga një vend i varfër. Atëherë duhet të bësh së pari punën e artizanit për të përballuar jetën dhe njëkohësisht të mendosh e krijosh një vepër të vësrtetë arti.

Niko qesh me vete dhe më tregon një histori të këndshme. Në Rimini ai punonte pasdite vonë gjer në mesnatë. Shpesh kur kthehej në mesnatë të dashurën e tij Nevila, e gjente në gjumë. Ashtu e përgjumur ajo kthente kokën dhe i pëshpëriste: «Hë, u lodhe? Sa klientë bëre?… Ai qeshte dhe një ditë i tha: «Po çmë pyet kështu sikur të isha një prostitutë!»

Ndërkohë klientë të shumtë hynë e dalin në kafene që ndodhet përballë kishës Saint-Germain, më vjetër akoma se katedralja e Notre Dame. Kur e pyes nëse i pëlqen ta pikturojë Parisin natën, buzë Senës, ai më përgjigjet se kjo ide nuk e ka ngacmuar: i pëlqen më shumë drita e ditës, ndërkohë që mua nata e një Parisi me yje do më pëlqente shumë. E megjithatë, kur më flet për dinamikën e dy rrugëve të mëdha buzë Senës, «Rive gauche» dhe «Rive droite» menjëherë më tregon me pasion kalimin e kalorësve të Gardës Nacionale me kostumet e tyre të bukura ushtarake, me kaskat e shndrutshme dhe shpatat, të cilët kalojnë shpesh kur ka ceremoni të rëndësishme zyrtare. Dhe ky padyshim është një imazh tjetëri nteresant.

– Les Deux Magots, Café de Flore, Lipp, La Rotonde… kafene historike, që në Paris janë një institucion më vete, duke filluar me Le Procoppe, kafenenë më të vjetër të botës.

– Po, – thotë Niko, – kafenetë parisiane janë të veçanta, pasi kanë shumë atmosferë, jo vetëm njerëzore por edhe figurative. Disa herë kam pikturuar kafenetë e Saint-Germain, të Montparnasse apo në Montmartre, ku jam dhe piktor i akredituar në sheshin e piktorëve në «Place de Tertre», që pak piktorë të shesheve e kanë atë akreditim. Madje aty pranë është dhe galeria «Le vigne» që tregton aquarelet e mia që prej dymbëdhjetë vjetësh.

Kur dalim nga Les Deux Magots, ai nxiton të shkojë drejt Louvre-it të pikturojë akuarelet e zakonshme të tij. Përsëri buzë Senës. Stoli tashmë duhet të jetë i vetmuar. Bën ftohtë, por ai shkon i gëzuar sepse një akuarel i tij është zgjedhur si afishe e premierës së operas «Madame Batterfly» që hap sezonin operistik të teatrit të famshëm La Scala, 2016-2017. Një afishe si «anulo filateliko».

Buzë Senës ai nuk i vetmi piktor shqiptar. Janë dhe të tjerë, piktorë të talentuar dhe me eksperiencë që kanë ardhur nga Shqipëria, për të cilët padyshim duhet shkruar. Duket se shqiptarët janë të dashuruar me këtë qytet plot hire të ngritur në të dy brigjet e Senës…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *