Nga Gjovalin Kola
Gazeta Tema, Bruksel
Këtë javë u përurua në një nga bibliotekat e Brukselit libri i politologut Safet Kryemadhi me titull Gjurmë të Faik Konicës (Traces de Faik Konitza) botuar nga shtëpia botuese zvicerane Ovadia. Bëhet fjalë për një antologji të revistës së njohur franko-shqiptare, Albania, që Konica botoi në Bruksel në vitet 1897-1909. Autori foli me këtë rast për rolin e kësaj reviste në propagandimin dhe mbrojtjen së çështjes kombëtare shqiptare në periudhën kritike që parapriu shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912. Programi i saj ka qenë mbrojtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar, i kulturës dhe i gjuhës që është shprehje e këtij identiteti.
Përmirësimi i kushteve ekonomike që do t’i krijonin mundësi identitetit kombëtar të ruhet plotësisht i fortë dhe i lirë. Zhvillimi i letërsisë, folklorit, gjuhësisë, historisë dhe informacionit”. Siç dihet, ekzistenca prej 12 vjetësh e Albanisë, tregon se ajo ka qenë një revistë me përmasa enciklopedike. Poeti francez Apollinaire-i, mik dhe bashkëpunëtor i Konicës, e pat krahasuar aso kohe me revistën franceze L’Occident dhe e ka konsideruar si monumentin më të madh të kulturës shqiptare. Studiuesit sot kanë për të njëjtin vlerësim: Albania e Konicës ka qenë revista më e mirë e Rilindjes sonë Kombëtare. Kjo antologji me shkrimet më të zgjedhura të saj, bën të mundur që edhe lexuesit e huaj të mund të njihen me Albaninë e Konicës. Meqë bëhet fjalë për veprat ose, më mirë të themi, kryeveprat e Konicës, autori i librit ka zgjedhur titullin e thjeshtë e simbolik “gjurmë të Konicës.” Dhe, duke kërkuar këto “gjurmë”, 74 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Kryemadhi bën një zbulim sa befasues aq dhe interesant nga jeta private e botuesit dhe drejtorit të Albanisë.
Ai ka zbuluar një “gjurmë” që Konica e ka « fshehur » me finesë gjatë gjithë jetës së tij, meqë kjo nuk i është dukur, me sa duket, e rëndësishme për publikun. Faik Konica ka qenë i martuar me nënshtetasen franceze, Annette Sophie-Josephine Hugan (1880), me të cilën ka pasur një djalë me emrin Henrik Schengrin bey Konitza. Sipas çertefikatës së lindjes të lëshuar nga zyra e gjendjes civile në Saint-Gilles, Bruksel, i biri ka lindur më 24 qershor 1897. Autori i librit shprehet se nuk ka mundur të zbulojë të dhëna të tjera për fatin e tij, përveç një hamendjeje se Henriku mund të ketë jetuar njëfarë kohe në Zvicër. Megjithatë, ky dokument zyrtar e përgënjeshtron statusin e tij të « beqarit të përhershëm » dhe se ai nuk ka lënë asnjë trashëgimtar. Kur erdhi në Bruksel për të themeluar revistën Albania, në fund të vitit 1896, Konica, djalosh njëzetvjeçar, ka qenë i martuar dhe se gruaja e tij priste një fëmijë.