Nga Monika Shoshori Stafa
Çdo person ka të drejtë të kërkojë, të hetojë, të pyesë, të marrë dhe të ndajë informacion, mendime dhe ide, pa asnjë lloj censure përmes adios, TV dhe mjeteve të tjera të komunikimit audioviziv apo ndonjë procedure tjetër bazuar në përzgjedhjen e tij, vetëm nëse këtë e bën në kuadër të respektimit të sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Kjo e drejtë ka të bëjë me krijimin e shërbimeve të masmedias”.
Ky parim përbën një prej disa standardeve më të avancuara ndërkombëtare i cili garanton diversitetin dhe pluralizmin në shërbimet e komunikimit në transmetimet audiovizive. Ai përmbledh nivelet më të larta ndërkombëtare në lidhje me çështjet e lirisë së shprehjes dhe të së drejtës për informim, parashtruar në konventat e të drejtave të njeriut, në deklaratat dhe rekomandimet që vijnë prej sistemeve të ndryshme ndërkombëtare.
Bazuar mbi këto principe është hartuar dhe legjislacioni në fuqi sa i përket ligjit “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili garanton që në veprimtarinë audiovizive të mos cenohen rendi kushtetues, sovraniteti dhe integriteti kombëtar; e drejta e çdo shtetasi për të marrë shërbime të transmetimeve audio dhe/ose audiovizive, të ofruara për publikun nga operatorët e shërbimeve audiovizive; dhe konkurrenca e ndershme.
Nisur që këtej, mbështetur në Kodin e Transmetimit të miratuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive i cili përmban dhe përcakton parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Ankesave ka detyrën të vëzhgojë me kujdes se si këto standarde të mirëpërcaktuara për përmbajtjen në transmetimet audiovizive zbatohen.
Buletini i Këshillit të Ankesave, i cili prej disa kohësh ka qenë i munguar në tregun audioviziv si vrojtues i përmbajtjes së programeve audiovizive, pritet të botohet së shpejti si një raport zyrtar në të cilin publikohen rezultatet e ankesave të shqyrtuara prej të cilave dyshohet se janë shkelur parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë.
Shqipëria po jeton një prej zhvillimeve më progresive në tregun audioviziv, procesin e dixhitalizimit. Por e vërteta është se vendi ka shënuar hove cilësore zhvillimi pikërisht në këtë treg – ndryshe nga sektorët e tjerë – që nga fazat e hershme të tij. Megjithatë, pavarësisht nga progresi i pamohueshëm, shkeljet e etikës herë pas here nuk mungojnë.
Një pjesë e gazetarëve në dhomat e lajmeve e perceptojnë lirinë e shprehjes, si një e drejtë për të kërcënuar dhe shantazhuar çdokënd që ata mendojnë se u ka prishur ‘rendin e ditës’ apo prej presionit editorial të eprorëve. Ajo që konstatohet prej së largu, duket se vetë gazetarët janë në dijeni të situatës, por atyre u mungojnë nxitja dhe dëshira për ndryshimin e situatës. Në mënyrë të ngjashme, po aq edhe pronarët e medias, nuk duket të jenë veçanërisht të interesuar në përmirësimin e çështjeve etike.
Në shumë prej tyre nuk ekzistojnë as formacionet me bordet e tyre etike të këshillimit, me rolin e tyre rregullator ndaj veprimtarisë gazetareske apo editoriale të përmbajtjes së programit. Funksionimi i tyre i plotë krijon mundësinë e vëzhgimit dhe zbatimit më me rigorozitet të Kodit të Transmetimit të AMA-s, por dhe ligjit për mediat, hartuar të dy mbi standardet europiane të legjislacionit në fuqi.
Sipas të gjitha këshillimeve që vijnë nga Brukseli, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Këshilli i Ankesave në veçanti, janë të prirur me gjithë përshkrimin e kësaj situate më lart, të nxisin disa aktorë për t’u përfshirë në diskutimin e mundësive për të krijuar një praktikë efektive të vetërregullimit të situatës etike në tregun audioviziv.
Edhe pse realiteti nuk është shumë premtues për të gjetur një gjuhë të përbashkët sidomos sa i përket palës që prodhon dhe menaxhon televizionin, përpjekjet tona kohët e fundit kanë pasur një natyrë insistuese, energjike dhe të bashkërenduar me aktorë të tjerë, në përmirësimin e situatës sa i përket ndërgjegjësimit të saj.
Në adresën e Autoritetit të Mediave Audiovizive që prej muajit prill kanë mbërritur rreth 22 ankesa, 10 prej tyre kanë pasur për subjekt çështjen e trajtimit të të drejtave të fëmijëve në transmetimet audiovizive. Dhjetëra reagime lidhur me këtë temë kanë mbërritur sidomos nga rrjetet sociale, konsiderueshëm edhe nga institucione publike dhe organizata joqeveritare. Ankesat e tjera në lidhje me cenimin e normave etike kanë pasur një numër më të ulët. Çështja e publikimit të të dhënave sensitive të fëmijëve ka qenë ndër shqetësimet e vazhdueshme në trajtimin e ankesave me përmbajtje të tillë nga Këshilli i Ankesave.
Në të gjitha shoqëritë mjetet e komunikimit audioviziv, si radio apo dhe televizioni, luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut, në krijimin dhe respektimin e një imazhi pozitiv të qenieve njerëzore, duke përfshirë edhe fëmijët. Duke pasur parasysh këtë detyrë, media në emër të informimit publik të ngjarjeve që ndodhin, në emër të së vërtetës dhe të paanshmes ka cenuar disa parime dhe norma etike që kanë ndikuar te fëmijët negativisht, duke shkaktuar madje dhe gjendje post-traumatike.
Me gjithë trajnimet e shumta, nga të cilat gazetarët janë pajisur edhe me certifikime profesionale prej institucioneve që garantojnë dhe i mbrojnë këto të drejta, për ta mbetet ende sensacionale të ndezin audiencat popullore duke cenuar parimet themelore të Kodit të Transmetimit, sa u takon fëmijëve në këtë rast. Ata në raportimet e tyre, duke qenë se vendosen nën presionin editorial, shmangin prej konsiderimit respektimin e të drejtave të fëmijëve si një e drejtë themelore për jetën dhe shoqërinë në tërësi.
Media dhe produktet e saj audiovizive duhet t’i shërbejnë mirëqenies së fëmijëve dhe angazhimit të të gjithë aktorëve përgjegjës për ta, në një shoqëri demokratike. Media nuk duhet të publikojë ose transmetojë çdo material që vjen prej terrenit.
Ai duhet të analizohet dhe shqyrtohet para se të transmetohet nëse cenon apo jo të drejtat e fëmijëve dhe se çfarë pasojash sjell ai për zhvillimin e tij mendor e psikologjik, pas transmetimit. Ajo sigurisht duhet të ketë kujdes të publikojë ngjarje dhe histori të cilat paraqesin shembuj dhe modele pozitive. Sa i përket raportimit të ngjarjeve të rënda kriminale, ato duhet të raportohen vetëm nëse përbëjnë interes publik dhe asnjëherë nuk duhet të trajtohen si tendencë për sensibilizim.
Mbrojtja e të drejtave të të miturve në mjedisin e sotëm të transmetimeve audiovizive mbetet një shqetësim i veçantë dhe përfaqëson një sfidë jo pak të lehtë. Sigurisht, kundrejt rolit edukues që media ka, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është thelbësore në përmbajtjen e emetimit të programeve televizive. Në veçanti këto kërkesa shtrohen para transmetuesit publik tek i cili besimi për të ofruar një shërbim me përmbajtje vlerash dhe normash, ka pasur gjithmonë një pritshmëri më të lartë.
Nga pikëvështrimi i transmetuesve audiovizivë, sigurisht shqetësimet tona ligjore mbi cenimin herë pas here të të drejtave të fëmijëve në publikimin e dhjetëra rasteve, përbën rrezik të lirisë së shprehjes dhe informacionit, në veçanti.
Ndaj në këtë epokë të re të teknologjisë së avancuar dhe situatës konvergjente në të cilën ndodhet media me zhvillimet teknologjike, zgjidhja më e mirë që mund të ofrohet është bashkëpunimi i frytshëm për të ngritur një sistem të përbashkët pune, për çështje kaq të ndjeshme siç është mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në transmetimet audiovizive.
Megjithëse kjo mund të konsiderohet si kërkesë sureale, nisur prej një realiteti jo shumë optimist të asaj çfarë reflektojnë OSHMA-të në Shqipëri, nuk është asfare e pamundur. Sepse madje edhe në nivele të larta europiane rrallëherë gjenden zgjidhje konsensuale, mbi një vlerësim të përbashkët ndaj rregullave që duhet të ndiqen në përmbajtjen e programeve audiovizive, klasifikimin e tyre dhe kontrollin e përputhshmërisë ligjore mbi to. Nisur nga direktivat europiane, sa u përket rregullatorëve në këtë rast, është shumë e rëndësishme të eksplorohen rrugë të përbashkëta operimi mes subjekteve audiovizive dhe legjislacionit në fuqi.
Por nuk duhet ta heqim nga vëmendja se çështja e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nuk është vetëm ndërmarrja e disa masave teknike, as edhe e sanksioneve të forta ligjore për t’i mbrojtur ata prej disa të drejtave që gëzojnë dhe që ruhen me ligje ndërkombëtare, por ka diçka më shumë se kaq më tej. Është një kombinim kërkesash i autoriteteve rregullatore që bazohen tek; prodhimi i përmbajtjes së duhur që emetohen në to; edukimi cilësor mbi median dixhitale dhe ndarja e përgjegjësive mes aktorëve të ndryshëm. Në këtë rast bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm.
Mbrojtja e fëmijëve prej influencës së dëmshme të përmbajtjes së programeve mbetet një çështje shumë shqetësuese për prindërit, për median vetë dhe rolin që ajo duhet të ketë, gjithashtu dhe strategjitë që duhet të ndiqen për të mbrojtur të drejtat që ata gëzojnë. Qeveria, autoritetet e tjera si AMA dhe Këshilli i Ankesave si dhe komuniteti vetë, nëse nuk ia dalin dot t’i mbrojnë ato në total, le të luftojmë të paktën në principe të sigurojmë një të ardhme më të shëndetshme mendore, shpirtërore dhe fizike për fëmijët e këtij vendi.