Letra që gjithmonë keni dashur të shkruani
E di që po bën gjithçka që mundesh për të qenë një nënë e mirë për mua dhe një gjyshe e mirë për fëmijët e mi. Kartolina ditëlindjeje, dhurata, telefonata për të mësuar nëse çdo gjë është në rregull, nëse ke kohë pa më dëgjuar. Vite e vite dashurie dhe vëmendje dhe ende nuk mund të ta fal që më rrahe kur isha fëmijë.
Kam qenë 11 vjeç. Gjatë pushimeve të shkollës, na kishe lënë mua dhe vëllain e vogël te nëna jote që të mund të shkoje në punë. Gjyshja më la mua të kujdesesha për vëllain. E urreja të kujdesesha për një foshnjë. Gjithë ç’doja të bëja ishte të lexoja. Atë ditë vere, në kopshtin e gjyshërve të mi, isha aq i përqendruar pas librit tim sa nuk e vura re që vëllai kishte ikur. Gjyshja u kthye dhe zëri i saj tërë ankth më nxori nga libri duke pyetur: “Ku është vëllai yt?”
Ai nuk dukej askund. M’u desh pak kohë që ulërimat e gjyshes të më kthenin në realitet. Ishte një rrugë aty pranë. Im vëlla mund të ishte tashmë atje, ose e kishin rrëmbyer. Kisha dëgjuar për njerëz të këqinj që u pëlqente t’u bënin gjëra të tmerrshme fëmijëve të vegjël.
Ne u sollëm përreth duke ulëritur emrin e tij, pamë në çdo dhomë të shtëpisë, hapëm dollapet e rrobave, duke kërkuar kudo. Një fëmijë i vogël mund të fshihet në çdo cep. Bërtitëm aq sa qentë e lagjes po lihnin. Një vrimë e madhe plot boshllëk ishte hapur në mendjet tona.
Dhjetë ose ndoshta dy minuta më vonë, një fqinj na thirri. Kishte gjetur vëllain që mbante në dorë një lodër që unë nuk e kisha parë kurrë më herët. Ai kishte shkuar në shtëpinë ngjitur, kishte gjetur dhomën e gjumit të fëmijës që jetonte aty dhe kishte luajtur derisa qeni i fqinjit e kishte alarmuar që diçka nuk shkonte.
Gjyshja ime falenderoi Perëndinë. Im vëlla ishte mirë, i paprekur, i padëmtuar, madje edhe i kënaqur me lodrën e re. Pastaj, unë ngriva ndërsa në fund të lutjeve gjyshja tha: do t’i tregoj mamasë tënde për këtë.
Ajo t’i tha të gjitha. Ti heshte disa sekonda, more vëllanë, falënderove nënën tënde për informacionin. Në makinë, më the: “Ti e kupton se duhet të të ndëshkoj për këtë, apo jo?”
Në shtëpi, kape një rrip, e mbështolle rreth dorës, e shtrëngove dhe më godite në këmbë me të, përsëri, përsëri dhe përsëri. Dhimbja qe e keqe, poshtërimi edhe më i keq. Nuk e meritoja këtë. Nuk kisha bërë gjë me qëllim.
Nuk më re në fytyrë. E dije që mësuesit do ta vinin re e do ta raportonin. Pantallonat e mia të gjera do i fshihnin enjtjet. Dhe në fakt, askush nuk e vuri re, e unë nuk i tregova askujt – në fund të fundit, isha keq.
Babai e mori vesh, por ishte i kënaqur që e mora mësimin. Po, unë e mora mësimin: se ishte e gabuar të lexoje aq shumë sa bota rreth teje të zhdukej, se ishte mirë që një 11-vjeçare të kujdesej për një foshnjë tërë pasditen, se vëllai im ishte një burim ankthi, një pako që duhej dorëzuar, se ishte mirë të përfitoje nga vogëlsia e një fëmije që nuk mundet të të përgjigjet as të të luftojë, se prindërit gjithmonë e dinë se cila është më e mira ime.
Unë ende nuk e dua vëllanë dhe nganjëherë mendoj se kam ndalur së dashuri ty që prej asaj dite. Menjëherë pas këtij incidenti, kam filluar të fantazoj se ju do të vdisni. Ti je e moshuar tani dhe unë duhet të të fal, por nuk mundem. Duke u bërë nënë vetë, kam kuptuar se sa frikacake duhet të jesh të godasësh një fëmijë. Përpiqem ti jap kuptim reagimit tënd, por ajo rrahje ka mbetur në kujtesën time.
U përpoqa ta diskutoja me ty atë që kish ndodhur dhe më the se kishte shumë kohë që kishte ndodhur dhe se “duhej ta lija të shkonte”. Nukdo të thuash kurrë “më fal”. Edhe tani, ti nuk e kupton se kë bërë diçka të gabuar. (Anonim-The Guardian-Pasqyrë.al)