Nga Ilir Yzeiri
Akti i studentes apo vajzës nga një fshat i Fierit që i hodhi një shishe ma salcë në kokë ministres së arsimit Lindita Nikolli, mund të vështrohet nga disa kënde. Por sado që të përpiqesh të gjesh një justifikim dramatik për aktin e kryer, e ke të vështirë, më së shumti, mua, ai veprim më bën për të qeshur dhe nuk shoh asgjë sublime në atë tekst. Përse ? E para më bën për të qeshur motivi. Unë e mirëkuptoj shqetësimin e studentëve, të të rinjve në përgjithësi që janë kundër status-quosë, që revoltohen dhe janë kundër sistemit në përgjithësi, por e kam të vështirë të kuptoj se si një studente kryen një gjest sublim, pra e qëllon ose e ndot për ta poshtëruar figurën e ministres. Pse ? Sepse ajo dhe grupi që ata përfaqësojnë kërkojnë cilësi në arsim. Po çfarë do me thënë cilësi ? Kjo kërkesë abstrakte dhe pa referencë është kaq e përgjithshme sa ngjet me atë dëshirën e misseve kur fitojnë ndonjë çmim që pyetjes se çfarë dëshire kanë, ndonjë prej tyre u përgjigjet : « Paqen në botë !!!!!!».
Sot edhe vendet më të zhvilluara kanë vetëm një shqetësim – të rrisin cilësinë në arsim, sepse ky tregues nuk është asnjëherë statik, por ndryshon. Është e vërtetë që arsimi ynë dhe universitetet vuajnë nga mungesa e cilësisë, por, në rastin më të mirë, këtë shqetësim do të duhej ta ngrinin akademikët, stafi i profesoratit, shoqëri të huaja rankimesh apo OJQ-të që merren me dijen. Nuk e kuptoj se si studentët që nuk kanë mbaruar ende një program studimi mund të protestojnë për cilësinë, madje të qëllojnë me salcë në kokë ministren e arsimit. Nga ana tjetër, Lindita Nikolli është simboli i nëpunësit të bindur e të urtë që as nuk shquhet se ka bërë mirë, por as nuk mund të thuash se ka bërë keq.
Ajo ka zbatuar me dashuri mediokre një program të gatuar keq nga ata që këshillojnë Edi Ramën dhe ka bërë kujdes që të bëjë në arsim atë që do t’i japë mundësi Edi Ramës të thotë se për herë të parë hoqëm këtë e vumë atë. Ajo ka meritën se vuri firmën për mbylljen e universiteteve private të dështuara, por vetëm kaq se, pas kësaj, ajo vijoi rutinën e lodhshme të drejtimit të arsimit shqiptar me metodat komuniste të propogandës, duke vazhduar me të njëjtat tekste shkatërrimtare për arsimin parauniversitar dhe me të njëjtët botues mediokër dhe sharlatanë që po helmojnë arsimin parauniversitar dhe po shkatërrojnë trutë e fëmijëve.
Ajo, ashtu si pjesa më e madhe e kabinetit Rama, janë shtojca të humorit qeverisës së Edi Ramës, por nuk janë problemi. Ndaj të bësh heroinë Lindita Nikollin dhe të marrësh përsipër të mbrosh kauzën e cilësisë në arsim, është njësoj si ajo anekdota që më tregonte dikur një miku im për një spital psikiatrik. Aty në atë spital, pacientët kishin dërguar një peticion dhe protestonin për cilësinë e solucionit që lante dyshemenë. Kërcënimi ishte se nëse nuk ndërrohej ai solucion, ata do të futeshin në grevë urie.
Por siç edhe e dimë të gjithë, shembullin brilant të heroizmit pa ide ose të guximit qesharak, e jep përditë në Parlament opozita jonë, e cila lufton për një kauzë apo për kauza që nuk kanë lidhje me publikun. Flamur Noka zapton foltoren e Parlamentit dhe thotë se ai podium i takon vetëm Sali Berishës. Sali Berisha e zapton atë podium dhe reciton për orë të tëra. Kështu, siç po shkojnë punët, Edi Rama nuk ka nevojë të bëjë kolacion me askënd. Partneri i tij më i vlefshëm është Berisha. Nuk ka aleat më të fortë se ai. Sa të jetë Berisha në Parlament dhe heronjtë e salcës jashtë tij, Rama do na sundojë për shumë e shumë vjet.