Nga Mero Baze
Shpikëm ikjen tënde, kur të kishim zbuar
Në një natë pus, ku vetëm vdekja lëvizë
Kemi frikë të themi, shkove vet në varreza
Siç kemi frikë, pse varret të kishin zënë prit!
Shpikim vlera, që ndoshta nuk i kishe
Se na mungon heroi brenda nesh
Kemi frikë të themi, vërtetë si ishe
Siç kemi frikë, atë që ishe vërtetë.
Shpikim zënka, që me ty s’i kemi bërë
Për të të kërkuar falje, tani që nuk je
Kemi frikë të themi, se nuk u zumë kurrë
Siç kemi frikë, se mund të ziheshim vërtetë.
Shpikim vese, që ndoshta nuk i kishe
Për pije, çmenduri dhe gra
Kemi frikë të themi se ike pa arsye
Siç kemi frikë të themi, se arsye ka.
Shpikim histori që s’i kemi jetuar
Për të mbushur boshllëqet, që krijuan të tjerë
Kemi frikë të themi, që nuk i jetuam
Siç kemi frikë, se s’do t’i bënim vërtetë.
Shpikim armiq, që ti nuk i kishe
Për të parë, sesi i mundje në betejë
Kemi frikë të themi, që ti s’doje luftë
Siç kemi frikë të themi, se lufta qe në derë.
Shpikim besnikë, që ti nuk i kishe
Për ta bërë të shëndrij ikjen tënde
Kemi frikë të themi, që po të linim vetëm
Siç kishim frikë lodhjen tënde
Të shpikim ty, sa herë jemi vetëm
Dhe nuk e shpjegojmë dot çfarë ndodh rreth nesh
Kemi frikë të themi, se bota do qe ndryshe
Po aq frikë, se ti mund ta bëje “më përshesh”.
Ngrihu tani, mos rri gjatë aty!
Asgjë nuk të shpëton nga çfarë kemi shpikur
S’na duheshe shumë, kur ishe mes nesh
Të ribëmë, se na duheshe, tani që ke ikur.
Tallu po deshe me ç‘të kemi bërë
Siç talleshe me veten dhe jetën e parë
Me frikën tënde nga qiejtë dhe qentë
Që dhe në këtë jetë nuk të janë ndarë.
Ngrihu, se tani s’je më ai i pari!
Të ndryshuam, të bëmë, siç na duhesh tani
Kemi frikë ta pranojmë, kush vërtetë prehet tek varri
Por më frikë kemi talljen nga ty.