Monika Shoshori Stafa
Avioni uli njërën rrotë të tij pasditen e një tetori gri në Berlin, ndërsa pas kisha lënë një Tiranë me ngjyra. Kur zbrita gjëja e parë që më kapi cepi i syrit teksa dridhej nën qepalla për shkak të erës së ftohtë ishte vitrina e një këndi librash që shkëlqente nga formatet cilësore të botimit. Dhe mendja menjëherë më shkoi të punimi im që po priste të përfundonte tej nëntorit, jo në panairin e përvitshëm të librit. Turmat dhe rrëmuja e atyre ditëve asnjëherë nuk më kishin pëlqyer. Ato sikur ia zbehin kërshërinë librit, përmbajtjes së tij që si pjesë intime e një bote, ai duhet të ruajë edhe në shitje, fshehtësinë e tij të brishtë.
Librat dhe trëndafilat në Berlin, më kishin ardhur në mendje ndërsa kundroja përtej xhamave të avionit, me aromën e luftrave botërore prej Remarkut, Thomas Manit, Rainer Maria Rilke dhe Bertolt Brehtit gjithashtu. Nënqesha duke sjellë ndërmend vanitetin e një bote të lënë pas, për pak ditë dhe dëshirën për të ritakuar atë, me të cilën në subkoshiencë jetoj cdo ditë, rendjen ndaj së panjohurës tej hinterlandit europian dhe kërshërinë për ta mbërthyer në cdo cast.
Rrugës për në Regent Hotel miqtë e mi të Nehemiah Gatëëay, të cilët ishin dhe ftuesit e mi për një përvjetor të vecantë dhe të artë pune e lodhjeje, Berlini mu duk më i ethshëm në ikajaket e tij, qëkurse e kisha vizituar herën e fundit. Ndoshta asgjë nuk kish ndryshuar që atëherë, në bërthamën e thellë të tij, atje ku dhe godasin impulset e një zhvillimi të pandaltë sepse me sa kësaj radhe isha unë ajo që kisha arritur më së fundmi ta ndiqja nën ritmin e vrullshëm të lëvizjeve të tij.
Nehemiah Gateëay është një organizatë humanitare, që shërben për më tepër se 20 vjet në Shqipëri. Presidenti i saj, Arnold Gieger është njeriu i cili e ka themeluar atë pasi erdhi në Shqipëri menjëherë pas rënies së perdes së hekurt në botën e lindjes. Që atëherë Berlini dhe Arnoldi qëndrojnë shumë afër në jo pak zhvillime të meritueshme që sot Shqipëria gëzon si; në shërbime, vullnetarizëm, politika arsimore, në nxitjen e kujtesës mbi të kaluarën komuniste por dhe bashkëpunime shumëplanëshe në ekspertiza të nivelit të lartë në fusha të ndryshme.
Biseda me miqtë gjermanë në darkën speciale shtruar për nder të ardhjes sonë zgjerohet në aspekte shumëplanëshe. Gjithherët i kisha dalluar Arnoldit se edhe pse mund të kaloje një kohë të gjatë në Berlin, nuk do të mund të mjaftonte për të përfunduar njohjen e së kaluarës historike të qytetit, në të cilën cdo etapë ka jetuar frymën e vet revolucionare mes përplasjesh të shumta botkuptimesh njerëzore. Por një gjë kuptoj sa herë lexoj për Berlinin dhe e rivizitoj atë. Kryeqyteti gjerman, si unë e kam zbuluar, nuk të lejon të qëndrosh gjatë për të perceptuar mbi të kaluarën e tij të errët historike. Berlini, një qytet me befasi të shumëllojshme, shtrihet në një platformë urbane e cila jeton gjithmonë nën një gjendje të vazhdueshme ndryshimi, përzier me lavdinë që ka lënë pas epoka e Kaiserit, gjurmët e nazizmit, arkitektura e nxituar e pasluftës, prurjet e reja dhe të shumta kulturore si baret, restorantet, muzetë dhe ambjentet e hapura publike, të cilat gjithmonë ia relativizojnë fytyrën qytetit.
Gota e birrës së zezë më rrotullohej disa herë para fytyrës dhe vetëm kur bashkëbiseduesi e ka përfunduar fjalinë kuptova se duhet ta shijoja pijen e errët që dikur tërbonte burrat dhe gratë mes bujtinave të botës gjermanike. Pasazhe të novelave të Rilkes ma trazuan mendjen një cast, teksa bashkëbiseduesi i Nehemiah Gateëay ma ktheu me forcë vëmendjen në realitet. Gjatë vitit të fundit, shpjegonte më tej ai, duket se ritmi i ndryshimit të Berlinit është përshpejtuar edhe më shumë, me mbërritjen në Gjermani të e mbi 1 milion refugjatëve nga Afganistani, Somalia, Eritrea, Iraku dhe sidomos nga Siria, të cilët janë tërhequr këtu prej premtimit të kancelares Merkel për azil, një premtim shtoi ai, që qëkurse Angela e dha, nxiti më tepër agresionin e krahut të së djathtës ekstreme. Ah, buzëqesha unë, me mënyrën përvecore, si e thirri djali i ri kryeministren e vendit të vet. Kancelarja Merkel, vajza e ndrojtur e një kleriku luteran që sipas ekspertëve të politikës dallohet për sensin e mprehtë të mbijetesës në pushtet e nisur nga kjo nuk tutet aspak të rikandidojë, edhe për një mandat të katërt në krye të Gjermanisë.
Rreth 50. 000 vetë prej këtyre emigrantëve janë vendosur në Berlin, vazhdon djaloshi me emrin Kristian, shumë prej të cilëve kanë marrë leje- qëndrime për t’u vendosur në kampe të improvizuara apo dhe streha të ndryshme sociale, duke i dhënë qytetit një dimension të ri multikulturor, një vrull të ri energjie por bashkë me to dhe një element tensioni në mes.
Edhe pse admirueshëm stoik ndaj së kaluarës së tij historike, Berlini, duket se është gjithmonë në kërkim të së ardhmes së vet. Nga rrugët e gjelbëruara plot parqe të tij që më kishin tërhequr vëmendjen për së pari, dyqanet e panumërta të seksit dhe imitimi jo aq tërheqës në disa raste i arkitekturës së viteve 1970, pranë stacionit hekurudhor në Berlin, qyteti tregon dukshëm se i është nënshtruar herë pas here një skeme ambicioze rizhvillimi e po aq edhe dallgëve të reja të rishpikjes dhe ringjalljes.
Kështu do të na dukej Berlini gjatë një darke tjetër festive me një prej miqve të Arnold Gieger-it, i cili na mbajti gjatë duke rrëfyer mbi një aplikacion shumë interesant që ai kishte shpikur për t’iu gjendur njerzve me nevoja speciale me anë të telefonit celular në caste rreziku shëndetsor. Ishte një takim ku mësuam shumë për nisjen e startup-eve me të cilët qindra të rinj berlinezë risjellin ide novatore mbi nisjen e sipërmarrjeve të ndryshme.
Kjo ka qenë dhe arsyeja përse Arnoldi e prezantoi mikun e tij mes nesh, si për të na treguar se modelet e punës, njeriu i ngre vetë dhe kur ato udhëhiqen nga vokacione të brendshme, suksesi pa droje e them se është i garantuar. Ndaj ndërmend më erdhën fjalët që gjermani i mirë kish thënë në ceremoninë e 25 vjetorit të themelimit të organizatës së tij:
“…që të arrijmë të zgjedhim sic duhet në jetë, kemi nevojë për një themel orientues vlerash. Tek ne kjo shtyllë quhet implementimi i vlerave, për ne vlerë është më mirë të japësh sesa të marrësh. Dhe këtë e kuptojmë më fort nëse sjellim ndërmend situatën e bujkut, i cili në vend të konsumojë gjithë prodhimin e vet p.sh. të patates, vendos që një pjesë ta lërë për farë, pasi fara do t’i sigurojë vazhdimësinë e prodhimit, duke na mësuar parimin që të krijojmë një vlerë të shtuar”.
Më fort u binda se në të vërtetë gjermanët në përgjithësi nuk janë aq karizmatik e frymëzues në fjalimet e tyre por ata sigurisht mbeten shkenctarë të së përditshmes dhe filozofë luteranë ndaj parimeve të jetës. Gjermanët nuk shquhen për fjalë të bukura në bashkëbisedimet me ta. Sepse ata bazohen më së shumti tek të dhënat prej një studiuesi a shkenctari, tek faktet dhe shifrat konkrete, si ftuesi im kish dalluar në fjalën e tij ceremoniale.
“Cfarë është e mundur në kryeqytetet e tjera botërore, duhet të jetë e mundur edhe në Berlin”. Buzëqesha nën zë kur ia kujtova mikut tim këtë thënie të Martin Kirschner, kryebashkiakut të Berlinit aty nga fillimi i shek. të 20-të. Pavarësisht se ishte një thirrje prej krenarie wordpress kombëtare në parim, po ta vërejmë me kujdes, pas fjalimit të tij ndihet një lloj pasigurie për të ardhmen e Berlinit si qytet. Kujtojmë se ishte koha kur kryeqyteti europian i ishte bashkuar ritmit të ndërtimit të qyteteve të botës, por ankthi mes fjalëve të kryebashkiakut parashikonte njëherësh edhe rënien e madhështisë së tij, nisur nga ajo cfarë ndodhi më pas me luftrat botërore. Për metropolin gjerman epoka 25 -vjecare mes ngjitjes në fron të Kaiser Ëilhemit të II-të, në 1888 dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në 1914 solli ndryshime të pamasa por dhe po aq arsye për të rritur progresin urban dhe për të nxitur inovacionet teknologjike. Ndryshimet marramendëse gjithashtu sollën dhjetra arsye për të reflektuar mbi cilësinë e qytetit dhe bashkë me të edhe justifikime të mjaftueshme mbi shqetësimin se si do të trajtohej roli i tij kërkues, si një kryeqytet i një kombi të ri e të paqëndrueshëm. Shpejtësia me të cilën Berlini ish transformuar që nga epoka Ëilhemiane kish latuar dukshëm karakteristikat e tij më të dallueshme. Një shqarthëzim i pafrymë dhe një mungesë vetëdije historike sa i përket vetes që kurrë nuk ishte parë. Jo pa qëllim Mark Tëain në disa prej retorikave të tij e quante Berlinin si “Cikagoja Gjermane” sepse në atë kohë Cikago, ishte qyteti amerikan ku gëlonte më shumë paraja dhe lëvizte më shumë fitimi.
Të gjitha këto m’u davaritën para syve ndërsa darkoja mes një shoqërie të këndshme njerëzish të kulturave të ndryshme. Bisedat rrotulloheshin të gjitha rreth Berlinit cka e bënte atë shumë e më shumë se një qytet europian të cilin e njihja pjesërisht vetëm prej portave të Brandeburgut dhe personazheve të pafajshëm të Remarkut. Por askurrë se kisha menduar se Berlini njëherë e një kohë na ishte amerikanizuar aq fort dhe aq shpejt dhe me aq pasion në të gjithë kapilarët ekonomiko-soc-kulturor të tij, sa berlinezët do të ndiheshin madje aq krenarë me statusin e ri që iu vu qytetit të tyre duke e krahasuar për cdo herë me Cikagon e fillim shek. të 20-të. E megjithatë ndryshimet fizike të modernizimit të shpejtë të Berlinit përgjithësisht nuk ishin përjetuar mirë sepse efektet psikologjike të këtij megazhvillimi urban kishin lënë gjurmë të turbullta psiko- sociale të pashërueshme. Anke Neuzerling, gazetarja gjermane, me të cilën ndava dy mbrëmje të bukura kolegesh tregon me kopetencë të lartë se zhvillimi dramatik i Berlinit dhe modernizmi që rendte cdo ditë, nuk u prit gjatë kësaj periudhe me dashuri në pjesën tjetër të vendit. Përkundrazi këto zhvillime gjithëherët dramatike i alarmuan gjermanët të cilët mendonin se qyteti po bëhej shumë i madh, tepër i industrializuar, mjaftueshëm i padisiplinuar e po aq “kozmopolitan”. Madje gjatë dekadës së parë të shek. të 20-të, shtypi më i njohur gjerman ishte i mbushur me tituj të tillë si, “Berlini steril” apo “Berlini pervers”, fokusuar në efektet shpirt- shkatërruese të industrializimit të tij dhe mëkateve të pafre të jetës së natës. Sot Berlini, bisedoja këndshëm me Anken nën aromën e ëmbël të alkolit të verës së kuqe që na u servir gjatë mbrëmjes së dytë, nuk e mban këtë tis të shëmtuar epitetesh. Koha kish shkuar me vrap dhe muzetë që do të vizitoja ditëve më pas do të më bindnin se sa shumë kryeqyteti i botës gjermanike ish “capluar” për të arritur në atë perceptim ëdrrash që unë do t’i prekja me radhë orëve më pas. Miqtë buzëqeshnin kujdesshëm me gëzimin tim fëmijëror për të ndjekur me kujdes të gjitha shpjegimet mbi Berlinin. Pas ca do të vinte mbrëmja e madhe e tyre ku ceremonisë së festës do t’i bashkoheshin edhe shumë berlinezë natyror apo jo.
Me sa duket në Berlin mes prurjes së shumë emigrantëve jo vetëm nga Lindja e Mesme por dhe nga ata të cilët kanë gëluar në këtë qytet prej 26 vitesh, vlen të thuash se sot, madje dhe dje, një berlinez i vërtetë ndihet më pak si “i shtëpisë” në qytetin e tij edhe se një emigrant i sapoardhur, të cilit i duhet në të vërtetë të flakë tej cdo kujtim që e pengon në lidhje me të kaluarën e tij apo dhe të mposhtë ca ndjenja të mundimshme për t’iu përshtatur të tashmes që rrjedh, e për të rrëshqitur drejt një të ardhme të paanë, që e gjen vetëm këtu në Berlin.
…Qëllimi, më zgjon prej mendimeve Arnoldi me zërin e tij gjatë ceremonisë, është që secili të mund të ndërtojë jetën e vet me dinjitet dhe pavarësi duke arritur një të ardhme të qëndrueshme bazuar në vlera. Në fakt kjo vlen për të rinjtë që i janë bashkuar organizatës së tij, por lumenjtë e mendimit në kokë mu lidhën sakaq me filozofinë e vlerave teksa sillja ndërmend këtë zhdërvjelltësi demografike që kapilarizohej në kaq shumë vena gjaku në kryqytetin e botës gjermanike.
Rrugën drejt hotelit në kthim po e përshkoja me një vrik lumturie e me një hap s’di as vetë pse të nxituar. Brenda meje ndjeja vibrimin e një bote që doja ta shihja plotësisht të gëzueshme. Dhe ndërsa ecja në një distancë jo shumë larg hotelit ku qëndroja, dy vende për të cilat kisha lexuar mjaft ishin dhe të preferuarat e mia në Berlin; Viktoria-Luise Platz, një shesh i vogël i ndërtuar aty që prej 1900-ës me një burim të papërmbajtshëm uji që nuk pushon kurrë dhe një nga dyqanet që bën akulloret më të mira në qytet, i dyti në radhë do të mbetej Volkspark Schoneberg-Ëilmersdorf, një copëz lëndine me plot kënde lojrash për fëmijë dhe të rinj, ca rosakë të llastuar që notojnë atypari në një pellg artificial dhe shtigjet e ngushta të bicikletave që të cojnë në Rathaus Schoneberg, vendi historik nga ku Presidenti amerikan John F. Kennedy, lëshoi thirrjen kushtrimplotë të një njeriu të lirë në gjermanishten e tij amerikane, “Ich bin ein Berliner”, në qershor të vitit 1963.
Par l’association de idee të asaj cfarë presidenti amerikan kish dashur të thoshte atë pasdite qershori, vendosa ta mbyll shëtitjen time me kundrimin drejt kubesë së xhamtë të Bundestagut gjerman mbuluar me ngjyra të ndezura të një roze të ëmbël, dhe nën dritat e postmoderniste që binin në Ndërtesën Federale të Kancelares Merkel, duke i reflektuar rrezet e saj më pas mbi lum. Një vizion që për mua në të vërtetë do të përbënte thelbin e një qyteti plot vetbesim dhe krenari për emrin e vet, i cili vendosi të lërë pas kokëfortësisht me një marsh ushtarak dy ndarjet e tij të mëdha, lindje e perëndim si dhe tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Është kjo, një pikë kontroversiale e përsosur ballë qindra e mijra memorialeve që u ngritën për nder të heronjve dhe mbeturinave të tjera që la pas periudha më e errët e historisë gjermane. Një tjetër arsye më shumë për ta parë këtë qytet gjithmonë optimist e mes befasive të panumërta.