Himnet e rinisë së paraluftës

Dizajneri Rrezeart Galica i thotë gjithmonë të gjitha përmes lapsit, vijave dhe ngjyrave në dizajnet e tij që reflektojnë aktualitetin lokal e botëror.

Në rubrikën javore të së dielës, në Gazetën “Zëri”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, Galica jashtë simbolikave të profesionit të vet, përmes këngëve që i kanë mbetur në memorie, shpalos kujtimet e tij, duke na sjellë kështu copëza të Prishtinës së paraluftës dhe këngë emblematike.

Nga “November Rain” e Guns’n’Roses, e deri tek “Amaneti i Clownit” i Trojës, ky është rrëfimi muzikor i Rrezeart Galicës.

Guns’n’Roses -November Rain

Kjo këngë më kujton vitet e 90-ta dhe diku në klasën e tretë, kur ishin ditët që disa nga shokët e klasës po largoheshin nga Kosova në perëndim. Dhe ende ajo kohë, mbaj mend që ishte në trend si shumë të rinj të dukemi hippy dhe të dëgjojmë muzikë më heavy rock. Kuptohet që izolimi nga okupatori serb e bënte jetën tonë edhe më të ngushtë, por me ato që kishim mundësi arrinim të kënaqeshim në një mënyrë. Ishte koha e lojës me fëmijët e lagjes dhe e shkëmbimit të audiokasetave e videokasetave të sapo dala nga tregu botëror i muzikës.

Jon Bon Jovi – Always

Koha kur si shokë shihnim gjërat më ndryshe dhe pothuajse albumi i Bon Jovit ishte bërë për ne si Abetare dhe i dinim këngët e tij përmendsh. Ishte

koha kur kalonim nga tetëvjeçarja në shkollë të mesme dhe e ndienim vetveten më të mëdhenj e më të ngritur si nivel me vendos për gjërat personale. Mbanim ndejat shoqërore dhe gjithçka ishte e një niveli më sentimental. Gjithë ajo gjeneratë po ta dëgjonte sërish këtë këngë po këtë nostalgji do ta kishte.

Coolio – Gangstas Paradise

Gjithmonë kjo këngë, tekstin e së cilës veçse e dinim si gjeneratë përmendsh, më kujton fillimin e shkollës së mesme në “Xhevdet Doda”. Kuptohet që shoqëria vazhdonte edhe me ata që kishim qenë në fillore, por meqenëse me ta ishim më të afërt normalisht që kurioziteti se kush do të qëllonte ndër gjimnazistët e rinj në klasë ishte ajo që diskutohej më së shumti në shoqëri të asaj kohe. Sepse ndarja e parë me shokët e shoqet e klasës përveç që ishte emigrimi në perëndim, për disa ajo që na ndau të gjithëve fillimisht ishte shkolla e mesme, meqë disa prej nesh shkuan në gjimnazin “Sami Frashëri” në atë kohë.

Pearl Jam – Still Alive

Koha kur mbijetesa mes katër mureve që po kalonim viteve ’96. Çdo fjalë e kësaj kënge na mbante si rini që në organizime të përbashkëta të bëjmë diçka në të mirë të njerëzimit. Më kujtohet shumë mirë që në atë kohë patëm qenë të organizuar rreth organizatës kundër drogës, alkoholit e delikuencës “Alternativa”, ku me aktivitete të ndryshme të artit mundoheshim ta mbajmë gjallë kulturën tonë.

All we are saying give peace a chance

Ky refren më kujton protestat e viteve ’97 e ’98 kundër regjimit të Millosheviqit. Ishim me shokë të gjeneratës pothuajse në secilin organizim të protestave për liri. Kontributi i tërë brezave që u shpërblye më 1999 më vjen si mesazh përmes kësaj kënge.

Sinan Vllasaliu – Kthehuni

Si shoqëri e së mesmes kishim një vend ku mblidheshim fill pas çlirimit 1999 e ky ishte kafe bar “Picasso”. E kjo këngë gjithmonë më sjell kujtimin për ato ndeja të gjeneratës në atë vend. Edhe tërë ai brez mbajmë mend si ndejat më të mira të organizuara në “Picasso”. Kjo këngë pothuajse sa herë që lëshohej nga DJ e tërë shoqëria e këndonte. Të gjithë tekstin e saj dhe ato momente besoj se janë më të veçantat për secilin e atij brezi.

Amor – Nino

Melodia e kësaj kënge është himn i kohës së gjeneratës sime të gjimnazit “Xhevdet Doda” 1996-2000. Ishte kjo këngë që na përcillte ndejave dhe ekskursioneve gjithandej!

Kënga jonë – Jericho

Grupi i vetëm që sjell vlera të muzikës së re rok shqip dhe asaj folklor të përpunuar mjeshtërisht.

Minatori – Kënga për UNMIK-un

Kënga që më lidh kujtimet me ekspozimin për herë të parë të punimit tim të parë “tUNg”, që ishte revoltë ndaj një sundimi të atillë e hiç demokratik si i UNMIK-ut.

Troja – Amaneti i Clownit

Ndërgjegjja jonë si shoqëri sikur ndien thirrje nëpërmjet kësaj kënge që të ngrihet e të marrë rolin e saj prijatar në kthimin e dinjitetit tonë si shoqëri e mirëfilltë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *