Nga Aurenc Bebja*,
Francë – 10 Nëntor 2016
Autori zvicerran, Charles Didier (1805 – 1864), në librin e tij «Raccolta, Mœurs Siciliennes et Calabraises » të botuar në vitin 1844 në Paris, u ka dedikuar një kapitull shqiptarëve të Kalabrisë («Les Albanais en Calabre»), ku dhe vë në dukje kontributin e Gjergj Kastriotit ndaj mbretit të Napolit, Ferdinandit të I-rë.
Zoti Didier – i bazuar tek historiani napolitan, Giovanni Antonio Summonte – flet për një letërkëmbim mjaft interesant mes Princit të Tarentes dhe heroit tonë, por para së të arrijmë tek ai, nevojitet pak retrospektivë.
Në vitin 1454, babai i Ferdinandit, mbreti Alfons d’Aragon ishte ndër të vetmit që i përgjigjet thirrjes së Gjergj Kastriotit për të luftuar perandorinë osmane, dhe si arsye i dërgon atij disa trupa nën urdhërat e Raymond d’Ortaffa-s.
Ndërsa, në vitin 1462, Gjergj Kastrioti, mirënjohës ndaj Aragonëve, i shkon në ndihmë mbretit të Napolit, Ferdinandit të I-rë, i cili rrezikonte asokohe fronin e tij përballë Dukës së Anjou-së (Anzhusë) dhe Princit të Tarentes.
Para ndërhyrjes së trupave shqiptare në Italinë jugore, Princi i Tarentes i nënvlerësonte ato dhe strategun legjendar, por Princi i Matit dhe mbreti i shqiptarëve i ka dhënë atij përgjigjen e duhur, si fillim me shkrim dhe më pas në terren.
Letërkëmbimi në vijim:
Princi i Tarentes, Jean – Antoine Orsini (Giovanni Antonio):
«Çfarë të kam bërë që vjen dhe më sulmon në tokat e mia ? Ti kujton se do të përballesh me turqit e tu të dobët; kij kujdes. Ne i krahasojmë Shqiptarët e tu me delet, dhe ne ndihemi të bezdisur ndaj armiqve kaq të neveritshëm. Në pamundësi të mbrosh çatinë tënde, ti vjen të pushtosh çatinë tonë. Ti do të gjesh këtu vetëm varrin tënd».
Sovrani i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti:
«Ti nuk je më pak Turk sesa Turqit vetë, megjithëse thonë për ty se nuk i përket asnjë feje. Sa për Shqiptarët e mi, ti nuk i njeh ata; Ne jemi trashëgimtarë të Epiriotëve, që u dhanë për armik Romakëve, Pirron, dhe të Maqedonasve, që i dhanë Indisë si fitimtar Aleksandrin. Dhe për çfarë po më flet, ti, për Tarentinët e tu, racë nevrike që është e aftë vetëm për të peshkuar. Në rast se gjej varrin tim këtu, Perëndia, e cila është në dijeni për mendimet e mia, do të më gjykojë».
Si përfundim, lideri shqiptar, guximtar dhe fuqiplotë, rrugës për në Napoli, fiton betejën e Trani-t, përshkon fushat e Pouille-s (Puglia-s) me kalorësit e tij, shpartallon ushtrinë e Princit të Tarentes dhe kontribon në fitoren vendimtare të Troïa-s, e cila u siguroi kurorën mbretërore Aragonëve, pra Ferdinandit të I-rë.
- Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania:
- http://www.darsiani.com/la-gazette/gjergj-kastrioti-princit-te-tarentes-ja-kush-jane-shqiptaret-e-mi/
poshte tablose duhet dicitura ose didaskalia e vepres
autori, dimensioni, teknika dhe pronesia e cila eshte galeria kombetare e arteve ne Tirane
flm