Ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj: E lashë politikën se nuk gjeja kohë të lexoja

Është hapur dje panairi i 19-të i librit në Pallatin e Kongreseve. Gjatë një tryeze të rrumbullakët botues e shkrimtarë folën për problematikat e librit, shpërndarjen, shitjen, leximin e përkthimin. Të pranishëm ishin shkrimtarja e botuesja Flutura Açka, Parid Teferiçi, Henri ÇIli, Alfred Lela, etj. Petrit Ymeri, kryetar i shoqatës së botuesve tha se jemi pothuajse të njëjtët ‘aktorë’: botuesit, autorët, përkthyesit, institucionet e tjera botuese, shoqata të ndryshme, përfaqësues të institucioneve kulturore të huaja, që marrin pjesë në Panairin e Librit e që të gjithë bashkë i japin një bukuri të vecantë kësaj festë: festës së librit. Sipas tij, është ndofta një frazë e konsumuar kjo, por është e pashmangshme, pasi Panairi i Librit është vërtetë një festë e bukur e kulturës shiptare dhe mund të them pa hezitim që është aktiviteti më i madh kulturor që bëhet në Shqipëri. “Ky panair do të ketë shumë aktivitete, shumë risi, shumë promovime librash, takime me autorë, përkthyes dhe personazhe të tjerë të botës kulturore dhe letrare. Unë kam kënaqësinë që të them një ngjarje shumë të rëndësisihme me të cilën do të njiheni edhe gjatë ditëve të këtij panairi”, shtoi Ymeri.
Ai veçoi se një aktivitet i rëndësishëm është Konferenca mbi Problemet e Përthimit dhe Botimit nga gjuhët e tjera si: gjuhët sllave, nordike dhe gjuhët e tjera të vogla si: polonishtja, rumanishtja, etj etj. “Vitet e fundit ka shumë prurje, shumë botime e shumë përkthime të këtyre letërsive në gjuhën shqipe. Është një gjë pozitive. Lexuesi shqiptar është mësuar të ketë botime nga frengjishtja, nga anglishtja, italishtja e shumë të tjera, por një risi e këtyre 10 viteve të fundit; që lidhet edhe me punët e botuesve, por edhe me punën bashkëpunuese të institucioneve europiane; ka sjellë një fluks të dukshëm të botimit dhe përkthimit të këtyre letërsive. Do të kemi shumë aktivitete, kanë ardhur shumë autorë vendas e të huaj të prezantojnë librat e tyre. Kemi një gjallëri të madhe gjatë këtyre 5 ditëve, sikurse jemi mësuar gjithmonë të shohim në ditët e Panairit të Librit”, përfundoi Ymeri.
Më pas, shkrimtari Besnik Mustafaj u ndal te kujtimet e veta dhe tek perceptimet.
“Marrëdhënia ime me librin është specifike në kuptimin që unë jam edhe një lexues shumë i madh që nga fëmijëria, por jam edhe autor librash në prozë, poezi dhe në eseistikë. Përplasja ime brenda vetes gjatë politikës (kur merresha me politikë aktive) ishte kur nuk arrita të gjeja kohën për të lexuar, jo thjesht kur nuk arrita të gjeja kohën për të shkruar. Pra nëse arrin një pikë kur njeriu nuk arrin të gjejë kohën për të lexuar, duhet të bëjë një zgjedhje të rëndësishme, që unë personalisht në rastin konkret e bëra”, u shpreh ish-minsitri i jashtëm. Ai shtoi se “e konsideroj, sidomos në kontekstin shqiptar, një ngjarje këtë panair, e konsideroj të një rëndësie shumë të veçantë, një mungesë me pasoja të mëdha të rrjetit të shpërndarjes së librit, kemi një mungesë të rrjetit të librarive jashtë Tiranës, brenda Tiranës ka shumë pak librari, pra është një event që ka kuptim feste, sepse mua më ka pëlqyer gjithmonë karakteri entuziast, pjesëmarrja dhe vizitat e shqiptarëve të të gjitha moshave që nga fëmijët e shkollave e deri tek pensionistët, pjesëmarrja e shumë grave që vijnë e vizitojnë dhe blejnë libra me këtë rast. Sipas Mustafajt, është një rast që rrëzon atë që “lexuesit kryesorë në shoqërinë e sotme numerikisht janë shtëpiaket”, gratë që nuk angazhohen me aktivitet profesional jashtë shtëpisë e që kanë shumë kohë. Do të thotë që do të përputhej edhe letërsia që ato lexonin me serialet televizive. Unë këtu në panair në vazhdimësi kam parë zonja të ftilluara kulturalisht, dinamike profesionalisht, është një moment kur edhe ne si shkrimtarë kemi rastin të shihemi me botues të huaj e me shkrimtarë të huaj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *