Luan Rama
Nëse e kam botuar këtë shkrim për Athinën kjo nuk na jep të drejtën, të themi, siç po dëgjojmë këto ditë, “Athina shqiptare”. Kjo do të ishte një marrëzi! Historia është histori dhe mjerisht, popujt ballkanikë ende nuk janë shkëputur nga sindroma “historike” për t’u rikthyer shumë shekuj mbrapa. Franca, Italia, Gjermania nuk kanë qenë në këto hapësira siç janë sot, harta e Europës ka ndryshuar nëpër shekuj dhe lumturisht, grindjet historike kanë përfunduar. Popujt europianë shohin përpara. Çdo të ndodhte në Ballkan sikur të gjithë të ngriheshin dhe të kërkonin kufijtë e vjetër, një, disa shekullore apo mijëvjeçare?… Historitë e “Republikës së Çamërisë”, “Himara greke” apo “Athina shqiptare” janë sa për të qeshur aq dhe të çmendura e tragjike. Sot jetojmë në shekullin e XXI të integrimeve të mëdha dhe historia jonë e përbashkët, e gëzuar apo e dhimbshme, heroike apo e përgjakur nga masakrat si në Çamëri, nuk duhet të na hedhë në barrikada armike, por duhet të na bashkojë. Le të kapemi nga shembujt më të mirë të historisë së përbashkët që të ndërtojmë një ardhmëri të përbashkët, pasi ardhmëria asnjëherë nuk është vetmitare, por e ndërvarur. Është ndryshe të afirmosh historinë dhe ndryshe të kërkosh me forcë rikthimin në të drejtën historike!…
Historia e gjeneralit venecian Francesco Morosini nuk më rezulton e tillë siç e ka përmendur kryeministri, apo siç ia kanë servirur si informacion. Më 1683, kur Turqia hyri në luftë kundër Austrisë, Francesco Morosini që ishte kthyer nga Kreta ku ishte mundur më parë, u caktua komandant i ushtrisë venedikase dhe iu rikthye përsëri brigjeve të Egjeut duke nisur së pari sulmin kundër ish fortesave veneciane, duke i marrë njëra pas tjetrës, në ishujt apo në Nafplio, Argos, Korint, Patra, ku bëri një luftë të jashtëzakonshme. Më së fundi ai iu drejtua Athinës. Garnizoni turk u përqendrua në Akropol dhe nuk deshi të dorëzohej, me shpresë se serasqeri osman me trupat e tij, që ishte në Rumeli, ishte nisur për t’i ndihmuar. Ata donin të fitonin kohë. Një grup nga qyteti iu drejtua Morosinit që të mos qëllonte me topat e tij. Por Morosini dhe zëvendësi i tij, suedezi Konigsmarck, donin t’i tregonin pashait vendosmërinë e tyre dhe vendosën të qëllojnë, çka mjerisht shkaktoi shkatërrimin e çatisë së Panteonit si dhe të shumë monumenteve të tjera, përfshi dhe frizën e krijuar nga Fidias. Më së fundi garnizoni turk prej 500 ushtarësh dhe 2500 robër e qytetarë bashkë me ta u dorëzua. Ishte 4 tetori i vitit 1687, por dëmet e mëdha ishin fatale për gjithë qytetërimin botëror. Pra, askush nuk e shpëtoi Akropolin nga dëmet e pariparueshme, edhe pse historia tashmë nuk e harron.
Nëse do duhej t’u tregohej autoriteteve greke një shembull i përafërt, kjo do të ishte pothuaj dy shekuj më vonë e pikërisht në vitet 1823-1825, kur Akropoli dhe Athina ishin në duart e arvanitasve. Odisea Andruçio kishte pozicionet e tij në Akropol dhe në Kullën Franke (nga ku më vonë e hodhën po shokët e tij arvanitas). Athinën e kishte në dorë kundërshtari tij arvanitas, kapedani Gura. Ky është një fakt i njohur siç janë faktet se numri më i madh i heronjve të Revolucionit grek ishin arvanitas.
Mjafton t’i referohemi historisë së hidriotëve, për çka shkruajnë aq shumë të huajt, por fare pak të referuar në historiografinë tonë, për të kuptuar elementin e fuqishëm shqiptar në formimin e Greqisë së re. Sa për praninë e shqiptarëve në trojet greke, mjafton të lexohet vepra e historianit gjerman Carl Hopf për të parë origjinalet e familjeve të mëdha shqiptare si të instaluara në kohën bizantine në shekujt XIII-XIV, si Araniti, Matarango, Bua, Ljosha, Zenevishi, Jonima, Sguras, etj.
Araniti-Komneno përmendet që më 1210, Sguro që më 1274; Jonima që më 1274; Matarango që më 1274; Bua Spatas, që në vitin 1304; Pjetër Ljosha si despot i Artës më 1358, Gjin Zenevishi që më 1304, etj., dokumente këto që Hopf i kishte gjetur në kishat e vjetra greke dhe që i kishte botuar në librin e tij “Kronikat greko-romane të pa botuara e pak të njohura” që nisin që në vitet 1200 (botuar më 1873).
Konsulli francez Fauvel: Athina nën dorë të shqiptarëve
Historia e konsullit francez François Louis Fauvel ka interes në fushën e studimeve të diplomacisë dhe arkeologjisë antike, por kësaj radhe, ne po i rikthehemi kësaj figure thjesht për të ripërsëritur dhe njëherë rolin e shqiptarëve në Revolucionin grek dhe lidhjen historike të grekëve dhe shqiptarëve që nga koha bizantine në shekujt XII-XIV e deri në shekullin e XIX. Nëse do të përdorim një figurë simbolike, imagjinata do të na çonte në një vend ku bashkohen dy lumenj duke i dhënë njëri-tjetrit diçka nga rrjedhat e tyre.
Gjeografi dhe etnografi i madh francez i shekullit XIX Guillaume Lejean, ka shkruar për “gjakun e përzier shqiptaro-helen”; po kështu dhe konsulli Henri Belle e shumë të tjerë dëshmitarë të Greqisë së shekujve XVIII-XIX. Nuk po përmend këtu historianët Fallmerayer, Gobineau apo Benloëw, të cilët historianët grekë i kanë anatemuar keqas për vlerësimin e rolit të shqiptarëve në “ripërtëritjen” e Greqisë, siç e cilëson këtë term konsulli tjetër francez i Janinës, François Pouqueville.
Nëse themi sot diçka të tillë, nëse zhvarrosim diçka nga historia e fshehur nga historianët për grekët e gjysmës së dytë të shekullit XIX e deri më sot, këtë e bëjmë për të vlerësuar këtë pikëtakim historik të rëndësishëm për ardhmërinë e të dy popujve, për të theksuar se ata i kanë dhënë shumë njëri-tjetrit dhe se kjo bazë historike duhet t’i shërbejë të ardhmes së përbashkët në kohën e integrimeve të mëdha dhe të Europës pa kufij.
Ky erudit dhe më pas një diplomat i spikatur, iu rikthye sërish Greqisë për të ndihmuar mikun e tij, kontin francez Choiseul-Gouffier, i cili ishte bërë ambasadori i mbretit francez në Portën e Lartë, në Stamboll. Kështu, Fauvel filloi të punonte në Athinë si “anëtar asocié” i Institut de France, çka i lejonte të kishte pará dhe të bënte kërkimet e tij. Fillimisht ai u vendos në një kuvend të kapuçinëve. Por “Fushata e Egjiptit”, e lançuar nga gjeneral Bonaparte, i cili zbarkoi në Aleksandri e Kajro, solli burgosjen e tij nga turqit dhe dërgimin më pas në burgun e tmerrshëm të Stambollit (ku lindi Bubulina shqiptare), siç u dërgua dhe François Pouqueville, më pas konsull i Francës në Janinë. Por me rivendosjen e paqes, ata i përzunë nga Stambolli.
Me t’u kthyer në Paris, Fauvel, i cili donte gjithnjë të vazhdonte kërkimet e tij arkeologjike, kërkoi të shkonte si konsull në Athinë dhe më në fund atë e dërguan si zëvendës konsull. Ishte pikërisht kjo kohë kur në Greqi filluan të zbarkojnë disa arkeologë e shkrimtarë, siç ishte dhe Gerard de Nerval apo Chateaubriand, i cili u shoqërua nga Fauvel. Të tjerë historianë priti e përcolli Fauvel, madje shumë artistë, siç ishte dhe Louis Dupré, autori i portretit të Ali Pashës në liqenin e Butrintit. Madje me këtë rast, veç portreteve të familjes së Ali Pashës si dhe të suljotëve që takoi në Korfuz, Dupré pikturoi dhe vetë konsullin Fauvel. Por dhe Fauvel ishte një mjeshtër e vizatues i hollë, çka e ka treguar në pikturat e tij. Me fillimin e kryengritjes kundër pushtuesve turq, Fauvel na zbulon se të parët e shpërthimit të revolucionit grek ishin shqiptarët e Athinës (dhe jo arvanitasit e Hidrës dhe Specajt, me Bubulinën apo kapedanët e tjerë, Miauli, Kondurioti, Tobazi, Kriezi, etj). I frikësuar nga kaosi i madh në Athinë në prill të vitit 1821, kur 2000 shqiptarët e rrethinave kishin tashmë qytetin në dorë, dhe duke qenë se për nevoja të gërmimeve të tij arkeologjike, ai e kishte mirë me guvernatorët turq, ai u largua shpejt në një ishull, në pritje të ngjarjeve.
Një letër e panjohur
Në disa letra dërguar në këtë kohë, të cilat ruhen në departamentin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Francës, në Paris, ai na jep një tablo të panjohur më parë nga studiuesit tanë. “Nuk ka më Athinas në qytet, – njoftonte ai Ministrinë e Jashtme franceze, – por dhe po të kishte, konsulli s’kishte ç’të bënte për ata. Shtëpitë janë djegur. Sot athinasit nuk janë më asgjë, por zotër janë të huajt, barbarët e maleve të Epirit. Ata janë shërbëtorë të devotshëm të despotit Gura, që është prijësi aktual i tyre. Ndër 100 banorë mund të ketë ndoshta një athinas. Janë ilirianët, epirotasit, që nuk e flasin gjuhën greke, dhe unë vdiqa këtu duke përsëritur të njëjtën gjë: në Paris duan ripërtëritjen e Greqisë dhe besojnë në këtë. Edhe tregtarët grekë e latinë e thonë këtë me klithmë. Elita e fisnikërisë së Europës së veriut vjen këtu në ndihmë të këtyre që pretendojnë se janë pasardhës të helenëve, duke u vrarë pa asnjë lloj rezultati, duke vdekur madje dhe urie. Nuk ka më komb në Athinë dhe ju s’mund ta mbroni konsullin tuaj. Ai nuk ju është më i nevojshëm për asgjë. Përse atëherë doni ta nisni përsëri në Athinë?…
Osmanët kishin sulmuar sërish Athinën dhe e kishin pushtuar, por muaj më vonë, shqiptarët kishin i ishin sulur qytetit antik, kishin pushtuar kështjellën ushtarake, lart, pranë Akropolit, dhe i kishin larguar që andej. Në fakt, konsulli i Francës në Smirnë të Turqisë, konti Alex Beaurepaire, i kishte shkruar Fauvel-it që ai të ikte nga Zéa ku ishte fshehur dhe të shkonte përsëri në Athinë, në postin e tij, por në letrën e 22 shkurtit të vitit 1823, Fauvel i kthente përgjigje: “Jam i habitur zoti konsull që ju më këshilloni të kthehem në Athinë midis rebelëve. Po çfarë do të përfaqësoj atje dhe me kë do kem të bëj? Fshatarët që komandojnë atje, a njihen nga Franca? Ju më thoni se atje janë konsujt e tjerë, por ju duhet ta dini se ata janë disa lloj tregtarësh që përfitojnë në kurriz të grekëve. Madje dhe orenditë e francezëve i kanë ata tashmë. Gjithçka është blerë dhe ndodhet tek ata me qëllim që më pas të shitet përsëri. Ata janë të pandershëm dhe e njollosin flamurin e tyre. Nuk besoj se ministri do më urdhërojë të kthehem atje. Edhe atij do t’i shkruaj të njëjtën gjë si ty. Nuk mund të ketë konsull tek rebelët, me të cilët qeveria jonë nuk ka asnjë lidhje. Kur qeveria greke të njihet, atëherë le të më dërgojnë me letra-kredenciale, ndryshe unë nuk shoh një mundësi tjetër…”.
Në prill, qetësia e Athinës u prish akoma më shumë. Më pas mijëra fshatarë arvanitas përreth Athinës ishin bërë zotër të qytetit antik. Në gusht të atij viti, Fauvel ishte ende në mërgim, i fshehur, kur mori vesh se ishte dekoruar me Legjionin e Nderit.
Dihet që shqiptarët ishin vendosur në Greqi që në kohën bizantine, veçanërisht në Arta dhe ishujt, siç e dokumenton dhe historiani gjerman Carl Hopff në gjenealogjitë e familjeve të mëdha shqiptare që kishte gjetur në kishat e vjetra greke dhe që i kishte botuar në librin e tij “Kronikat greko-romane të pa botuara e pak të njohura” që nisin që në vitet 1200 (botuar më 1873).
Në shekullin XVII, ishte konsulli tjetër francez Jean Giraud që duke përshkruar jetën e Athinës më 1674, në “Relation de l’Attique”, ndër të tjera për shqiptarët e qytetit antik, shkruante: “Lidhur me shqiptarët, ata janë të pakët brenda qytetit, por të shumtë në rrethinat e Athinës. Gjithë fshatrat janë të banuara nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur prej kohësh nga Shqipëria. Ata janë të fuqishëm dhe gazmorë, pavarësisht se ushqehen shumë keq, duke jetuar me bukë e me ujë, me djathë, prodhime qumështi e ullinj e që rrallë pinë verë, ku brenda një muaji veç një herë hanë mish. Janë në një mjerim të skajshëm dhe kohë më kohë në burgje, pasi s’kanë para të paguajnë haraçin. Por edhe pse kaq të mjerë, rrallë ndonjë prej tyre bëhet turk, pasi janë më të rreptë përsa i përket fesë edhe pse devotshmëria e tyre qëndron në atë që për karem të bëjnë veç kryqin disa herë pa lutje të tjera. Madje shumica e tyre nuk dinë as “pater noter”. Në Pashkë ata bëjnë “komunionin”, por shumica e tyre e bëjnë këtë pa u rrëfyer te prifti asnjëherë. Pranojnë më mirë të betohen për ungjill sesa të ç’kishërohen. Hajdutët endacakë, si këtu dhe në Moré, janë të gjithë shqiptarë. Si armë kanë një lloj hallebarde dhe hejben dinë ta hedhin mrekullisht. Dinë të qëndrojnë në pozicione të favorshme ku katër prej tyre mund të kapin dhjetë të tjerë.
Ka njëzet vjet që dy shqiptarë të quajtur Buzhali dhe Llambro ngritën krye në këto rrethina me njëqind e njëzet të tjerë dhe gjatë 5-6 muajve i mbajtën të rrethuar athinasit, të cilët s’dilnin dot prej qytetit dhe as të shkonin jashtë, në kopshtet e tyre. Të gjithë turqit që u binin në dorë ata u prisnin kokat, ndërsa grekët vetëm i plaçkitnin. Më së fundi, turqit e grekët e Athinës dolën nga qyteti me nja 700 luftëtarë për të rrethuar shqiptarët, por ata u mbrojtën aq fortë sa ditën të tërhiqen drejt malit të Telo Vuni ku filluan të bëjnë dredha duke luftuar me aq furi, sa shumë prej turqve e grekëve u plagosën dhe të tjerët më së fundi u kthyen në qytet. Ditë më pas, kur u lajmëruan se në Tebë e në Negroponte po përgatiteshin të vinin t’i rrethonin, ata dërguan një barkë në Zea ku ishin anijet venedikase, të cilët erdhën e i morën të gjithë, ata dhe bagëtinë e tyre. Të ashtuquajturit Buzhali dhe Llambro bënë mrekullira në ushtrinë veneciane. Ata u bënë komandantë dhe sot e kësaj dite janë në shërbim të Republikës dhe me kushte të mira.
Thuhet se midis Moresë, Athinës, Tebës e Negropontes, gjenden 60.000 shqiptarë, të gjithë të lindur në halle, por të mirë në rast nevoje. Ata ecin shumë shpejt, çka dhe lloji i veshjes së tyre i ndihmon për këtë. Si veshje kanë një këmishë dhe një jelek të ngushtë, mëngët e të cilit shkojnë gjer në bërryla; kanë çorape të gjata si pantallona të ngushta dhe këmishën e mbajnë jashtë. Jelekët i kanë në ngjyrë të bardhë, me një lloj cohe të bardhë që kushton shumë lirë dhe mbajnë një kapele të bardhë. Kanë një kordon që u kalon poshtë mjekrës, çka e mban kapelen pas kokës, e cila duke qenë e vogël mund të bjerë në çdo çast. Ata që janë disi në gjendje kanë një lloj petku me mëngë të gjera që u shkon deri në gjunjë me mëngë që u varen. Gratë kanë veshje me të njëjtën cohë që u shkon gjer në fund të këmbëve. Kur shqiptarët bëjnë dasmë, festa e tyre bëhet gjatë tetë ditëve me tambura e fyej dhe kur marrin nusen në shtëpi, e marrin mbi kalë, të mbuluar me një shami fare të çelët. Edhe kur martohet, të gjithë shqiptarët shkojnë e puthin në ballë, edhe pse ajo është e mbuluar nga vello dhe në një pjatë ata hedhin disa monedha…“
“Shqiptarët e Athinës, lindur në halle, por të mirë në rast nevoje”…
Relacioni i konsullit francez në Athinë, Jean Giraud, 1674
Në shekullin XVII, ishte konsulli tjetër francez Jean Giraud që duke përshkruar jetën e Athinës më 1674, në “Relation de l’Attique”, ndër të tjera për shqiptarët e qytetit antik, shkruante:
“Lidhur me shqiptarët, ata janë të pakët brenda qytetit, por të shumtë në rrethinat e Athinës. Gjithë fshatrat janë të banuara nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur prej kohësh nga Shqipëria. Ata janë të fuqishëm dhe gazmorë, pavarësisht se ushqehen shumë keq, duke jetuar me bukë e me ujë, me djathë, prodhime qumështi e ullinj e që rrallë pinë verë, ku brenda një muaji veç një herë hanë mish. Janë në një mjerim të skajshëm dhe kohë më kohë në burgje, pasi s’kanë para të paguajnë haraçin. Por edhe pse kaq të mjerë, rrallë ndonjë prej tyre bëhet turk, pasi janë më të rreptë përsa i përket fesë edhe pse devotshmëria e tyre qëndron në atë që për karem të bëjnë veç kryqin disa herë pa lutje të tjera. Madje shumica e tyre nuk dinë as “pater noster”. Në Pashkë ata bëjnë “komunionin”, por shumica e tyre e bëjnë këtë pa u rrëfyer te prifti asnjëherë. Pranojnë më mirë të betohen për ungjill sesa të ç’kishërohen. Hajdutët endacakë, si këtu dhe në Moré janë të gjithë shqiptarë. Si armë kanë një lloj hallebarde dhe hejben dinë ta hedhin mrekullisht. Dinë të qëndrojnë në pozicione të favorshme ku katër prej tyre mund të kapin dhjetë të tjerë.
Ka njëzet vjet që dy shqiptarë të quajtur Buzhali dhe Llambro ngritën krye në këto rrethina me njëqind e njëzet të tjerë dhe gjatë 5-6 muajve i mbajtën të rrethuar athinasit, të cilët s’dilnin dot prej qytetit dhe as të shkonin jashtë, në kopshtet e tyre. Të gjithë turqit që u binin në dorë ata u prisnin kokat, ndërsa grekët vetëm i plaçkitnin. Më së fundi, turqit e grekët e Athinës dolën nga qyteti me nja 700 luftëtarë për të rrethuar shqiptarët, por ata u mbrojtën aq fortë sa ditën të tërhiqen drejt malit të Telo Vuni ku filluan të bëjnë dredha duke luftuar me aq furi, sa shumë prej turqve e grekëve u plagosën dhe të tjerët më së fundi u kthyen në qytet. Ditë më pas, kur u lajmëruan se në Tebë e në Negroponte po përgatiteshin të vinin t’i rrethonin, ata dërguan një barkë në Zea ku ishin anijet venedikase, të cilët erdhën e i morën të gjithë, ata dhe bagëtinë e tyre. Të ashtuquajturit Buzhali dhe Llambro bënë mrekullira në ushtrinë veneciane. Ata u bënë komandantë dhe sot e kësaj dite janë në shërbim të Republikës dhe me kushte të mira.
Thuhet se midis Moresë, Athinës, Tebës e Negropontes, gjenden 60.000 shqiptarë, të gjithë të lindur në halle, por të mirë në rast nevoje. Ata ecin shumë shpejt, çka dhe lloji i veshjes së tyre i ndihmon për këtë. Si veshje kanë një këmishë dhe një jelek të ngushtë, mëngët e të cilit shkojnë gjer në bërryla; kanë çorape të gjata si pantallona të ngushta dhe këmishën e mbajnë jashtë. Jelekët i kanë në ngjyrë të bardhë, me një lloj cohe të bardhë që kushton shumë lirë dhe mbajnë një kapele të bardhë. Kanë një kordon që u kalon poshtë mjekrës, çka e mban kapelen pas kokës, e cila duke qenë e vogël mund të bjerë në çdo çast. Ata që janë disi në gjendje kanë një lloj petku me mëngë të gjera që u shkon deri në gjunjë me mëngë që u varen. Gratë kanë veshje me të njëjtën cohë që u shkon gjer në fund të këmbëve. Kur shqiptarët bëjnë dasmë, festa e tyre bëhet gjatë tetë ditëve me tambura e fyej dhe kur marrin nusen në shtëpi, e marrin mbi kalë, të mbuluar me një shami fare të çelët. Edhe kur martohet, të gjithë shqiptarët shkojnë e puthin në ballë, edhe pse ajo është e mbuluar nga vello dhe në një pjatë ata hedhin disa monedha…“
Histori të tjera mbi Athinën e “pushtuar” nga shqiptarët…
…por këtë radhë të treguara nga “Rama i Parisit”
Ka ngjallur polemika midis dy vendeve publikimi në Facebook nga kryeministri Rama i një gravure të vjetër të Akropolit të Athinës të mbrojtur nga shqiptarët dhe shënimi se për këtë “Athina u ka borxh shqiptarëve historinë e saj”, deklaratë që është bërë si kundërpërgjigje e ndërhyrjeve greke në projektin e rindërtimit të Himarës. Jo se historia për të cilën shkruan kryeministri Rama nuk është e vërtetë, por e thënë prej tij në një moment të caktuar dhe për një çështje të caktuar, është marrë si provokacion dhe ka ndezur gjakrat në anën tjetër të kufirit.
” Incidenti”, në qoftë se do ta quajmë kështu, në këtë rast duket se është krejt i panevojshëm. Mundet që Kryeministri ynë, por edhe ministri i Jashtëm grek, Kotcias, që edhe ky “merret me histori”, të kishin zgjedhur një mënyrë tjetër komunikimi, dhe t’ua linin historianëve të merreshin me “borxhet e historisë”, pasi ata kanë kompetencën e duhur profesionale, kanë dokumentet dhe argumentet, por edhe se, në fund të fundit, atyre u shkon ta bëjnë këtë gjë. Ashtu siç i shkon, fjala vjen, një personaliteti aktual të letrave, njohës i mirë i arkivave frënge, historianit dhe publicistit Luan Rama, shkrimin e zgjeruar të të cilit për të njëjtën gjë që përmend edhe Rama Kryeministër, të pajisur edhe me një shënim, po e botojmë më poshtë. Ndërsa postimi i “Ramës Kryeministër” është një pikë në vajin e nxehtë, shkrimi i “Ramës së Parisit”, është një pikë e shtuar në rrjedhën historike të ngjarjeve./ Zylyftar Hoxha